Një grua me frak e bagetë në krye të orkestrës
Alma Mile
Ajo është kokëfortë si një shqiptare. Kalon orë të tëra, duke studiuar dhe imagjinuar tinguj dhe drejton orkestra të mëdha, që përbëhen kryesisht nga instrumentistë meshkuj. Gianna Fratta ishte vetëm 13 vjeçe kur vendosi të bëhej dirigjente. Pianoja i dukej shumë e kufizuar. Ka drejtuar orkestra nga Koreja në Nju Jork dhe tani dirigjentia italiane ndodhet në Tiranë, në krye të Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në operën e Puçinit "Triptiku". Një vepër që u ngjit për herë të parë në skenën shqiptare dhe po ndiqet me shumë vëmendje nga publiku. Një vepër e vështirë, por që në një kohë rrufe mundi të vijë për publikun e plotë dhe e mirërealizuar.
Riktheheni sërish në Tiranë, por këtë herë në drejtimin e një opere...
Kam drejtuar më parë koncerte simfonike, por kjo është hera e parë që punoj në Teatrin e Operës së Tiranës, e aq më tepër një vepër kaq të komplikuar, "Triptikun" e Puçinit. Tre vepra në një. Shumë të vështira si për orkestrën, ashtu dhe këngëtarët. Nuk është si të punosh mbi një histori. Çdo akt është një botë më vete dhe duhet të përqendrohesh për tre gjëra, tërësisht të ndryshme mes tyre. Edhe në Evropë është një vepër që vihet pak, sepse kërkon një trupë orkestrantësh, këngëtarësh, koristësh, shumë të gjerë.
Si ishte puna në krye të orkestrës së TKOB-it?
Kemi punuar brenda një kohe të shkurtër, aq më tepër që vepra ishte e panjohur për ta. Dhe ka qenë vërtetë e vështirë. Sa i përket disiplinës, mendoj se nuk është çështje mungese disipline, por sistemi pune. Mënyra e të punuarit këtu është ndryshe, ndoshta edhe orkestrantët kanë të drejtë që janë pak të shpërqendruar, janë të paguar pak. Megjithatë, kur erdhi momenti i premierës, përgjegjësia e tyre ishte shumë e madhe dhe dhanë maksimumin.
Ju jeni një pianiste shumë e mirë, përse vendosët të merreni me dirigjim?
Kam filluar të luaj piano qysh e vogël. Kam luajtur thuajse në gjithë botën. Kur isha 13 apo 14 vjeçe dëgjova për herë të parë një orkestër simfonike dhe më erdhi keq, pse pianoja ishte aq e kufizuar dhe nuk kishte tingujt, ngjyrat e një orkestre. Kështu që vendosa ta drejtoja vetë orkestrën. Por dirigjenti nuk është kreu i orkestrës, por njëri prej tyre, që bën një punë tjetër, merret me kohët, interpretimin...
Çdo të thotë për një grua të drejtojë një orkestër, që përbëhet kryesisht nga burra?
Kur isha e vogël nuk e dija që ishte e "çuditshme" për një grua të drejtonte një orkestër, pasi e quaja si të gjitha punët e tjera. Më vonë e kuptova se dirigjentet femra janë të pakta. Dhe është e vështirë të bësh karrierë, pasi ka shumë mosbesim, të gjithë të shohin shtrembër. Por kam pasur fatin të jem gruaja e parë që kam drejtuar operën e Romës, Seulit... Pas 5 minutave të para të kuriozitetit fillon puna dhe nuk ka më rëndësi në je një grua, apo burrë. E njëjta gjë edhe me publikun, i cili nuk është mësuar të shohë një grua me frak. Megjithatë vështirësi ka, sepse nuk është e lehtë që drejtorët artistikë të marrin një grua të drejtojnë orkestrën, por nëse bën një punë të mirë, gjithnjë të thërrasin sërish.
Nëse një instrumentist, apo këngëtar punon mbi pjesën e vet, si studion një dirigjent?
Kur i bie pianos, ushtrohem në të, por në rolin e dirigjentes nuk e kam orkestrën në shtëpi. Kështu që studimi është edhe më i vështirë, sepse duhet të imagjinosh çdo gjë. Nëse imagjinata jote ka qenë në rregull, atëherë punët shkojnë mirë, në të kundërt gjithçka hidhet në ajër. Kërkohet një njohje e thellë e instrumenteve, e roleve, duhet të studiosh punën për 200 njerëz. Nëse secili prej tyre ka punën e vet individuale, ti duhet të dish gjithçka që bëjnë ata. Ndaj nuk është e çuditshme pse Bethoveni e krijoi Simfoninë e 9 kur nuk dëgjonte, sepse ai e ndjente brenda vetes muzikën.
Ju keni origjinë arbëreshe, ç'keni trashëguar nga të parët tuaj?
Gjyshërit e mi nga nëna jetojnë në një fshat pranë Foxhias, i populluar qysh 500 vjet më parë nga shqiptarët. Ata flasin italisht sigurisht, por mes tyre flasin në gjuhën arbëreshe. Unë e kuptoj shumë shqipen, sigurisht gjuha juaj ka ndryshuar shumë, ndërsa e tyrja ka mbetur shqipja e vjetër, megjithatë ndryshimi nuk është shumë i madh. Objektet quhen të gjitha njëlloj, ndërsa në disa fjalë thjesht kanë rënë disa germa (asgjë/masgjë, ulu/vulju, nuk e di/nga di). Kështu që një pjesë e imja ndihet shqiptare.
Udhëtoni shpesh, nuk mërziteni, aq më tepër kur edhe kushtet janë të vështira, kështu si tek ne?
Më pëlqejnë shumë udhëtimet, më pëlqen të vizitoj muzetë, të blej suvenire dhe më ndodh të kthehem në shtëpi pa para, sepse i kam shpenzuar të gjitha. Kudo që shkoj përshtatem dhe mundohem të marr atje më të mirën. Gjithnjë jemi diçka më shumë se dikush dhe diçka më pak se dikush tjetër.