E Diel, 1 Nëntor 2026

Vë kufi

Qeveria përcakton nivelin e pagesës minimale 16 000 lekë. Rritja me 2100 lekë

Duke filluar nga 1 janar 2008, paga minimale për sektorin privat do të jetë 16 000 mijë lekë. Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për rritjen në masën 15 për qind të pagës minimale, apo e thënë ndryshe, në vlerën e 2100 lekëve. Pra, kjo do të thotë që të gjitha kategoritë që nuk janë përfshirë në pagat minimale sipas profesioneve, do të tatohen mbi këtë shumë. Qeveria nga ana tjetër ka rritur me të njëjtën përqindje edhe ndihmën sociale dhe pagesat për invalidët. Sipas vendimit të fundit, ndihma sociale rritet me rreth 7400 lekë të vjetra më shumë. Pra, të gjithë sipas sektorëve të ekonomisë dhe sipas vendimit të miratuar sot, është i detyrueshëm zbatimi i pagës minimale nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, në masën e 16 000 lekëve në muaj, nga 14 000 lekë në muaj që është aktualisht. Paga bazë minimale prej 16 000 lekësh në muaj është më e madhe se minimumi jetik për një të punësuar, pra me këtë rritje edhe paga e punonjësve që punojnë në punët më të thjeshta dhe janë fillestar në punë është mbi minimumin jetik për një të punësuar. Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë etj., të cilat shkojnë mesatarisht 60 për qind mbi pagën bazë për punonjësit mbështetës të institucioneve të varësisë dhe 43 për qind mbi pagën bazë për punonjësit mbështetës të institucioneve qendrore. Duke llogaritur këto shtesa, paga minimale në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 24 000 lekë në muaj. Është parashikuar edhe paga orare në masën 92 lekë, me qëllim që të mbrohen më mirë punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme ose jashtë kohës normale të punës. Në sektorin buxhetor paguhen me pagë minimale 6 700 punonjës, ose rreth 6 për qind e punonjësve buxhetorë dhe rritja e pagës minimale në masën e 16 000 lekëve për këtë kategori ka filluar që në 1 korrik 2007, ndërkohë që me miratimin e vendimit të sotëm për sektorin privat rritja fillon nga 1 janari 2008. Në sektorin publik dhe veçanërisht në atë buxhetor, caktimi i pagës minimale ka ndikim në sistemin e pagave, por me vendosjen e sistemit të pagave sipas strukturës së shërbimit civil për të gjithë administratën publike, është ulur ndjeshëm ndikimi që ka rritja e pagës minimale në nivelet e tjera të pagave, duke krijuar fleksibilitet më të madh në përcaktimin e pagës minimale. Rritet asistenca Pagesa e papunësisë do të rritet me 14.2 për qind apo rreth 7400 lekë të vjetra. Rritja e pagesës së papunësisë është miratuar nga qeveria në mbledhjen e saj të djeshme, nga ku përfitues janë 10 mijë të papunë. Aktualisht pagesa e papunësisë përfaqëson një nivel bazë të barabartë me 5240 lekë në muaj për çdo përfitues. Mbi këtë vlerë bazë llogariten edhe disa shtesa të lidhura me numrin e personave në ngarkim, kompensimin për ushqim dhe energji elektrike etj., të përcaktuara me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave. Rritja me 14.2 për qind do ta çojë pagesën bazë të papunësisë në 5980 lekë në muaj, plus kompensimet që i jepen çdo përfituesi, përfitimi mesatar shkon në rreth 8000 lekë në muaj. Efekti financiar gjatë vitit 2008 do të jetë rreth 90 milionë lekë, i cili do të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›