E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmeni turk kërkohej në Arabi, fshihej në Tiranë

Foto arkiv

Flamur Vezaj

Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në Tiranë refuzuan kërkesën e Arabisë Saudite për ekstradimin e shtetasit turk Isa Sungur, i akuzuar për kontrabandë pijesh alkoolike. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare, sipas të cilave refuzimi i kësaj kërkese është bërë për arsye procedurale. Ndërkohë, vetë i arrestuari Sungur gjatë kohës së qëndrimit në qeli dhe në seancat e vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, kishte kërkuar të mos pranohet kërkesa e ekstradimit dhe të depërtohet drejt shtetit të tij të lindjes.

Sipas kopjes së vendimit që Shekulli ka siguruar, mësohet se turku 53 vjeçar Sungur është arrestuar më 1 Nëntor 2011, aty rreth orës 13:30 minuta nga efektivët e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë së Aeroportit Nënë Tereza në Rinas. Arrestimi i tij, është kryer bazuar në urdhër arrestin ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme, Seksioni al-Sharqiya të Arabisë Saudite, me nr. Fa 1A7/12354, të datës 16 Qershor 2006. Ky urdhër arresti është publikuar në faqen e Interpolit më datë 13 Korrik 2007, me kërkesë të autoriteteve të drejtësisë Arabe. Sipas këtij urdhri, 53 vjeçari turk Sungur është marrë nën hetime për kryerjen e veprës penale të Kontrabandës të pijeve alkoolike, të parashikuar nga neni 45 i Ligjit Doganor të Përbashkët të Shteteve të Bashkëpunimit të Gjirit. Kjo vepër penale, sipas legjislacionit arab, parashikon një dënim me gjobë dhe deri në tre vite burg.

Pas arrestimit të 53 vjeçarit turk, ky i fundit me kërkesë të prokurorisë së kryeqytetit ka dalë para Gjykatës së Shkallës së Parë, konkretisht para gjyqtarit Gerd Hoxha, i cili me vendimin e datës 3 Nëntor 2011 ka vendosur: vleftësimin e ligjshëm të arrestit ndaj personit nën hetim Isa Sugur dhe caktimin e masës së sigurimit personal arrest me burg me afat 40 ditor. Ky vendim është ankimuar nga avokati mbrojtës i të pandehurit pranë Gjykatës së Apelit, ku treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Zegjine Sollaku, ka vendosur miratimin e këtij vendimi, duke lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg me afat 40 ditor.

Pa kaluar 40 ditë nga kjo masë sigurimi, autoritet e drejtësisë Arabe kanë sjell në Shqipëri dokumentacionin plotësues dhe kërkesën për ekstradimin e shtetasit turk Sungur, i cili nga 2006 kërkohej në Arabi për kontrabandë të pijeve alkoolike. Me ardhjen e kësaj kërkese, prokurori i çështjes Besnik Cengu i është drejtuar gjyqtarit Hoxha, me kërkesën për lejimin e ekstradimit bazuar në Konventat Ndërkombëtare për Ekstradimet. Pas disa seancave gjyqësore, gjyqtari Hoxha ka refuzuar kërkesën për ekstradim, duke i cilësuar dokumentacionet e ardhura nga shteti arab si të pa plotësuara. Me këtë vendim, gjyqtari Hoxha kishte urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga salla e gjyqit e shtetasit 53 vjeçar, i cili në Shqipëri kishte gjetur strehë dhe kishte hapur biznes. Ky vendim i gjyqtarit Hoxha, pak ditë më parë u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, që për organin e akuzës janë të padrejta.

Vetë i arrestuari, gjatë fjalës së tij para Gjykatës, ka kërkuar mëshirë dhe mos të ekstradohet në shtetin Arab. Ju lutem, keni mëshirë për hir të pesë fëmijëve dhe dy grave, mos më ekstradoni në Arabi. Më dërgoni në shtetin tim, Turqi dhe atje përballem me këto akuza false që më kanë ngritur rivalët e mi në Arabi. Të gjitha akuzat janë sajim i tyre. Unë nuk kam kryer kontrabandë me alkool-mësohet të ketë pretenduar turku Isa Sungur, i cili i shtohet listës s personave me precedent penal që gjejnë strehë në Shqipëri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›