E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kahn: "Një paketë tjetër shpëtuese rrezikon demokracinë"

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka lëshuar alarmin në lidhje me situatën ekonomike në mbarë botën. Sipas shefit të madh të institucionit, taksapaguesit nuk duhet që "t‘i shpëtojnë" për herë të dytë shërbimet financiare, në rast se një tjetër krizë mund të shpërthejë pas 4-5 vitesh. Dominique Strauss-Kahn, në një konferencë për shtyp paralajmëroi të gjithë liderët botërorë, që një paketë stimuluese me paratë e taksapaguesve për të shpëtuar institucionet financiare në raste krize nuk do të tolerohej më dhe madje një veprim i tillë do të ishte kërcënues për demokracinë.
"Ekonomitë e vendeve më të avancuara nuk do të pranojnë më programe ‘shpëtimi‘. Reagimi politik do të jetë shumë i fuqishëm dhe disa demokraci do të vihen seriozisht në rrezik", ka thënë Kahn në konferencën e përvitshme para shumë liderëve të biznesit. "Unë besoj se sektori financiar ka nevojë që të kontribuojë si për kostot e krizës financiare, ashtu edhe për shmangien e ndihmës nga ana e taksapaguesve në rastet e krizave të mundshme të ardhshme". Sipas tij, një nga masat shumë të domosdoshme për t‘u marrë në mënyrë që të mos ndodhin më situata të rënda dhe të paparashikueshme, është që çdo bankë të ketë një rezervë financiare risku të mjaftueshme për të mbuluar periudhat e krizës, dhe mbi të gjitha për të parandaluar mënyrat e shpëtimit përmes parave të taksapaguesve. Në shumë vende, përfshi Francën dhe Gjermaninë, politikanët nuk do t‘ia dilnin më që të siguronin mbështetjen e duhur për të shpëtuar sërish në rast të një krize institucionet financiare. Këto dy vende dhe vende të tjera në Europë, aktualisht po kërkojnë një reduktim të madh të mbështetjes që shteti u jep institucioneve financiare në raste krize. Në muajin shtator, politikanët britanikë të opozitës u bënë bashkë me Francën dhe Gjermaninë në këtë përpjekje. Sipas Strauss-Kahn, ndërsa ekonomia globale ka bërë hapa përpara dhe po shfaq ditë pas dite shenja rikuperimi, edhe pse të ngadalta, ajo mbetet një ekonomi e brishtë dhe shumë e lëkundur, sidomos në rast se kriza financiare do të rigjenerohej sërish së afërmi. "Ne rekomandojmë më mirë më shumë kujdes e hapa më të ngadaltë, por të sigurt, se sa nxitim e rikthim brenda një kohe të shkurtër në situatën e krizës dhe në duart e taksapaguesve". Sipas shefit të një prej institucioneve më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse ndërkombëtare, Kahn paralajmëroi se nëse në Kinë do të pompohej një sasi e madhe kapitali, atëherë pas disa kohe mund të lindte një "flluskë" mbarë-aziatike. Aktualisht sektori bankar në Kinë po përjeton një periudhë kreditimi me ritme të jashtëzakonshme dhe deri në fund të vitit parashikohet që shifra e dhënë hua të ketë mbërritur në 97 miliardë dollarë. Sipas Kahn, paradigma e vjetër e rritjes, e bazuar në dhënien e kredive marramendëse në tregun e pasurive të patundshme, tashmë mund të quhet e ezauruar dhe e vdekur, pasi ajo ishte një nga shkaktaret dhe premisat e krizës që nisi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rrezikoi mbarë tregjet financiare të planetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›