E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglezët sfidojnë festat, në fushë për “boxing day”

LONDER- Nëse e gjithë Evropa është pushim, të dielën në Angli luhet ajo që konsiderohet “Boxing day”. Britanikët do të zbresin në fushë për të zhvilluar javën e 20-të në kalendarin e Premier Ligës, duke u dhënë jetë stadiumeve në një ditë pushimi për ta. “Duke parë faktin se luhet në një periudhë të tillë, Premier Liga është më e bukur se Liga spanjolle, - tha mesfushori i Sitit David Silva, që këtë vit la Valencian për t’iu bashkuar skuadrës së Mançinit. – Po ashtu, Reali dhe Barcelona kanë shumë diferencë në Spanjë, ndërsa këtu janë shumë ekipe që luftojnë dhe diferencat janë të vogla”. E në fakt, sfidat e nesërme duken vërtet të forta, duke nisur nga ajo mes Njukasëllit dhe Mançester Sitit, Blekpulit dhe Liverpulit, Aston Vilës me Totenhemin dhe Mançester Junajtid me Sandërlendin, për të kulmuar të hënën në mbrëmje me derbin ndërmjet Arsenalit dhe Çelsit. Gjithsesi, sfida më e fortë e ditës duket se do të jetë ajo e “St. James Park” ndërmjet Njukasëllit dhe Mançester Sitit. Skuadra e Mançinit vjen pas disfatës 2-1 në shtëpi nga Evertoni dhe sot kërkon të rikthehet në rrugën e fitoreve, për të qenë në “valle” për titullin kampion. Tekniku italian ka rifituar Karlos Tevez, që më në fund ka bërë të ditur se nuk do të largohet nga “Eastlands”, megjithatë raportet mes tyre nuk duken ende aq të mira. “Ndoshta Tevez duhet t’u kërkojë falje tifozëve për të rifituar besimin e klubit dhe të tyre, - deklaroi Mançini. – Gjithsesi, për mua është e rëndësishme që ai të luajë mirë dhe të shënojë gola. Mendoj se tifozët ende e duan, pavarësisht gjithçkaje”.
Ferguson
Një betejë e vështirë të dielën do të jetë edhe ajo mes Mançester Junajtid dhe Sandërlendit. Trajneri Aleks Ferguson e ka quajtur periudhën më kritike këtë aktualen, duke thënë se nëse skuadra e tij arrin të qëndrojë në krye gjatë këtyre 10 ditëve, do të ketë shumë shanse për të fituar titullin kampion. Junajtid është ende i pathyeshëm në kampionat këtë sezon, ndërsa është 2 pikë larg vendit të dytë dhe për më tepër, ka një ndeshje më shumë për të luajtur. “Synimi im është që të jemi në krye më 4 janar, - deklaroi Ferguson. – Nëse e arrijmë këtë, atëherë kemi bërë një punë të mirë. Të shtunën duhet të kemi kujdes, sepse Stiv Brus ka ndërtuar një skuadër shumë të fortë. Sandërlendi ka marrë futbollistë të ndryshëm si Darren Bent, Asamoah Gian apo Xhordan Henderson”, shtoi skocezi. Në krahun tjetër, trajneri i Sandërlendit Stiv Brus ka pranuar se të luash ndaj Mançesterit nuk është aspak e lehtë në këtë periudhë, aq më tepër kur në stol është një si Ferguson. “Do të jem përherë borxhli ndaj tij, sepse është trajneri më i mirë që ka ekzistuar ndonjëherë, - tha Brus. – Cilado epokë qoftë, të drejtosh një klub për 24 vjet dhe të fitosh trofetë që ka fituar Ferguson, është e pabesueshme”, shtoi ai.
Liverpuli
Sfida mes Blekpulit dhe Liverpulit rrezikon të shtyhet për shkak të kushteve jo të mira në fushën e stadiumit “Bloomfield Road”. Drejtuesit e klubit të Blekpulit kanë bërë të ditur se përpara ndeshjes do të inspektojnë fushën, për të parë nëse ajo është në gjendje për t’u luajtur futboll apo jo. “Do të punojmë gjatë gjithë natës që fusha të përmirësohet”, bëri të ditur Blekpuli në një komunikatë. Ndërkohë, arbitri Majk Oliver do të inspektojë fushën në mesditë, për të vendosur nëse do luhet apo jo.

ANGLI
Të dielën
Fulham-Uest Hem
Blekbërn-Stouk
Blekpul-Liverpul
Bolton-Uest Brom
Everton-Birmingam
Man.UTD-Sandërlend
Njukasëll-Man.Siti
A.Vila-Totenhem
Të hënën
Arsenal-Çelsi
RENDITJA
Man.UTD 34
Arsenal 32
Man.Siti 32
Çelsi 31
Totenhem 27
Sandërlend 27
Bolton 26
Njukasëll 22
Liverpul 22
Uest Brom 22
Blekpul 22
Blekbërn 22
Stouk 21
Everton 21
A.Vila 20
Birmingam 18
Fulham 16
Uigan 16
Ulves 15
Uest Hem 13

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›