E Hënë, 2 Nëntor 2026

Biznezi përtej demagogjisë

24/05/2005  Edhe pas rreth pesëmbëdhjetë vjetëve tranzicion dhe hapjeje ndaj botës, në sallat hoteleve më luksoze të Tiranës, ndonjëherë edhe nëpër rrethe, vazhdojnë të zhvillohen seminare teorike. Veçmas ato të fushës së ekonomisë dhe biznesit, po përsërisin vetveten, shpesh duke treguar si “ziehet rakia”. Ndërkohë, jemi në vitin 2005, janë nënshkruar tetë marrëveshje të Tregtisë së Lirë me vendet e rajonit dhe pretendohet të nënshkruhet një e tillë edhe me vendet e BE-së. Biznesi shqiptar, me gjithë vështirësitë që rrjedhin prej veprimit të termit të ashpër globalizim, me gjithë problematikën monopolistike dhe ngatërrimin nëpër këmbë vend e pa vend të politikës, nuk është ai i fillimit të viteve ’90; biznesi ka bërë mjaft përparime - sa për pak konkretizim, ai kërkon herë pas here ndryshimin e kuotave të eksportit. Shkurt, biznesi nuk është më një lojtar rezervë; në këtë sens, ai nuk i shpërfill as teoritë, as seminaret dhe ka ende nevojë për shkëmbim përvoje; por, gjithsesi, koha bën të tjera apele.

Zhvillimi i aktiviteteve me karakter teorik, ka vlerat e veta të pazëvendësueshme. Në përgjithësi, vlerësimi i informacionit, në dobi të zgjerimit të tregjeve dhe të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe ato të BE-së, është në qendër të debateve që shoqërojnë këto aktivitete; po ashtu, përdorimi i internetit, si burim kryesor të dhënash. Në fakt, logjistika që i shërben shkëmbimit të informacionit, vlerësohet si një pjesë e infrastrukturës së ngritur tashmë në kompanitë më të njohura shqiptare; falë saj, bëhet e mundur njohja më mirë dhe studimi i tregjeve, i kërkesave dhe ofertave. Por, ndërkaq, gjatë gjithë debateve dhe aktiviteteve - po i quajmë sërish teorike - po formulohet gjithnjë e më qartë ideja se etja për intensifikimin e partneritetit dhe të shkëmbimeve tregtare, (sidomos me vendet e Bashkimit Evropian), është një nevojë e domosdoshme, jetike për kompanitë shqiptare. Kemi patur kënaqësinë të vizitojmë dhe të përcjellim jo pa bujë e gati për çdo muaj, nga një ekspozitë apo panair. Por, në to, gjeografia e biznesit shqiptar është e kufizuar, më së shumti vetë kamerat e kolegëve tanë mbeten te pjesëmarrësit e huaj apo prodhimet e importit, që mbajnë vulën e monopoleve. Bëhet zhurmë e madhe për privatizimet strategjike, por sipërmarrja shqiptare, që aktualisht jep përmbi 75 për qind të prodhimit kombëtar bruto, duket thuajse e përjashtuar nga shanset për “lojën e madhe”. Nuk shkon që këtej të thërrasësh biznesmenët dhe të bësh seminare e teorira, dhe nga ana tjetër t’ua lësh në pjatë të huajve ta gjitha ndërmarrjet dhe shanset e mëdha.

Të gjithë e dimë se koha e seminareve për “zierjen e rakisë”, ka kaluar qyshkur. Biznesi shqiptar tashmë nuk është në fazën e emergjencës dhe të të kënaqurit me aktivitete modeste, individuale apo familjare. Biznesi shqiptar duhet inkurajuar të përballojë betejën me balancat e shfytyruara import-eksport. Me gjithë vështirësitë dhe pengesat - sidomos për sa i takon nxitjes së prodhimit vendas - kompanitë shqiptare, drejtuesit dhe menaxherët e tyre, tani nuk janë më të prirur thjesht për seminare teorike, dhe as për të ndjekur nëpër monitore statistika, ku shifrat zvarriten shumë ngadalë. Ata synojnë dhe kërkojnë aktivitete më praktike, investime serioze, shanse që të zgjerojnë hapësirat për më shumë tregti dhe bashkëpunim, me vendet e rajonit dhe të BE. Problemi është se kromin dhe bakrin shqiptar po e shfrytëzojnë dhe po e eksportojnë kompani të huaja. Problemi është se një pjesë e mirë e shoqërisë dhe e specialistëve shqiptarë, nuk bien dakord me një sërë privatizimesh apo dhëniesh me koncension të pasurive dhe bizneseve - deri më tani publike. Më së fundi, problemi është se Shqipëria duhet të dalë në rajon dhe më gjerë me prodhimet e veta tradicionale dhe të reja, me shërbimet e veta - midis të cilave, mundësitë për turizëm s’mund t’i lihen më në dorë rastësisë dhe kokëshkrepjes individuale, ndërto e prish aty, ndërto e prish këtu. Ka në rajon përvoja të tilla, si Sllovenia psh., që ka siguruar ritmikisht një turizëm elite, ku 11 përqind e pushuesve janë nga Gjermania, 10 për qind nga Italia, 9 për qind nga Austria, 4 për qind nga Britania e Madhe etj. Natyrisht, ne s’mund të matemi me hijen e mëngjesit, por në të njëjtën kohë, s’duhet të mbajmë sytë vetëm nga Kosova apo Maqedonia, pa le vijnë a s’vijnë pushues. Krahas aktiviteteve publicitare, ka ardhur koha të vihen pikat mbi “i” për shumë probleme të infrastrukturës, të pronësisë dhe të mungesës së investimeve, probleme që shoqërojnë prej kohësh zhvillimin e turizmit. Zvarritja e vendimeve dhe e projekteve, dalldisja e më të fortëve të politikës dhe komunarëve gjithfarë pas ngastrave më të mira të bregdetit, shndërrimi i debatit me ish-pronarët në një lojë krushkash, të gjitha këto po vonojnë frikshëm shfrytëzimin e resurseve që natyra i ka dhënë njëherë e mirë dhe me tepri. Prapambetja infrastrukturore - shpesh kemi ende lajme për ndërrim transfomatorësh e për bote me ujë - i bën edhe më emergjente apelet që formulon koha në kapërcyell të tranzicionit.

Një sërë institucionesh që shkrihen pastaj rindërtohen - emërtimet e tyre janë nga më të ndryshmet, por thelbi është nxitja e investimeve të huaja dhe eksportit - nuk duket se po japin kontributin e duhur për zhvillimin e biznesit dhe të eksporteve shqiptare. Bëhen disa fletëpalosje të bukura, me ngjyra, nisen ca zyrtarë për në ndonjë ekspozitë diku në rajon - me ca shishe vere a rakie me vete - shpenzohen një dorë e mirë parash për udhëtime e dieta, por po të pyesësh a është lidhur ndonjë kontratë, a është çelur ndonjë dritare për prodhimet vendase, s’dinë ç’të thonë. Në disa ambasada - që ta themi butë fare - as që e kanë idenë se ç’kërkon biznesi. Institucionet dhe shoqatat, diplomacia, vetë administrata qeverisëse, ende nuk po kuptojnë se ekonomia dhe biznesi duhet të përballen sot me të tjera kuota dhe filmimet e sallave ku bëhet ende teori, ngjajnë si propagandë e rëndomtë. Për fat të keq, edhe në show-n elektoral që po përjetojmë, kjo problematikë ose harrohet, ose përdoret rrallë e për mall.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›