Dhuna në familje, trefishohen denoncimet në polici
Tirana mban numrin më të lartë të denoncimeve për dhunën në familje. Gjatë konferencës kombëtare për këtë fenomen mjaft të mprehtë, të gjithë aktorët kanë bërë thirrje për më shumë sensibilizim. Sipas të dhënave nga policia e shtetit, këtë vit janë dërguar 253 kërkes-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, prej të cilave 168 i përkasin Tiranës. Po ashtu në raport me 2007-ën, ku numri i denoncimit të rasteve ka qenë 274, këtë vit është gati trefishuar me 612 denoncime. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo bëri me dije se nëpërmjet strukturave shëndetësore janë evidentuar dhe raportuar 110 raste dhune të familjes. Është përgatitur protokolli i unifikuar për trajtimin e dhunës në familje, i cili ofron udhëzime për mënyrat e depistimit, kujdesin e integruar fizik e psikologjik për pacientët që pranojnë abuzimin dhe referimin e viktimës te burimet ekzistuese për shërbime të tjera sociale e ligjore", tha Godo. Ajo shtoi se gjatë këtij viti janë trajnuar për dhunën në familje, rreth 500 mjekë të familjes, në disa rrethe të vendit, sakaq Ministri i Punës Anastas Duro nënvizoi se shumë shpejt do të nisë nga puna qendra për pritjen e viktimave të dhunës. "Kemi përcaktuar edhe godinën që do të shërbejë për krijimin e strehëzave për gratë e dhunuara, nëpërmjet rikonstruksionit që do të bëhet me ndihmën e PNUD-it. Kështu viktimat e dhunës do të mund të trajtohen në këto qendra deri në rehabilitimin e tyre", tha Duro. Gjatë punimeve të Konferencës, të gjithë referuesit pranuan se shoqëria shqiptare po përjeton një periudhë në të cilën vihet re një rritje e fenomenit të dhunës në të gjitha format e saj. "Dhuna ekonomike ndeshet më shumë në zonat urbane; ndërsa dhuna fizike është më e përhapur në zonat rurale", sqaruan specialistët. Sipas tyre në rritje është edhe ushtrimi i dhunës seksuale, që rezulton më pak e raportuar. Përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e Ligjit dhe Strategjisë pranuan se një koordinim më i mirë i të gjitha institucioneve qeveritare dhe joqeveritare është çelësi për sukses në parandalimin e këtij fenomeni.