E Shtunë, 31 Tetor 2026

U prishën për pare

Nazim Bllaca pranoi se shkak i prishjes me Fahredin Gashin, ishin paratë. Bllaca në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, që veten e quan anëtar të SHIK’ut dhe që ka vrarë njerëz, thotë se i akuzuari i njohur edhe si “Faruku”, nuk ia ka kthyer borxhin prej më shumë se 150 mijë eurove. Nga Nexhmije Ahmeti më 13 prill 2011 në ora 09:24

Nazim Bllaca nuk ka parë asgjë derisa ka hyrë në sallën e gjykatës. Policia e EULEX-it, të martën, janë kujdesur që atij as fytyra mos t’i duket. Përveç rrobave që i kishte të gjitha antiplumb, në kokën e tij i është vënë një helmetë e hekurt. Pas dhjetë ditësh, Bllaca ka dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues në rastin e Fahredin Gashit dhe Hysri Ramës.

Ai për orë të tëra është përgjigjur në pyetjet e prokurorit Mauricio Salustro. Prokurori italian është fokusuar te prishja e marrëdhënieve në mes tij dhe të akuzuarit Fahredin Gashi, të cilin Bllaca e konsideron “shok të mirë”. Deri në vitin 2006, sipas Bllacës, ata ishin shokë të ngushtë dhe tërë biznesin e bënin bashkë. Por i akuzuari Fahredin Gashi kërkoi që Bllaca të mos e quajë atë më shok. “E ndjej veten të fyer të më quajë shok”, tha i akuzuari Gashi.

Bllaca ka vazhduar dëshminë e tij duke treguar se bashkë me Fahredinin kanë bërë biznes në shitblerje të pronave dhe ky ka qenë njeriu i tij më i besueshëm. E, marrëdhëniet ndërmjet dy “shokëve të mirë”, filluan të prishen në vitin 2006. Shkaku kryesor ishte një borxh që Bllaca pretendon se Fahredin Gashi ia kishte atij. Bllaca ka treguar se ia kishte shitur një pronë Fahredin Gashit me një çmim prej 150 mijë eurosh. Por atë borxh ai s’ia kishte kthyer kurrë, duke i thënë se Bllaca i kishte borxh atij, pasi nuk i kishte paguar kamatat nga paratë e marra borxh nga Fahredini.

Pas kësaj kohe, lidhja e tyre shoqërore ishte tensionuar dhe për ta menaxhuar situatën ishte kërkuar ndërmjetësimi i dikujt. E, Bllaca thotë se si ndërmjetësues kishin gjetur Shpresim Ukën, person ky që Bllaca e quajti shef të tij. Në një takim që ishte organizuar te QMI-ja, ishte paraparë që Shpresim Uka t’ia jepte 50 mijë euro Bllacës, në mënyrë që të zgjidhej problemi. Por në takim kishte ndodhur incidenti në mes tij dhe Shpresim Ukës.

Por, pasi që kishin ndërhyrë qytetarët e pranishëm, situata u qetësua. Pas këtij takimi, Nazim Bllaca thotë se ka kërkuar që të takohet me Azem Sylën, të cilin edhe këtë e quan “shef”. E ka takuar në maj të vitit 2007, në restorantin “Ana Benz”. Prioritet i takimit ka qenë problemi që kishte me Fahredinin si dhe siç thotë Bllaca, për të folur rreth rasteve që ai i kishte vizatuar në një skicë që Bllaca thotë se i kanë kryer si grup i SHIK-ut.
“Pasi që kemi biseduar për borxhin që më kishte Gashi, Azemit ia kam qitë në tavolinë një skicë. Aty ishin të gjitha veprat penale, krimet që ne i kemi bërë”, tha Bllaca.

Në skicë ai tha se i ka evidentuar vrasjen e Sali Gashit në Varigovc, të Adem Lahit në Kraishtë, vrasjen e Ibush Kllokoqit, atentatin ndaj Adem Salihajt, Ismet Arifit, Agim Veliut, Ejup Visokës, Ajet Istogut, vrasjen e Selim Broshës si dhe është përmendur edhe Ali Sadria. “Azemi më ka thënë: Vrasjen në Varigovc lajmëroje lirisht, ndërsa për këto të tjerat mos fol. Paret do t’i japim”, citon bisedën e tij me Azem Sylën.

Por Bllaca thotë se nuk u ka besuar këtyre premtimeve dhe ka filluar që të kontaktojë me organet e rendit, Policinë e Kosovës dhe KFOR-in finlandez. Bllaca tha se e ka dhënë një deklaratë në korrik të vitit 2007, në shtëpinë e tij kanë shkuar shokët e tij, ku i kanë thënë vëllezërve dhe babait të tij: “Në rast se djali juaj i qet krimet e kryera gjatë luftës, ne nuk do të ju lamë kurrë rehat”, tregon Bllaca. Pas kësaj, thotë se iu ka dërguar SMS Azem Sylës dhe Fahredin Gashit duke iu thënë se vrasjet do t’i raportojë në polici.

Pas kësaj kohe, ai thotë se ka ikur nga Kosova, sepse nuk i ka besuar UNMIK-ut. Gjatë kësaj kohe, ai thotë të jetë shoqëruar tërë kohën me Hysri Ramën. Në këtë moment, reagon Hysri Rama “Pse s’po tregon herën e parë kur je taku me mua. Çka ke kërku. Kthehu nga unë kur fol. Ka nejtë më herët ky me mua”. Por Bllacës nuk i kanë bërë përshtypje shumë këto reagime dhe ka vazhduar të dëshmojë se si ishte përgatitur vrasja e tij.

Pasi ishte kthyer në Kosovë, Bllaca tregon se është takuar me Gani Gecin, ish-deputet. Ai tha se e kishte zgjedhur atë t’i tregonte, sepse ishte shef i Komisionit parlamentar për inteligjencë dhe i besonte atij. Bashkë me të kishin shkuar për t’u takuar me Adem Salihajn. Ai i kishte sugjeruar që të gjitha ato që i kishte treguar t’i incizonte në një CD. Nazim Bllaca do të dëshmojë edhe sot, ku do të merret në pyetje nga pala mbrojtëse.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›