Blanko-Dinamo divorci shtyhet
Shanset e një divorci të mundshëm mes trajnerit argjentinas Luis Manuel Blanko dhe Dinamos duket se po u afrohen kuotave të 100%. Ecuria e dobët e bluve, ku gjatë këtij sezoni nuk janë shfaqur aspak si një skuadër e denjë të mbrojë titullin kampion, por edhe problemet financiare të klubit janë dy prej arsyeve kryesore për lamtumirën e parakohshme të trajnerit argjentinas. Në stolin e Dinamos, argjentinasi Blanko grumbulloi në kampionat 25 pikë në 16 javë, duke arritur 7 fitore, 5 humbje e 4 barazime dhe duke u renditur në vendin e pestë. Ndërkohë që në Kupën e Shqipërisë ai arriti 4 fitore, pasi eliminoi skuadrat e Luzit dhe të Kamzës. Ndërkohë që në Champions League, aty ku edhe Blanko debutoi te blutë, argjentinasi arriti një humbje në Moldavi ndaj Sherif Tiraspolit dhe një fitore në Tiranë, por pa arritur të kualifikohet më tej në arenën europiane. Humbja në shtëpi me Teutën, ajo jashtë me Shkumbinin dhe barazimi pa gola me Vllazninë në javën e fundit, e kanë çuar në 9 diferencën e pikëve mes kampionëve në fuqi të vendit dhe kryesuesit të tabelës së renditjes pas kësaj gjysme të parë të sezonit, Flamurtari (34 pikë). Këto rezultate nuk janë aspak premtuese për të ardhmen e teknikut argjentinas në stolin e Dinamos, por duket se tashmë u ka sosur durimi edhe vetë drejtuesve të klubit. Vendimi duket se është marrë, por mungon vetëm zyrtarizimi i tij. Shkak për shtyrjen e këtij vendimi janë bërë takimet pa një zgjidhje konsensuale mes trajnerit dhe drejtuesve të klubit, por edhe festa e Krishtlindjeve. Gjithsesi, duke mos përjashtuar ndonjë surprizë që do të përmbyste gjithçka, sot pritet të marrë udhë shkarkimi i argjentinasit. Drejtuesit më të lartë të kampionëve të Shqipërisë e kanë pasur të vështirë një vendim të tillë, pasi sipas tyre, problemi i Dinamos qëndron edhe te disa lojtarë që nuk po japin rendimentin e duhur në fushën e blertë. Por pas shumë bisedash në fund është vendosur, që sipas klauzolës në kontratën e Blankos, në të cilën shpjegohet qartë se njëra nga dy palët (presidencë-trajner) ka të drejtë të prishë kontratën në mënyrë të njëanshme në fund të muajit dhjetor, është dalë në konkluzionin se Luis Blanko nuk do ta vazhdojë më bashkëpunimin me Dinamon. Presidenca dinamovite ka pasur një takim të shkurtër me trajnerin gjatë natës së mbrëmshme, duke e paralajmëruar në një farë mënyre për gjithçka. Pritet që sot paradite trajneri Blanko do të ketë një tjetër takim me presidencën dinamovite, nga i cili pritet të përfundojë gjithçka. Trajneri Luis Blanko me shumë gjasa do të marrë një fluturim për në Argjentinë për të mos u kthyer më në Tiranë, të paktën në postin e trajnerit të Dinamos. Ndërkohë që bashku me të, një udhëtim pa kthim drejt Argjentinës mund të jetë edhe ai i mesfushorit Garsia, i cili ka kohë që nuk preferohet në kampin blu. Tashmë Dinamo duket se ka kthyer sytë drejt një të ardhmeje tjetër, e cila shpresohet të gjendet shpëtimi.