E Diel, 1 Nëntor 2026

Blasfemitë e Fatos Lubonjës

Në gojën e Fatos Lubonjës, citimi i Roberto Savianos, Marco Travaglios apo Umberto Ecos është blasfemi. Është njësoj sikur Zonja Meri, e cila jep horoskopin çdo mëngjes në “News24”, të deklarojë se i referohet për fatin e ditës së njerëzve në horoskop Galileo Galileit apo Margarita Hack të kohëve tona. Por, Zonja Meri ka dinjitetin dhe modestinë, madje dhe profesionalizmin, që të mos e bëjë këtë. Ndërsa Lubonja jo. Ndjek shpesh emisionin e koleges time Rudina Xhunga, e cila arrin të sjellë një hapësirë me oksigjen, siç u përpoq edhe këtë të hënë për lirinë e medias. E në fakt, kishte intervista shumë të mira personalitetesh që në Itali janë flamurtarë të lirisë së shprehjes dhe të së vërtetës si Saviano, Marco Travaglio, por për të komentuar këta kishte sjellë Fatos Lubonjën që nga shkëlqimi i dikurshëm, ndodhet sot në mjerim maksimal të mundshëm intelektual. Nuk e di cilat janë shkaqet, por shoh pasojat e rënda. Nuk lexova dot shkrimin e tij në Gazeten “Korrieri”, ku më thanë që shprehej për mua me fodullëkun tipik shqiptar...”... një gazetare e News 24... ( po ky është përçmim që disa meshkuj shqiptarë janë mësuar ta përdorin siç duket në shtëpi apo në rrethin e tyre shoqëror dhe pa kontroll u rrëshket dhe në shkrime e debate publike).
Me të njëjtin fodullëk Lubonja, që në një shkrim të mëparshëm shkruajta se synon të zërë vendin bosh që Mero Baze la në oborrin e politikanit Berisha, vazhdon të hedhë sa herë i jepet rasti, në TV apo në gazeta lloj-lloj shpifjesh e hamendësimesh identike me ato të dala nga ‘salloni Berisha’ në këto dhjetëra vite për punën tonë. Lubonja e konsideroi mbrëmë skandalin e Marrëveshjes për Kufirin ujor me Greqinë që po bën ‘News 24’ e Gazeta Shqiptare “...si një luftë për ca peshq që do na marrë Greqia”. Njësoj siç e konsideron Berisha dhe sipas tij, ne, nuk po e çajmë kokën për disa fabrika çimentosh që po ndërtojnë italianë nëpër Shqipëri. Le ta fillojë Lubonja këtë betejë e të gjejë dokumente e le të denoncojë siç bëjnë gazetarët tanë përditë e siç bëjnë ata që ai citon, Saviano e Travaglio. Por, të gjesh dokumente do të thotë të punosh dhe për Lubonjën, e përsëris, është më komode e fitimprurëse të na quajë ne neokolonizatorë e të bëjë thirrje të na hedhë në det. Që sot e tutje më duket e panevojshme të merrem më me fenomenin “Lubonja” në median shqiptare, sepse nuk është luftë e barabartë të debatosh me një njeri që luftën e shtypit për transparencë e kthen në një muhabet që ndoshta bën rëndom në kafenenë e Tv “Klan”-it dhe mbi këto muhabete e thashetheme ndërton e servir analiza blasfemike për lirinë e shprehjes dhe shtypit. Që shtypi shqiptar është në këtë pikë halli sot, sigurisht nuk është nga gazetarët e gazetaret reporterë, por nga këta këndezë që bëjnë analiza mbi një injorancë të thellë, madje më keq, mbi thashethemnaja kafenesh të tymosura. Rudina Xhunga e mbylli emisionin e saj duke lëshuar një thirrje të dëshpëruar: Jemi dhe ne në kërkim të Savianove dhe Marco Travagliove tanë. Ndërsa unë nga kjo hapësirë modeste e imja i them: i kemi dhe ne Rudina, ne proporcionet e një vendi të vogël e të vështirë siç është ky i yni; sot quhen Artan Hoxha, Tedi Blushi, Ferdinand Dervishi, Lorenc Vangjeli, Habjon Hasani, Klodjana Lala, ishte Ali Ukaj. Gazetarë që punojnë me fakte mbi tavolinat e punës dhe jo me mobilje firmato. Në emisionet e tua nuk ke për t’i ftuar ndonjëherë, por me punën e tyre kanë sjellë e do të sjellin të vërteta që analistë si Lubonja s’duan dhe s’kanë për t’i marrë vesh. Sepse të gjesh lajme, është shumë më e vështirë se të bësh llogje burrash nëpër kafene. Apo më keq, analiza nga oborrë pushtetesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›