Eksploziv punimeve të Kakomesë
SARANDE - Eksploziv portës së kantierit për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome. Ngjarja ndodhi rreth orës 01.30 të së enjtes, ku një shpërthim është dëgjuar në zonën nga Nivica në Volloder. Sipas policisë, një sasi eksplozivi ka shpërthyer 1.5 metra larg portës hyrëse të kantierit të ndërtuar nga firma “Riviera” për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome. Në vendngjarje shkuan ekspertët antieksploziv, të cilët përcaktuan se sasia e vendosur ishte rreth 100 gram amonit malor. Si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm dëme materiale, duke dëmtuar portën hyrëse të postbllokut të vendosur në hyrje të kantierit. Për këtë ngjarje nisën hetimet ku si pistë më e mundshme është përcaktuar ajo e “presionit për shkak të konflikteve të pronësisë”. Nga ana e policisë ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve, megjithatë dyshimet janë hedhur mbi banorët e fshatit Nivicë, të cilët janë bërë shpesh protagonistë të konflikteve në Kakome. sh.d