E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analistët kritikojnë KQZ-në: Po zvarrit numërimin



Analistët kosovarë për çështje politike në Prishtinë gjatë ditës së djeshme kanë kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për shkak të zvarritjes së nxjerrjes së rezultatit preliminar të votimeve si dhe qartësi më të madhe sa i përket ecurisë së procesit zgjedhor në komuna. Analisti Dardan Gashi mendon se aktivitetet e KQZ-së në këtë drejtim dhe pritja e shkaktuar krijojnë pasiguri te qytetarët dhe partitë politike, si dhe, siç shprehet ai, lënë hapësirë për dyshime për manipulime gjatë procesit të numërimit të votave. “Mendoj se është për kritikë të madhe. Mendoj se është prapë një skandal, i dyti apo i treti me radhë i KQZ-së këto ditë. Kjo, përveçse është e pahijshme, shton edhe frikën për manipulime, shton edhe pasigurinë te votuesit dhe partitë politike. Kjo është diçka për kritikë masive”,- thotë Gashi. Ndërkohë, analisti Bardh Hamzaj nuk dëshiron t’i paragjykojë arsyet në lidhje me zvarritjet e KQZ-së sa i përket publikimit të rezultateve preliminare, por shprehet i habitur në lidhje me këtë çështje. “Është befasi, sepse ne dimë që KQZ-ja në këtë proces nuk ka qenë vetëm. E dimë që ka ekzistuar një ide për bashkëpunim me IFES-in, të jepen këto rezultate përmes sms-ve, dy orë, e më së shumti tri orë pas mbylljes së vendvotimeve”.

17 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›