E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blater: Futbolli kosovar, zgjidhje në dhjetor

Takimi i së enjtes ndërmjet drejtuesve të FIFA-s dhe krerëve të Federatës Kosovare të Futbollit (FFK) ishte hapi i parë i rëndësishëm drejt njohjes së futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare. Në pritjen e organizuar në Zyrih, e bojkotuar nga Federata Serbe, presidenti i "qeverisë" botërore të sportit më popullor në botë, Sep Blater, ka dhënë sinjale pozitive pasi u njoh me kërkesat e institucionit që drejton futbollin në Kosovë. Delegacioni i drejtuar nga Fadil Vokrri paraqiti tri pika mjaft të rëndësishme: 1) Kosova të bëhet anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, 2) të lejohet që të luajë ndeshje miqësore deri në pranimin në këto dy organizma dhe 3) të rregullohet transferimi i lojtarëve kosovarë, ku nga transfertat e tyre, klubeve t‘u paguhet dëmshpërblimi për prishjen e kontratave. Sapo u kthyen nga Zvicra, drejtuesit e futbollit kosovar kanë zhvilluar një konferencë për shtyp, ku e cilësuan si historik takimin me Sep Blaterin. "Gjetëm mirëkuptim e z.Blater. Kërkesa për transferimin e futbollistëve, sipas gjasave do të aprovohet nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s në muajin dhjetor. Pas kësaj, hap pas hapi do të shkojmë deri në pranimin tonë të plotë", tha Vokrri. Ndërsa, zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha, shtoi: "Blater na premtoi se do të punonte rreth kërkesave të paraqitura, për gjetjen e një zgjidhjeje".

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›