E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Bizneset të investojnë në aftësimin profesional

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, shpalosi dje para një përfaqësie të kompanive private ftesën për debat mbi nevojat e Shqipërisë për t‘u reformuar, në mënyrë që të përballet me botën e paskrizës financiare, si dhe ftoi biznesin të investojnë më shumë në teknologji dhe novacion.

"Një mësim i vlefshëm që Banka e Shqipërisë ka nxjerrë nga kriza është nevoja për vazhdimin dhe thellimin e reformave strukturore në ekonomi, Këto reforma, jo vetëm që krijojnë një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e sipërmarrjes private, por ato rrisin edhe qëndrueshmërinë e ekonomisë ndaj goditjeve. Ato ndihmojnë gjithashtu edhe në thithjen e investimeve të huaja direkte, të cilat janë mbështetësi më i mirë i zhvillimit të vendit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Megjithatë, siç theksohet edhe në raportin e BERZH, Shqipëria është nga vendet e pakta që ka vazhduar reformat strukturore edhe gjatë vitit 2009," tha Fullani.

Disa përfaqësues të biznesit u ankuan gjatë takimit të djeshëm për shtrëngimin e kushteve të kreditimit nga ana e bankave, gjë që ka krijuar probleme të konsiderueshme për disa sektorë të rëndësishëm si ai i ndërtimit. Por ndërsa biznesi dukej veçanërisht i shqetësuar për problemet aktuale, Fullani bëri të ditur se ndoshta më e keqja do të vijë më pas. Sipas BSH-së, ekonomia shqiptare e ka pasur të lehtë të rritet gjatë 20 viteve të fundit, duke u financuar nga të ardhurat e bollshme të emigrantëve, por në të ardhmen, ky burim parash të lehta mund të fillojë të pakësohet. Shumë ekspertë dyshojnë se potenciali i rritjes ekonomike të Shqipërisë mund të ulet nga 6 për qind në vit që është aktualisht në 2 apo 3 për qind si pasojë e problemeve që ka krijuar kriza aktuale botërore.

"Shqipëria ka nevojë të investojë në arsim, në qendra kërkimore dhe të krijojë kushtet për të thithur investime të huaja", thotë guvernatori Fullani.

Tek investimet e huaja, "Shqipëria mbetet ende mbrapa vendeve të rajonit, duke tërhequr në total vetëm rreth 1100 dollarë për frymë investime të huaja direkte gjatë 20 viteve tranzicion. Nga i gjithë kuadri i gjerë i problemeve të reformës, dëshiroj të ndalem te nevoja për investime në edukim dhe në infrastrukturë. Një maksimë e njohur biznesi thotë se pasuria më e çmuar e një ndërmarrjeje janë punonjësit e saj", vijoi më tej guvernatori. Fullani i bëri thirrje bizneseve të pranishme të tregojnë më shumë transparencë përballë publikut të gjerë si një rrugë për të krijuar besimin e nevojshëm.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›