E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Rama shiti tokë te parku "Rinia"

Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve deklaroi dje se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka urdhëruar shitjen e një sasie toke në qendër të Tiranës, sipas tij, me çmim shumë të ulët dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi. Partia Socialiste iu përgjigj me një deklaratë të zëdhënëses Armela Imeraj, e cila tha se Olldashi po përpiqet të fshehë problemet e hasura në tunelin e Thirrës dhe se duhet të japë llogari në prokurori për këtë çështje.

"Unë po ju paraqes një dokument, të cilin z. Rama, më datë 7 mars 2005 ka autorizuar një nëpunëse të bashkisë të lidhë një kontratë me shoqërinë ‘Tajvan‘. Objekti i kontratës është shitja e një trualli prej 1310 m² kësaj shoqërie, gjë që përbën një abuzim skandaloz me pushtetin dhe një rast të vjedhjes së hapur të pasurive të qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve shqiptarë", tha Olldashi.

Toka është shitur "me më pak se 100 euro m² në zemër të kryeqytetit. Kur vlera duhet të ishte minimalisht të paktën 2 mijë euro. Pra edhe në vlerë është vjedhur përveçse nuk ka pasur të drejtë ta shesë, ia ka shitur me një çmim qesharak, duke bërë që qytetarëve të Tiranës t‘i grabiten 2.6 milionë euro ose 3.7 miliardë lekë", vijoi Olldashi. Ministri publikoi në faqen e internetit të Ministrisë së Transporteve edhe disa fotokopje kontrate e dokumente të tjera.

Ndërkaq, Partia Socialiste i konsideroi akuzat "shpifje".

"Sokol Olldashi mjaft e keqpërdori detyrën si ministër Punësh Publike, duke punuar në fabrikën e shpifjeve të Sali Berishës ndaj Bashkisë së Tiranës", deklaroi zëdhënësja Imeraj dje.

"Të gjithë e dinë kush është Sokol Olldashi, kurse ai u detyrohet të gjithëve përgjigjen për katastrofën në tunelin e Kalimashit. Ku kanë shkuar qindra miliona eurot e zhdukura?! Sa është shuma që i është marrë fondeve të rrugës së kombit për fushatën elektorale të Sali Berishës?", vijoi më tej Imeraj.

Shitja e pronave publike është bërë një praktikë e rëndomtë edhe për qeverinë. Gjatë muajve të fundit, me anë të vendimeve të ndryshme të qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha, sipërfaqe toke të regjistruara si pronë shtetërore i janë shitur kompanive private me çmime që variojnë nga 200 në 500 lekë për metër katror. Tokat janë shitur me vlerën e tyre si tokë bujqësore, ndërkohë që destinacioni final ka qenë përdorimi i tokës për ndërtim.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›