Shqipëria humb edhe Bulku, mesfushë emergjente në Francë
PARIS-Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në Paris, për ndeshjen që do të luhet të premten në mbrëmje në “Stade de France”. Skuadra kuqezi ka udhëtuar me një avion çarter nga Tirana, ndërkohë që në të ka munguar Ervin Bulku. Mesfushori përfundimisht nuk është i gatshëm për të luajtur ndaj francezëve, duke hapur një gropë në mesfushën e kombëtares. Në vend të tij trajneri Josip Kuzhe ka menduar të hedhë në fushë Gilman Likën. Ndërkohë, në një rol të pazakontë, përpara mbrojtjes, do të luajë edhe Klodian Duro. Ai do të ketë rolin e një organizatori në prapavijë, por në të vërtetë do t’i duhet më shumë që të mbrojë. Sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, lajmi i mirë ka qenë rikuperimi i plotë i Armend Dallkut, që do të luajë në mbrojtje së bashku me Lorik Canën, Andi Lilën dhe Kristi Vangjelin. Ndërkohë, përveç Duros e Likës, Kuzhe ka menduar edhe për disa lojtarë ofensivë në mesfushë. Kështu, në të majtë do të jetë Roshi, ndërsa në të djathtë Muzaka. Në qendër do të luajë Jahmir Hyka, si një lojtar që mund të shkaktojë panik në mbrojtjen e ngathët franceze, e cila në qendër ka Kabul e Rami. Në sulm, Shqipëria do të ketë të vetëm Hamdi Salihin. Kjo ndeshje konsiderohet më e vështira në letër për kombëtaren shqiptare, pasi luhet në shtëpinë e kundërshtarit më të fortë të grupit dhe që ka nevojë për pikë, pasi nuk e ka siguruar matemakisht kualifikimin për në kampionatin europian.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)