Vangjel Dule fajëson PD-PS
Bashkëpunimi i mbyllur për reformën zgjedhore
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut këmbëngul se Partia Demokratike, aleate e së cilës është në bashkëqeverisjen e vendit dhe ajo Socialiste, ish-aleate para zgjedhjeve të 2005-ës, po bashkëpunojnë fshehurazi, në funksion të reformës zgjedhore. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka deklaruar dje, se bashkëpunimi i mbyllur PD-PS për reformën zgjedhore do të kishte ndikime negative në proceset integruese të vendit. Gjatë një konference për shtyp, kryetari i PBDNJ-së iu bashkua shqetësimit të partive të vogla parlamentare për reformën zgjedhore dhe akuzat e tyre për bashkëpunim të njëanshëm PD-PS. “Ky proces në radhë të parë duhet të ketë mirëkuptim, maturi dhe konsensus, në mënyrë që forcat politike të kapërcejnë barrierat, të cilat kanë bërë që çdo proces zgjedhor të jetë, herë më shumë e herë më pak, i kontestueshëm në vend”, tha ai. Duke reaguar ndaj qëndrimeve të fundit të partive të vogla lidhur me reformimin e ligjit zgjedhor, Dule tha se “një bashkëpunim i mbyllur PD-PS, duke injoruar vullnetet e forcave të tjera politike, sidoqoftë është një mekanizëm në demokraci i parefuzueshëm”. “Por me qëllim që të kemi një normalitet politiko-elektoral në vendin tonë, ajo do të ishte një “nonsens”, që do të sillte çrregullime afatmesme dhe, pse jo, edhe afatgjata. Kjo do të ndikonte negativisht në fatet integruese të vendit tonë, nëse në mënyrë të njëanshme PD-ja e PS-ja do t’i imponoheshin Parlamentit dhe elektoratit për zgjedhjet politike të radhës”, deklaroi Dule