Kukës, duan shkollë të mesme, në protestë
KUKES - Rreth 200 nxënës të shkollës 9-vjeçare në qendër të komunës Bushtricë në Kukës kanë bojkotuar procesin mësimor. Ata dhe prindërit e tyre kanë nënshkruar një peticion për hapjen e vitit të parë të shkollës së mesme në fshat. Ndonëse është premtuar prej kohësh, këtë vit Ministria e Arsimit firmosi hapjen e saj. Por kjo ka mbetur vetëm në letër, çka ka sjellë edhe reagimin e banorëve të kësaj zone. Drejtoria Arsimore e Kukësit sqaroi se nuk ka trupën e duhur pedagogjike për të dhënë mësim në vitin e parë të shkollës, kështu që deri në gjetjen e kuadrit të nevojshëm do të shtyhet hapja e vitit të parë të arsimit të mesëm. Kërkesa është bërë vite më parë nga pushteti vendor i komunave Bushtricë, Kalis dhe Grykë-Çajë në Kukës dhe Sllovë e Kala e Dodës në Dibër. Hapja e shkollës së mesme, të paktën e vitit të parë do të ndihmojë nxënësit, që sapo kanë lënë bankat e 9–vjeçares që të mos bëjnë 50 kilometra rrugë gjer në Kukës për të kryer studimet. j.h