E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blanko, një makinë për fitoren



Gjergj Vyshka

Argjentinasi i panki-nës dinamovite, Luis Manuel Blanko, ka gjetur një mënyrë origjinale për të motivuar lojtarët e tij. Një makinë për skuadrën nëse fitojnë dhe kalojnë turin dhe shorti do të caktojë lojtarin, i cili do të marrë këtë dhuratë të teknikut. Blanko deklaron shkurt: Në Tiraspol vetëm për të fituar, ideja për t'u ruajtur s'më pëlqen
Moldavët kanë shënuar vetëm tre gola në miqësoret e tyre, që do të thotë shumë më pak se Dinamo. Atëherë si do luani atje?
Ne do të luajmë me mënyrën që kemi aplikuar dhe në ndeshjet miqësore. Që do të thotë se do të mbrojmë të gjithë bashkë kur duhet mbrojtur dhe do të sulmojmë kur duhet. Unë si individ nuk e ndjej sistemin mbrojtës, apo tërësisht difensiv në një ndeshje të rëndësishme. Unë besoj në bindjet e mia, duke u shprehur se mbrojtja më e mirë është sulmi. Ekipi gjithnjë do të jetë me dy sulmues në portë moldave. Që do të thotë se herë Vila, herë Muzaka, apo dhe Garcia do të jetë në gatishmëri për të sulmuar. Pa harruar Putinçanin, i cili ka mundësi të sulmojë e të godasë në portën kundërshtare.
Përveç kundërshtarit, Dinamo do të ketë kundër dhe tifozët vendas. Eshtë përgatitur psikologjikisht skuadra?
Sigurisht që është përgatitur dhe psikologjikisht. Por unë mendoj se në këtë drejtim përgatitja më e mirë është puna. Në të vërtetë unë jam krenar për këta djem, për përkushtimin e tyre në stërvitje. Ata kanë patur aftësinë për të duruar një stërvitje të rëndë dhe me dy seanca. Madje dhe atëherë kur ne kemi bërë ndeshje pasdite asnjëherë nuk e kemi hequr stërvitjen e paradites.
Cila është forca e Dinamo në Champions League?
Skuadra.
Cili do të ishte rezultati, i cili do të mund garantonte kualifikimin?
Fitorja. Ne do të shkojmë në fushën e lojës me idenë për ta fituar këtë ndeshje. Dhe nëse do ta kemi këtë mentalitet atëherë do të jemi në rregull, por pa u shkujdesur nga prapa. Dinamo në mentalitet e ka fitoren.
Kapiteni i Sherifit është shprehur se Dinamo vjen për t'u mbrojtur...
Kjo do të thotë se moldavët nuk kanë informacion të bollshëm për ne, ashtu sikurse ne për ata. Megjithatë ne e kemi përgatitur ndeshjen dhe ne e respektojmë si kundërshtar
Eshtë mangësi për ju si trajner që nuk e njihni kundërshtarin?
Për trajnerin është avantazh që skuadra arrin të bëjë në fushën e lojës ato gjëra që ai i kërkon. Në futboll do të jemi 11 me 11 dhe ai që ka bindjen për të fituar do të fitojë. Ne do ta arrijmë suksesin, kurse unë e ndjej që në arteriet e lojtarëve të mi vlon dëshira për të fituar. Sepse e kanë një besim të tillë
Dhe në fund, mesazhi juaj për Sherifin...
Dinamo nuk vjen për shëtitje në Tiraspol. Dhe shprehje e besimit tim te ta është një makinë dhuratë nga ana ime, pas së cilës le të hedhin shortin e le ta fitojë kush të dojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›