E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mediu: LZHK nuk i duhet kujt

24/05/2005  Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka sulmuar dje Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, e cila, sipas tij, po bashkëpunon me Kryeministrin Nano për të ndarë votat e së djathtës. Mediu bëri thirrje elektoratit demokrat të votojnë kandidaturën e Bamir Topit në mazhoritar, ndërsa vota e proporcionalit të shkojë për partitë aleate të PD-së. Kryetari i PR-së, tha se e djathta nuk duhet ngatërruar me LZHK e Leka Zogut. “Kujt i duhen lëvizje si LZHK. Nuk besoj se ka ndonjë njeri në këtë sallë që beson se kjo lëvizje do të marrë qoftë dhe një deputet në mazhoritar. Atëherë kjo lëvizje nuk bën gjë tjetër vetëm se tenton të ndajë votat e të djathtës, duke bërë në këtë mënyrë lojën e Fatos Nanos”, tha Mediu. Të njëjtën thirrje për votat e proporcionalit ka përsëritur dhe kryetari i PDR-së, Genc Pollo. Sipas tij, duhen harruar mosmarrëveshjet që partia e tij ka pasur me PD-në dhe duhet punuar për qëllimin e përbashkët. “Mosmarrëveshje kemi dhe brenda në familje, por, kur na bashkon një qëllim i përbashkët, ato zgjidhen. Nano e di fare mirë se PD është fituese e zgjedhjeve dhe nuk do të marrë deputetë nga lista e proporcionalit. Unë ju bëj thirrje që në këtë listë të votoni për kandidatin e PDR-së dhe të partive të tjera aleate”, tha Pollo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›