E Diel, 1 Nëntor 2026

Më vjen keq

Bashkim Fino - Flet ish-kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Marrëdhëniet Rama-Meta dhe si nuk e votoi shokun e tij Arben Malaj për kryeministër. Fino argumenton se forca fituese e zgjedhjeve cakton kryetarin e qeverisë.

Rama bëhet kryeministër “Problemi mbetet tek LSI-ja”, - deklaron Bashkim Fino, referuar përngjashmërisë mes vitit 2005 dhe asaj që mund të ndodhë në 2009-ën. Por, sipas tij, ndërsa në 2005-ën edhe mund të tolerohej sjellja e LSI-së, në kushtet aktuale qëndrimi do të ishte absurd. Në një intervistë për “Korrierin”, pas një kohe të gjatë heshtjeje jashtë Komisionit të Ligjeve, Fino komenton largimin e LSI-së nga koalicioni. “Mund të jetë një çështje tamam personale, në sensin për një qeverisje të ardhshme sesi do të jetë. Do të jetë Edi Rama apo Meta kryeministër? Personalisht, si në çdo vend të botës, më vjen keq ta pranoj, por forca politike që fiton, ka të drejtë të ketë kryeministrin e ardhshëm”, - thekson Fino. Ai shton që, nëse LSI-ja do të ishte forca e parë, atëherë do të ishte absurde që socialistët të kërkonin kryeministrin. Sipas tij, nëse Rama merr mbështetje për programin e ri qeverisës, zbatimin e tij nuk mund ta bëjë Meta. Në krahun tjetër, Fino i kujton Metës vitin 2001, kur Malaj kërkoi të bëhej kryeministër, ndërsa Ilir Meta kishte drejtuar fushatën, kur thotë: “Isha një nga mbështetësit e kryeministrit Meta, pavarësisht se miku im, Malaj, ishte shoku im i klasës dhe i universitetit dhe ia thashë aty që “kjo punë nuk mund të ndodhë kështu, sepse vërtet ky është kryeministër dhe ky e bëri fushatën për të fituar këto zgjedhje”. Bisedoi: Ilir Saqellari-Në këndvështrimin tuaj, si po ecin dy reformat e domosdoshme për të marrë ftesën e integrimit në NATO?“Duhet kuptuar që këto dy reforma janë shumë të domosdoshme, që janë kërkuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, dhe mazhoranca e opozita kanë shprehur gatishmërinë për t’i realizuar këto reforma, në fund të fundit për shqiptarët. Diçka është bërë, le të themi diçka, sepse kemi bërë ligjin organik të gjyqësorit, një ligj që u miratua me pëlqimin e të dyja palëve kryesore, PS-së dhe PD-së, një ligj ndër më të mirët që e kanë parë edhe ekspertët. Parlamenti ngriti edhe një nënkomision që do të merret me reformën në drejtësi. Një pjesë e kolegëve të mi në Komisionin e Ligjeve, që janë ekspertë dhe juristë, janë marrë me të. Kjo është një gjë e mirë, sepse është një komision më i specializuar, i cili do të paraqesë shumë shpejt një pakt. Por ajo që vlen të theksohet, është që PS-ja ndodhet një hap para në këtë drejtim, sepse e ka thënë prej kohësh paktin e drejtësisë. Kemi organizuar edhe një tryezë të përbashkët me fondacionin “Qemal Stafa” për këtë pakt, duke marrë mendimet e intelektualëve dhe juristëve të shquar jashtë politikës. Deputetët tanë, zoti Xhafaj, Isaraj apo Dervishi, janë të mirinfromuar dhe do të japin një ndihmesë të jashtëzakonshme në këtë komision. Për sa i përket reformës zgjedhore, është një çështje në diskutim, një çështje që diskutohet në parim edhe korridoreve sesi do të jetë sistemi zgjedhor etj. Natyrisht që ka një komision, i cili ende nuk e ka dhënë si të thuash draftin përfundimtar. Mendoj që kjo është një çështje për të cilën forcat politike duhet të japin sa më shpejt konsensusin dhe ta miratojnë. Unë mendoj se jemi shumë vonë. Jemi në fund të shkurtit 2008 e duhet të kemi parasysh që në pranverë të 2009-ës kemi zgjedhjet e përgjithshme, ndaj ligji duhet të dalë sa më shpejt. Përveç ligjit, duhet pastaj edhe akte të tjera nënligjore, të cilat i shërbejnë infrastrukturës zgjedhore, që janë shumë të domosdoshme, qoftë kartat e identitetit etj. Nuk është problemi vetëm tek sistemi sesi do të jetë: proporcional rajonal, mazhoritar apo do të jetë spanjoll, gjerman a grek. Kjo është një çështje që zgjidhet edhe për një javë, nëse forcat bien dakord dhe votohet. Problemi këtu duhet të trajtohet që, përveç kësaj dhe kjo është kryesore, mendoj që infrastruktura e zgjedhjeve është më e rëndësishme në raport me këto të tjerat. Lista e zgjedhësve, kartat e identitetit, numërimi i votave etj., janë probleme që ne i kemi vuajtur gjatë gjithë këtyre viteve. Por duhet që edhe reforma zgjedhore të ecë, le të themi me atë ritëm që ka qenë reforma në drejtësi, e cila ka qenë pak më përpara”.-Le të flasim pak për një tjetër zhvillim të rëndësishëm politik. Është largimi i LSI-së nga koalicioni i majtë, madje duke bërë thirrje për afrimin drejt një koalicioni tjetër, ndërkohë që ka edhe batuta të tilla që e cilësojnë si Koalicioni “Çarja për integrim”. Në gjykimin tuaj, çfarë pasojash sjell ky largim i LSI-së?“Natyrisht që LSI-ja është një formacion politik i dalë nga PS-ja, një formacion politik me spektër të majtë apo edhe të qendrës, ose më saktë paksa të qendrës, natyrisht me program shumë të afërt me atë të PS-së. Mendoj se është një nxitim nga ana e lidershipit të LSI-së. Nxitim në kuptimin kur thotë që “unë nuk kam gjë me PS-në, por e kam me lidershipin, e kam me Edi Ramën”. Kjo do të thotë që është personale, pastaj dhe problemet personale të lidershipit nuk mund të jenë në kurriz të masës së gjerë dhe të marrëdhënieve që kanë këto dy parti, që janë simotra le të themi, sepse janë çështje të tyre personale dhe jo çështje të mbarë socialistëve apo anëtarëve të LSI-së. Nga kjo pikëpamje janë çështje që duhet t’i zgjidhin ata. Mendoj që është një qëndrim i nxituar do të thosha. Mund të qetësohen dhe të gjykojnë që kjo është e nxituar. Aq më tepër kur kemi diskutuar tashmë për reformën, por kam përshtypjen që mbase kjo nuk është thjesht çështje reforme, d.m.th do të jetë proporcional apo s’do të jetë proporcional. Mund të jetë një çështje tamam personale, në kuptimin për një qeverisje të ardhshme sesi do të jetë. Do të jetë Edi Rama apo Meta kryeministër? Personalisht, si në çdo vend të botës, më vjen keq ta pranoj, por forca politike që fiton, ka të drejtë të ketë kryeministrin e ardhshëm. Është çështje tjetër nëse lidershipi i PS-së do të kërkonte të mos ta merrte këtë rol, por mund të kishte socialistë të tjerë, pasi PS-ja është forca e parë, gjithmonë duke paragjykuar me zgjedhjet që janë bërë. Nga kjo pikëpamje, mendoj që forca e parë që fiton, asaj i takon të ketë kryeministrin dhe kjo është një çështje për t’u verifikuar në praktikën në terren. Nëse LSI-ja fiton, do të ishte absurditet që ne të kërkonim kryeministrin. Nëse PS-ja fiton, merr më shumë vota nga LSI-ja dhe bashkë me LSI-në bën qeverinë, është absurde që LSI-ja të kërkojë kryeministrin, ndërkohë që ne kemi fituar më shumë vende. Nga kjo pikëpamje, mua kjo më ngjan pak me atë periudhën e vitit 2001, kur Meta qe anëtar i PS-së, qe kryeministër i PS-së dhe bëri një fushatë shumë të fortë si kryeministër i socialistëve, duke shkuar në gjithë territorin e Shqipërisë për të kërkuar votat, dhe që i dha fitoren PS-së në 2001-shin. Erdhi me programe shumë të rëndësishme që ai kishte si kryeministër dhe dy muaj më vonë, miku im, Malaj, kërkonte në një mbledhje të KPD-së të votohej si kryeministër. Dhe fakti që pjesa dërmuese e KPD-së i dha vota maksimale Metës, kishte një logjikë, kishte një ide se ky ishte kryeministër, ky doli në fushatë e ky do të ishte kryeministër. Më lejoni të them tani, që Rama dhe PS-ja, të gjithë ne, kemi dalë dhe po bëjmë një fushatë “Dialogu me Shqipërinë”, duke zbërthyer çdo program të jetës, duke filluar nga mjedisi, bujqësia, shëndetësia e të tjera me radhë. Dhe këtë ne e ndërmarrim, që të bëjmë një program sa më realist e sa më pranë njerëzve. Atëherë, më thoni: këtë program për të cilin unë marr miratimin e njerëzve, si mund që atë, programin tim, ta zbatojë Ilir Meta, që në rastin konkret mund të jetë kryeministri i ardhshëm?! Mendoj që këto çështje personale janë çështje të tyre dhe nuk mund të ngatërrohen me ato mes partive politike. Dhashë shembullin e Malajt dhe të Metës, që në atë kohë që i mbështetëm të gjithë. Unë isha një nga mbështetësit e kryeministrit Meta, pavarësisht se miku im Malaj ishte shoku im i klasës dhe i universitetit, dhe ia thashë aty që “kjo punë nuk mund të ndodhë kështu, sepse vërtet ky është kryeministër dhe ky e bëri fushatën për të fituar këto zgjedhje”. Edhe në rastin konkret, pa paragjykuar, unë shpresoj që PS-ja të fitojë dhe të jetë forca e parë politike. Mendoj që lidershipit të PS-së i takon të jetë kryeministër. Nuk mund të mendoj që forca ime politike të mos fitojë në zgjedhjet e ardhshme”. -Në fakt ka një koincidencë, që sipas shumë deklaratave nuk është thjesht e tillë. Largimi i Metës vjen vetëm dy ditë pasi Rama deklaronte se mund ta bëjë punën e kryeministrit...“Hapja e diskutimit tani se kush, qysh dhe tek do të jetë kryeministër, mua më duket e parakohshme. E parakohshme për sa kohë që është një çështje shumë minore në raport me çështjen kryesore që ne kemi, atë të bërjes së programit, të thithjes së njerëzve që janë indiferentë të vijnë në votime e të votojnë për ne; të fitojë e majta e natyrisht që këtë të majtë shqiptare ta drejtojë PS-ja. Të gjitha të tjerat që vijnë pas, janë procese pas fitores. Mund të ulesh në tryeza për të bërë një qeveri sa më të përshtatshme, që të trajtosh e të miratosh ato programe që ti ke trajtuar me njerëzit gjatë gjithë kësaj kohe që po bën fushatë elektorale. Nga kjo pikëpamje, Rama nuk ka thënë asgjë më tepër në fund të fundit, nëse e ka thënë një fjali të tillë, sepse është kryetari i partisë opozitare më të madhe, kryetar i cili ka filluar një fushatë tashmë në të gjithë Shqipërinë, në funksion të zgjedhjeve të 2009-ës. Ne tani nuk shkojmë t’i marrim votën njerëzve, por shkojmë t’i marrim një mendimin sesi mund të bëjmë një program të të gjitha kushteve të jetës. Dhe më vonë, këtë program që do ta kemi të definuar edhe me specialistë të huaj, edhe me specialistët tanë socialistë, do ta vëmë tek elektorati e do themi që: “Ky është programi ynë dhe për t’u përkrahur, ne mendojmë të na jepni votat, sepse jemi më të mirët nga çdo forcë tjetër politike”. Dhe kjo më duket se është logjike dhe në këtë kontekst, Rama duhet ta ketë thënë çështjen që: “Fare mirë për këtë program që unë punoj, kam të drejtë që ta drejtoj dhe ta zbatoj atë program që unë kam marrë nga mendimet e “Dialogut me Shqipërinë”.-Po citoj zotin Gjinushi, që thotë se LSI-ja shpesh ka devijuar; shkaktoi humbjen në 2005-ën, pikërisht për shkak të kryeministrit, çka do të rrezikonte sërish një përplasje në 2009-ën dhe do ta linte sërish të majtën në opozitë...“Tani, më lejoni të them një gjë, që në 2005-ën qe më komplekse. Atëherë ishin ca probleme të tjera. Nuk qe në skenë Rama. Qe kryeministër Nano dhe e drejtonte ai të majtën dhe PS-në. Meta doli dhe nuk donte të bënte koalicion me PS-në, dhe kjo qe edhe njëra nga arsyet që humbi, sepse në fund të fundit, elektorati qe më shumë i majtë, sepse ti ke Xhuvelin që e kanë votuar të majtën e që është në qeverinë e djathtë. Kemi një përngjashmëri dhe Gjinushi këtu ka një të drejtë kur thotë se ka një përngjashmëri të kohës së 2005-ës me 2009-ën. Që do të thotë: “Problemi është LSI-ja”. Që do të thotë: “Në të dy rastet emëruesi i përbashkët ka qenë ai”. Le të themi që i japim një të drejtë në 2005-ën, që ai nuk mund të bashkëpunonte Fatos Nanon dhe PS-në e asaj kohe, 8 vjet në pushtet e ndoshta edhe PS-së do t’i bënte mirë opozita. Por sot që ne kemi një vizion të ri dhe po punojmë fort për të ardhur në pushtet, edhe për shkak të gabimeve të shumta të njëpasnjëshme që bën qeveria e sotme, e cila nuk mbajti asnjë nga premtimet që ajo ka bërë, mendoj që është një handikap i madh dhe është një luks i madh që ne t’i krijojmë PD-së një përçarje të së majtës në këto momente, kur më shumë se kurrë jemi më afër pushtetit”.Por ka një deklaratë, që “pranojmë në koalicion të gjithë të majtët, edhe socialistët, përjashto Edi Ramën”, që sipas LSI-së, përfaqëson politikën e vjetër të pazareve PD-PS...“Ndaj ju thashë që këto deklarata e kanë kthyer luftën në personale mes dy njerëzve. Çfarë do të thotë kjo: “Hajdeni të gjithë tek unë, të bashkohemi në një koalicion të majtë, por vetëm Edi Rama të mos vijë?!” Unë nuk kuptoj këtë, kur ai ndërkohë është lidershipi i PS-së. Është një absurditet, njësoj sikur unë t’u thosha të gjithë anëtarëve të LSI-së: “Hajdeni tek unë të gjithë tek PS-ja, por mos e merrni me vete Ilir Metën”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›