E Diel, 1 Nëntor 2026

Blater: FIFA do të hapë hetim për Maradonën

FIFA do të hapë një proces disiplinor për trajnerin e Argjentinës, Diego Armando Maradona, për komentet e tij të turpshme të lëshuara ndaj organeve të shtypit pas eliminatoreve të Botërorit nga ana e Kombëtares amerikanojugore. Presidenti i FIFA-s, Josef Blater, në fakt ka njoftuar se në statut ekziston një nen, ku thuhet shprehimisht se, në këto raste mund të hapet një proces disiplinor: "Nuk kemi alternativë tjetër", ka thënë Blater në konferencën për shtyp të ndeshjes së mbylljes së Botërorit Under 20 në Egjipt. Pas fitores së të mërkurës 1-0 ndaj Uruguait, Maradona kishte ofenduar "të ma merrni në ...") gazetarët. Blater ka cituar artikullin 58 të kodit disiplinor të FIFA-s: "Nuk bëj komente të mëtejshme, ka një nen", ka përfunduar Blater.
Ndërsa 24 orë më vonë, nga konferenca e tmerrshme e Motevideos Maradona është rishfaqur sërish në media, në radion argjentinase "Continental" nëpërmjet një lidhjeje telefonike. Diego ka tentuar ta zbusë disi situatën. "Nëse kam ofenduar ndonjë, kërkoj falje". Por kur drejtuesi insiston te vulgariteti i fjalëve të mërkurën në mbrëmje, trajneri ka refuzuar të bëjë një hap mbrapa: "Ka qenë një shfryrje kundër njerëzve, që sipas mendimit tim janë antiargjentinas dhe këtë nuk ua fal. Nuk u kërkoj falje atyre. Njerëzit që e meritojnë kualifikimin janë ata, që të shtunën e kaluar kanë qëndruar deri në fund në mes të shiut në stadiumin ‘Monumental‘". Koncepti i një shfryrjeje të thjeshtë ishte mbështetur disa orë më parë nga presidenti i federatës argjentinase, Grondona, që është treguar më pak i guximshëm pas natës në Montevideo: "Në disa raste secili nga ne ndien nevojën të shfryhet dhe kur ndodh, mund të thuhen gjëra për të cilat pendohesh pak çaste më vonë".
Ndërkohë që mësohet se Karlos Tevez ka ndërmend të largohet nga Kombëtarja e Argjentinës. Ylli i Mançester Sitit e ka humbur durimin në lidhje me ekipin përfaqësues. "Mendoj ndonjëherë largimin nga Kombëtarja. Kritikat e ashpra nuk janë ndihmë për ekipin, por shkatërrimtare për të", tha Tevez, i cili del kështu në mbrojtje të Maradonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›