Çelsi, hiqet embargoja e merkatos
Një lajm i mrekullueshëm për Karlo Ançelotin. Në fakt, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës ka pezulluar bllokimin e merkatos deri në 2011, vendim i marrë nga FIFA në lidhje me çështjen e blerjes së Gael Kakuta, duke "ngrirë" edhe skualifikimin prej 4 muajsh për futbollistin 18-vjeçar francez derisa vetë gjykata të marrë një tjetër vendim përfundimtar mbi argumentin. Tashmë skuadra shikon rrugën e lirë në merkato dhe rinis menjëherë gjuetia për David Vijan e Valencias. Një investim që Abrahamoviç ka vendosur ta bëjë prej kohësh për të përmbushur dëshirën e shprehur nga Ançeloti që nga mbërritja e tij në "Stamford Bridge", por një tjetër shtysë është edhe fakti se është e domosdoshme që të kenë një sulmues para fillimit të 2010: Drogba e Kalu do të jenë të impenjuar me Bregun e Fildishtë për Kupën e Afrikës dhe në dispozicion Karlo Ançeloti do të mbetet vetëm Nikolas Anelka. Shifra e gatshme për t‘u hedhur në tavolinën e Valencias është rreth 33 milionë sterlina, baras me 37 milionë euro: e vështirë për t‘u refuzuar nga klubi, që nuk i ka kaluar akoma problemet tij të mëdha ekonomike. Në shënjestër është edhe Aguero. I vetmi fakt kundër operacionit është se Vija, i aktivizuar me Valencian në Europa League, nuk do të mundet të zbresë në fushë për Çelsin në fazën e dytë të Champions League. Një tjetër objektiv në projektin e bërë të njohur nga drejtori i përgjithshëm i "Blues"-ve, Ron Gurlei, të fitojmë të paktën dy herë titullin në Champions League në pesë sezonet e ardhshme: "Deri tani kemi qenë të pafat në Champions League, por në kompeticionet e ardhshme dëshirojmë të fitojmë dy trofe, ka deklaruar ai në ‘Chelsea Tv‘. Pa mohuar respektin për kompeticionin, i cili është i niveleve më të larta, mendojmë se mund t‘ia dalim, edhe pse mund të duket si një bast i parakohshëm". "Stamford Bridge", stadiumi historik i londinezëve dhe "shtëpia" e Çelsit, shumë shpejt mund të ndryshojë emër. Gurlei ka folur edhe për mundësinë e imitimit të Njukasëllit, duke e bashkuar emrin e një sponsori me atë të stadiumit: "Synojmë të fitojmë 100 milionë sterlina për 10 vitet e ardhshme, ka shpjeguar ai. Kjo na lejon të kemi një avantazh ekonomik të mjaftueshëm për ta shfrytëzuar në përmirësimin e skuadrës në Angli dhe në Europë. Në çdo rast emri ‘Stamford Bridge‘ do të qëndrojë përgjithmonë". Ideja nuk është e re për Premier League dhe ka bërë të shpërthejë një protestë e gjerë e tifozëve.