E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush janë gjyqtarët e Gërdecit ?

Share

Vendimmarrja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, ndaj 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, siç duket nuk ka qenë i lehtë për treshen gjykuese të kësaj çështje, të cilët nuk i kanë shpëtuar debatit juridik dhe parimor mes tyre brenda dhomës së këshillimit. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare të kësaj gjykate, ku mësohet se kryesuesi i treshes gjykuese, gjyqtari Rdivan Hado disa herë është përplasur juridikisht me anëtarët Fatmira Hajdari e Shefkije Demiraj dhe anasjelltas.

Kush janë gjyqtarët

Gjyqtari Ridvan Hado, prej shumë vitesh është gjyqtar karriere pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Karriera e tij në këtë fushë është zhvilluar nëpërmjet dhjetëra proceseve gjyqësore ku ka qenë kryesues apo edhe anëtar. Kryesisht njihet si gjyqtar i trupave penale, pavarësisht se pas ndarjes së seksioneve, ai është caktuar si anëtar i seksionit civil. Me ardhjen në detyrë të Presidentit të Republikës z.Bamir Topi gjyqtari Hado ishte njëri ndër juristët që u dekoruan me medalje.

Gjyqtarja Fatmira Hajdari, njihet ndryshe si bashkëshortja e heroit të demokracisë të ndjerit Azam Hajdari. Si gjyqtare u emërua pas vdekjes së bashkëshortit dhe ushtron prej vitesh punën e gjyqtares pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Karriera e saj në këtë fushë, është ngritur bazuar në shumë procese penale dhe civile. Ajo njihet edhe si gjyqtare penaliste, por, prej disa kohësh ka kaluar si gjyqtare pranë seksionit civil. Gjatë ushtrimit të detyrës, ka gjykuar shumë procese të rëndësishme, ndër ata rasti Basha për afatet e hetimit të dosjes nga prokuroria. Gjykimin dhe pafajësinë e shtetasit Arben Isufi nga Fieri i njohur ndryshe si Ben Qimja, dënimin e Aldo Bares dhe shumë procese të tjera.

Gjyqtarja Shefkije Demiraj, prej disa vitesh është transferuar si gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, nga ushtrimi i kësaj detyrë në Tropojë. Transferimi i saj është bërë pas vitit 2005 dhe është pjesë e gjyqtarëve penalist të kësaj Gjykate. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, ajo ka qenë kryesuese apo edhe anëtare e trupës gjyqësore, ku janë dënuar disa nga të pandehurit e bandës së Lushnjës, dënimin e britanikëve për akuzën e pedofilisë. Ndërkohë, njihet edhe si motra e dy vëllezërve të vrarë gjatë vitit 1996-99 në Tropojë, që dyshohet se i kanë vrarë familja Haklaj./shekulli

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›