E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e pafundme e Edmond Kapllanit në Bundesligë vazhdon

 

Edmond Kapllani është shembulli ideal për të treguar dallimin midis Bundesligës 2 dhe Bundesligës 1. Pas një sezoni me 17 gola (2006/07) të realizuar në Bundesligën 2, bomberi i Kombëtares shqiptare dhe Karlsruhe ia mësynë elitës gjermane, por vetëm Karlsruhe mbijetoi, Kapllani jo. Sulmuesi shqiptar sezonin e kaluar realizoi dy gola gjithsej, kurse këtë vit situata është akoma më e rëndë: asnjë gol. 26-vjeçari është paraqitur në dhjetë ndeshje për skuadrën e tij Karlsruhe, ndërsa bilanci i tij është 0 gola e 0 asiste. Kapllani së fundi ka shënuar në majin e vitit të kaluar në ndeshje me Hertën, të cilën skuadra e tij e humbi me shifrat 3-1. "Unë po luaj dhe ndihem shumë mirë. Edhe sistemi me dy sulmues po më përshtatet shumë mirë. Por, ajo që po më mungon tani është goli", ka deklaruar Kapllani për revistën "Kicker". Sulmuesi shqiptar edhe edicionin e kaluar nuk gëzoi formë të mirë. Shënoi vetëm dy gola e dha dy asistime. Por Kapllani nuk është i vetmi në Karlsruhe, që po kalon një krizë të tillë. Probleme kanë hasur edhe dy sulmuesit e tjerë: Xhoshua Kenedi dhe Sebastian Frais. Kenedi ka 20 ndeshje që nuk ka shënuar gol dhe pikërisht këtij ia ka zënë vendin Kapllani. Ndërkohë Freis, shënuesi më i mirë i skuadrës këtë edicion me 5 gola, është në "grevë" në 5 ndeshjet e fundit. Me gjithë krizën, Kapllani nuk mendon të dorëzohet. Ai dëshiron të mbetet në skuadrën e Bundesligës gjermane. "Unë dua të qëndroj këtu. Nuk mendoj të largohem", ka thënë 26-vjeçari. Kapllani me Karlsruhen ka kontratë deri në verën e vitit 2010. Klubi gjerman i Bundesligës 2, Nurembergu është prej kohësh në gjurmët e Kapllanit, një futbollisti, që e njeh mirë Bundesligën 2.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›