E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi: Në Talin fillon puna për eliminatoret e Euro 2012

Hamdi Salihi zbret në të gjithë fushën. Sulmuesi shkodran "zbërthehet" në emisionin "Prag Sfide" të drejtuar nga gazetarja Ilda Bejleri, i cili transmetohet çdo të premte në orën 18:00 në platformën "SuperSport". 25-vjeçari foli për objektivat me ekipin Kombëtar dhe me skuadrën ku militon, Rapidin e Vjenës. Ai zbuloi detaje interesante rreth ambientimit në Vjenë, nuk ka nguruar të tërhiqet edhe ndaj ngacmimeve për jetën private, ndërsa ka analizuar edhe periudhën negative të dy emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar, si Tirana dhe Dinamo. Tema e momentit është padyshim përfaqësuesja kuqezi, që vetëm një javë më pas do të zhvillojë në kryeqytetin e Estonisë, Talin, miqësoren e parë të edicionit të ri. "Menjëherë pas ndeshjes me Suedinë në dhomat e zhveshjes, trajneri Kuzhe na tha shumë qartë, se prej atij momenti duhej të fillonim të punonim për eliminatoret e Europianit. Jemi të fokusuar vetëm tek Euro 2012. Miqësorja me Estoninë do të jetë dita e parë e punës, për të pasur idetë e qarta për objektivat", tha Salihi. "FSHF dhe tekniku janë të rezervuar kur flasin për objektivat? Natyrisht që më parë pritet verdikti i shortit, i cili është shumë i rëndësishëm. Çdo ekip vendos objektivat vetëm pasi njeh kundërshtarët. Jemi të vetëdijshëm se do të kemi katër ekipe të forta në grup". Shkodrani i mbylli eliminatoret e Botërorit 2010 vetëm me një gol, atë të ndeshjes së fundit me Suedinë. "Them se kam luajtur mirë, edhe pse nuk kam shënuar aq sa duhet. Normalisht që prej vetes dhe prej ekipit në tërësi pres diçka më të mirë sesa në edicionin që lamë pas. Bogdani mungon në Estoni? Parësor është arritja e një rezultati pozitiv, i cili do të na krijojë besim për të ardhmen, por shpresoj të shënoj, sepse më mungojnë rrjetat me Kombëtaren".

Te Rapidi është ambientuar shpejt, por ngarkesa e këtyre javëve ishte mjaft e madhe: "Për shkak të angazhimeve të shumta me Rapidin e Vjenës, rrobat kanë qëndruar për afro një muaj e gjysmë në makinë. Më ndihmuan prindërit, pa ndihmën e tyre nuk do kisha arritur kurrë ta rregulloja apartamentin. Jeta e natës në Vjenë? Nuk ka nevojë për komente, po flasim për një prej kryeqyteteve më të famshme dhe jeta e natës nuk mungon. Ende nuk kam pasur kohë që të dal dhe të frekuentoj lokalet, pasi luajmë në çdo tri ditë. Dashuria? Është më e lehtë për të rënë në dashuri me një vajzë shqiptare, kanë më shumë aftësi të të bëjnë për vete". Nëpërmjet valëve të "SuperSport", shqiptarët kanë mundësi ta ndjekin skuadrën e kuqeziut në Europa League: "Më bëhet qejfi që Rapidi ka disa tifozë më shumë pas transferimit tim. Në Europë humbëm dy ndeshje me Hapoelin, të cilat na e kanë komplikuar kualifikimin. Gjithsesi, kanë mbetur edhe dy ndeshje dhe kemi ende shanse. Kampionati? Në Bundesligë jemi një pikë larg kryesuesve (Salcburg) me një ndeshje më pak. Synimi i Rapidit është gjithmonë të dalë kampion. Shanset janë të mëdha, do të luftojmë deri në fund për titullin". Në fund edhe një koment për Superioren dhe rezultatet e Vllaznisë dhe Tiranës, ekipe për të cilat Salihi ka luajtur. "Në këtë periudhë nuk kam pasur mundësi t‘i shoh ndeshjet, megjithatë jam informuar dhe më vjen keq për situatën ku ndodhet Vllaznia. Por, besoj se shumë shpejt kjo do të kalojë, përfundoi sulmuesi. Edhe Tirana në pozicion aspak komod? Më duket sikur të dyja ngushëllojnë njëra-tjetrën: Tirana thotë sa keq është Vllaznia, ndërsa shkodranët përgjigjen se edhe bardheblutë nuk janë të pozicionuar mirë. Gjithsesi, këto dy ekipe nuk duhen parë jashtë garës".

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›