E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në tetor hapim dyert për universitetet

24/05/2005  Koalicioni i djathtë prezanton nënkryetarin e PD-së, Bamir Topi, në zonën 31 Tiranë

Zgfrid Helies: Siç fituam ne në Gjermani, ashtu do të fitojë dhe PD-ja në Shqipëri

Partia Demokratike ka prezantuar dje kandidatin për deputet në zonën 31 në Tiranë, nënkryetarin e partisë, Bamir Topi. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati ka premtuar hapjen e dyerve të universiteteve për maturantët e këtij viti, në rast se PD fiton zgjedhjet. Veç liderit demokrat, Berisha, në prezantimin e djeshëm merrnin pjesë dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane, BG&R, Lenny Grifith, anëtari i Bundesdtagut gjerman, Zgfrid Helies, si dhe krerët e partive aleate, Fatmir Mediu i PR-së, Genc Pollo i PDR-së, si dhe Arjan Starova i PBL-së, të cilët i bënë thirrje elektoratit të PD që votat për listën shumemërore t’ia jepnin partive të tyre. Kandidati i PD në zonën 31, Bamor Topi, u shpreh i sigurt për fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme. Nënkryetari i PD-së u shpreh se kandidon në një zonë, e cila edhe katër vjet më parë e dha votën e saj për kandidatin e opozitës. “Kjo zonë dhe qyteti ynë i përbashkët ësshtë vendi ku kanë filluar lëvizjet e mëdha politike. Ashtu si dhe në lëvizjet e tjera demokratike do të sjellim ndryshimin për banorët e Tiranës. Zona 31, ashtu si dhe zona të tjera të Tiranës, ka nevojë për shkolla, për kopshte, për rrugë. Pra, misioni ynë dhe i të gjithëve është që të ndryshojmë këtë realitet. Së bashku me ju ne do japim mesazhin e fitores”, tha Topi. Në takimin e djeshëm e mori fjalën dhe anëtari i Bundestagut gjerman, përfaqësues i partisë konservatore gjermane CDU, Zigfrit Helies, i cili u shpreh i sigurt për fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme. “Siç edhe ne fituam në Gjermani, ashtu do të fitojë dhe PD-ja e Berishës në Shqipëri. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë partinë e zotit Berisha”, tha Helies.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij e cilësoi Bamir Topin si një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt në qeverisjen opozitës, në rast se kjo e fundit fiton zgjedhjet. Lideri demokrat përsëriti sërish premtimet e PD për punësimin e shqiptarëve, uljen e taksave, hapjen e dyerve të universiteteve, duke nisur që nga tetori i këtij vit, dyfishimin e pagave dhe pensioneve etj. “Dua të theksoj se vota për Bamir Topin dhe Partinë Demokratike është vota për ndryshimin e këtij realiteti. Ne do të luftojmë pa asnjë kompromis korrupsionin dhe do të punojmë për vendosjen e shtetit ligjor. Arsimi do të jetë një ndër zërat e parë në buxhetin e qeverisë së ardhshme, internet në çdo klasë dhe dyfishim rrogash për mësuesit. Ju jap fjalën se që në tetorin e këtij viti dyert e universiteteve do të jenë të hapura për të gjithë maturantët që mbarojnë vitin e katërt, me qëllim që shansi i shkollimit t’u jepet të gjithëve", tha Berisha. Gjatë fjalës së tij, kreu demokrat u kërkoi zgjedhësve të votojnë në listën shumemërore për partitë aleate të PD, si kundërpërgjigje ndaj së majtës, e cila synon që të marrë votat proporcionalit në listën shumemërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›