Ronaldinjo: Seria A është më e vështirë se "La Liga"
Shtypi spanjoll insiston. "As", në edicionin "online", risjell deklaratat e Ronaldinjos, që ka deklaruar në konfidencë se "kampionati italian është shumë më i vështirë se sa kampionati spanjoll. Në Itali nuk gjen dhe nuk do t‘i gjesh kurrë hapësirat për të lëvizur dhe për të improvizuar, gjëra që në ‘La Liga‘ janë më të lehta". Për të përditshmen spanjolle, këto deklarata të Ronaldinjos janë vetëm justifikime në lidhje me rendimentin e tij të dobët në Itali. Sipas "As", "Il Gaucho" ka guxuar të krahasojë dy kampionate kombëtare, madje duke thënë se Seria A është më e vështirë se sa ‘La Liga‘. Kjo konsiderohet një mënyrë e Ronaldinjos për t‘u mbrojtur, fjalët e tij nuk duket se janë një lajm i ri në panoramën futbollistike. Braziliani ka folur për vështirësitë dhe jo për bukurinë e këtyre kampionateve. Mund të konfirmojmë me qetësi se ai ka të drejtë. Ronaldinjo më pas është ndalur të komentojë në lidhje me raportin e tij me Leonardon: "pak rëndësi ka nëse më vendosin të luaj përpara, në të majtë apo në të djathtë. Problemi nuk është se ku luaj dhe si luaj. Problemi është se në Itali nuk ke shumë hapësira për të lëvizur". Krejt ndryshe në Spanjë, sipas fakteve, mbrojtjet nuk janë pika e fortë. Megjithatë bëhet fjalë për dy shkolla të ndryshme të futbollit.