Blackburn ia mësyn Ronaldinhos

Blackburn Rovers e ka konfirmuar ofertën e jashtëzakonshme për Ronaldinhon, vetëm një ditë pasi e mohoi interesimin për yllin e deritashëm të Milanit. BBC-ja shkruan se Rovers kanë bërë gati për futbollistin një ofertë prej 20 milionë funtesh (rreth 25 milionë euro), të cilat do t’i paguante klubi nga Ewood Parku për mesfushorin brazilian në tri vitet e ardhshme.
“Ai është i aftë të luajë në Premierligën angleze dhe mendoj se kjo do të shkonte në favorin tonë”, ka thënë pronarja Anuradha Desai për BBC Radio.“Të jemi më precizë, në ofertën tonë: 7.6 milionë euro për vitin e parë dhe rreth 8.5 milionë euro në vitin e dytë dhe të tretë”, deklaroi shtoi ajo.
Një gjë është e sigurt: Ronaldinho nuk do të luajë më në Milan, edhe pse ka kontratë me klubin Rossoner deri në qershor të këtij viti. 30-vjeçari e kishte lënë para kohe qendrën përgatitore në Dubai, për të shkuar në atdhe, ku e kërkojnë dy klube: Gremio dhe Flamengo.
Pronarët e rinj të Blackburnit, Venky’s, të cilët e blenë klubin në muajin nëntor, dëshirojnë që t’i ofrojnë menaxherit Steve Kean një ekip të fortë, për të arritur rezultate të lakmueshme në pranverë.
“Paraja nuk është problem për ne. Ne po mundohemi të gjejmë lojtarë të duhur për Blackburnin dhe ne kemi para për ta bërë këtë. Ky nuk është problemi. Ne duam që ta rrisim kualitetin në Blackburn Rovers”, shtoi në fund njëri nga pronarët e klubit anglez, Venkatesh Rao.