E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blairofobia

Tony Blair ka të gjitha kualitetet, për tu bërë presidenti i parë i BE-së, është i mendimit kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi. Në një letër dërguar gazetës Il Foglio, ai madje lavdëroi kryeredaktorin e kësaj gazete, për shkak të thirrjes publike për zgjedhjen e Blairit për president.

Ambiciet për rikthim politik të Blairit mbështeten edhe nga presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy. Si Berlusconi, ashtu edhe Sarkozy, kanë miqësi personale me Blairin.

Thuhet se edhe kryeministri i Spanjës, Jose Luis Rodrigez Zapatero, është joshur nga miqtë e Blairit, e edhe kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel, ka dhënë bekimin për emërimin e tij, në shenjë falënderimi për Blairin, i cili e ka kursyer Traktatin e Lisbonës nga referendumi në Britani.

Por edhe përkundër këtij rrjeti të fuqishëm të përkrahësve, gjasat e Blairin për të mbuluar këtë funksion janë zbehur dukshëm gjatë javëve të kaluara. Ato janë gati barazi me zero, janë të mendimit diplomatët në Bruksel.

Ngase edhe kundërshtarët e Blairit janë organizuar në ndërkohë dhe janë pozicionuar. Edhe pse bëhet fjalë për shtete më të vogla, numri i tyre është mjaft i madh dhe kundër jo-së së tyre të përbashkët nuk mund të bëhet asgjë.

Tani befas, ministri i dëshpëruar i Jashtëm i Berlusconit, Franco Frattini, konstaton me dëshpërim se do të jetë vështirë të binden europianët për të votuar për Blairin. Nga mbështetja ka filluar të zmbrapset edhe Sarcozy. Problem për kandidaturën e Blairit është fakti se Britania qëndron paksa anash sa i përket Europës dhe ende paguan me funte, e jo me euro, konstatoi Sarcozy.

Shtetet anëtare të BE-së dëshirojnë një zë më të fuqishëm në politikën globale dhe me një njeri si Blairin, në funksionin e presidentit, ato do të mund të mbeteshin nën hijen e tij.
Para se gjithash shtetet e vogla dhe të mesme, konstatoi kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeldt, për këtë arsye nuk janë interesuara për një figurë të fuqishme kryesuese.

Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu, tashmë kanë nënvizuar kundërshtimin e tyre të përbashkët kundër kandidaturës së Blairit: presidenti i ri duhet të angazhohet për Europën dhe të ketë një vizion të ri për kontinentin, kanë kërkuar këto shtete në kumtesën e tyre të përbashkët. Këtë kusht e përmbushin disa kandidatë tjerë nga Europa, por jo edhe Blair.

Mbetet ende çështje e hapur se kush mund të hyjë në garë, si alternativë e Blairit. Në fund të këtij muaji pritet që udhëheqësit e BE-së të diskutojnë për herë të parë për këtë çështje.

Qysh më herët kanë filluar të lakohen disa emra. Si ai i kryeministrit të Holandës, Jan Peter Balkenende dhe i kryeministrit shumëvjeçar të Luksemburgut, Jean Claude Juncker.

(Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›