E Diel, 1 Nëntor 2026

Blank: Të mundim Shqipërinë, pastaj të mendojmë për Bosnjen

PARIS-Kombëtarja franceze vjen në ndeshjen ndaj Shqipërisë në “Stade De France” me mungesa të shumta, si ato të Benzema, Riberi apo Abidal. “Gjelave” u mjafton një fitore me Bosnjen në ndeshjen e fundit për të qenë automatikisht në Europian, megjithatë tekniku Blank kërkon që futbollistët të mendojnë për boshnjakët pas sfidës me Shqipërinë. Në konferencën e fundit përpara mediave, trajneri i kombëtares franceze ka folur më shumë për gjendjen brenda ekipit të tij dhe për dëmtimet e shumta, ndërsa ka paralajmëruar lojtarët se duhet ta fitojnë këtë takim, pasi luhet përpara publikut të vet dhe për më tepër, do të bënte që në ndeshjen e fundit Francës t’i mjaftonte një barazim. “Kur janë dy ndeshje për t’u luajtur thuhet shpesh, me të drejtë, se e para kondicionon të dytën, - deklaroi Blank. - Kemi një seri rezultatesh pozitive në fushën tonë dhe ndeshja luhet përpara tifozëve tanë. Pikërisht për këto arsye, duhet të fitojmë ndaj Shqipërisë. Vetëm atëherë do të duhet të mendojmë për Bosnjen”, shtoi ai. Ndërkohë, mesfushori Jan M’Vila, autor i një goli në Tiranë, deklaroi se do të ishte një gafë e rëndë nëse Shqipëria nënvlerësohej. Të njëjtin mendim ka ndarë edhe Zheremi Menez, sipas të cilit, me skuadra të tilla duhet të kesh durim, pasi mbrohen shumë. Një e veçantë e takimit Francë-Shqipëri, është se ai do të ketë në koment trajnerin e Arsenalit Arsen Venger, që është gjithnjë në studion e televizionit TF1, kur kombëtarja franceze luan në fushën e saj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›