E Diel, 1 Nëntor 2026

Bjork jashtë festivalit serb

Këngëtarja u shpreh pro pavarësisë së Kosovës

Reagimi i ashpër i Beogradit ndaj kujtdo që përkrah pavarësinë e Kosovës, nuk ka lënë jashtë edhe botën e artit. Ylli islandez i muzikës, Bjork, është përjashtuar nga pjesëmarrja në një festival në Serbi, pasi u shpreh pro pavarësisë së Kosovës gjatë një koncerti të mëparshëm në Japoni. Këngëtarja ishte planifikuar të merrte pjesë në një festival në Novi Sad të Serbisë në muajin korrik, por organizatorët anuluan pjesëmarrjen e saj, menjëherë pasi Bjork i dedikoi njërën prej këngëve të saj të quajtur “Shpall Pavarësinë”, shtetit të ri ballkanik, Kosovës, gjatë një spektakli në Tokio. Lajmi u bë publik nga agjencia “Movie & Entertainment News”, pjesë e rrjetit botëror të argëtimit. Edhe pse drejtuesit e festivalit deklaruan publikisht se pjesëmarrja e këngëtares islandeze u bë për shkaqe sigurie, Bjork ka deklaruar se ishin pikërisht komentet e saj, arsyeja që ata vendosën të anulojnë performancën e saj. “Mbase një serb mori pjesë në koncertin tim dhe sapo unë thashë ato fjalë, ai mori rrugën dhe shkoi i tregoi. Ndaj dhe koncerti në Novi Sad u anulua”, - ka thënë këngëtarja. Në 17 shkurt, liderët shqiptarë të Kosovës shpallën pavarësinë nga Serbia, dhe shteti i ri mori njohje të gjerë mbarëkombëtare. Por Beogradi refuzon të njohë shtetin e ri, duke nxitur dhunë dhe tension për të mos lejuar Kosovën të vazhdojë drejt së ardhmes së saj.   Ambasadë për Kosovën në Maqedoni Edhe pse Maqedonia nuk ka marrë ende vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, shqiptarët atje kanë bërë një hap përpara drejt këtij vendimi. Kryetari i minibashkisë së Çairit, një prej zonave me popullsi të madhe shqiptare në kryeqytetin maqedonas, Shkup, ka ofruar gjysmën e ndërtesës së këshillit lokal që të shërbejë si ambasadë e Kosovës. “Jemi të përgatitur të ndihmojmë shtetin e ri të sapoformuar me solidaritet”, - tha kryetari i bashkisë, Izet Mexhiti, i cili shtoi se duhet ende ta bisedojë këtë ide me autoritetet e Kosovës së pavarur. Ai nuk mendon të jetë problem fakti që ndërtesa e sapopërfunduar është dhuruar nga Bashkimi Evropian. Mexhiti mendon se bashkia ka të drejtë të menaxhojë ndërtesat e saj. Presidenti i Unionit Kombëtar të Bashkive, Andrej Petrov, tha dje për të përditshmen “Dnevnik”, se nga pikëpamja ligjore nuk ekziston asnjë pengesë, por parimisht, kryetari i Bashkisë së Çairit duhet të konsultohet së pari me donatorët. Megjithatë, gazeta shkruan se kjo përpjekje mund të çojë në një çështje ligjore, pasi toka ku ndodhet ndërtesa e bashkisë është pronë e shtetit. Deri tani qeveria ka qëndruar e heshtur lidhur me propozimin e Mexhitit. Po një ditë më parë, pas një takimi në Bruksel me shefin e diplomacisë evropiane, Havier Solana, presidenti maqedonas Branko Cervenkovski bëri të qartë qëndrimin asnjanës të Shkupit lidhur me njohjen e shtetit të ri të Kosovës. “Maqedonia është shtet fqinj edhe i Kosovës, edhe i Serbisë dhe interes i ynë kombëtar dhe shtetëror është të ndërtojmë marrëdhënie të mira edhe me Prishtinën, edhe me Beogradin. Politika e jonë do të shkojë në këtë drejtim. Maqedonia si edhe deri tani, edhe më tej, do të ndërtojë politikë të suksesshme dhe të mirë fqinjësore”, theksoi  Cervenkovski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›