E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blejnë armë

Kosova ka filluar të blejë armë për Policinë, FSK’në, Doganat dhe Shërbimin Korrektues. Brenda vitit 2010 janë blerë pushkë, pistoleta dhe municion në Gjermani, Austri, Zvicër dhe Turqi. Ndërkaq, eksploziv dhe mjete piroteknike, vendi blen nga Greqia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Kroacia. Nga Jeton Musliu më 10 maj 2011 në ora 09:49

Edhe Kosova bën tregti me armë.

Madje, vendi që ka shpallur pavarësinë tri vjet më parë, në këtë drejtim, duket se nuk ka mbetur prapa. Vetëm për vitin 2010, për nevojat e veta, shteti ka blerë armë nga shtete të ndryshme, kryesisht perëndimore. Ato janë të kalibrit të lehtë si pushkë të gjata e të shkurtra, pistoleta, pjesë të tyre dhe municione. Armët e blera kanë pasur destinim Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë, doganat dhe Shërbimin Korrektues.

Vlera e këtyre armëve dhe paratë e shpenzuara ende nuk dihet sepse llogaritjet janë duke u bërë. Kjo pritet të mësohet vetëm pas dy muajsh.

Pavarësisht kësaj, në blerjen e armëve, Kosova duket se ka bashkëpunim të mirë me shtete të ndryshme, edhe me ato që nuk e kanë njohur ende shtetësinë e saj, siç është Greqia. Express ka siguruar një draftraport të hartuar nga Departamenti për Siguri Publike që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Dokumenti flet për eksportin dhe importin e armëve nga shteti i Kosovës.

Në fakt, pavarësisht emërtimit të këtij dokumenti, eksporti i armëve nga Kosova është zero. Kosova ende nuk është në gjendje të shesë armë, pavarësisht se dikur, para shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ka pasur edhe fabrika që kanë prodhuar municione të ndryshme. Por situata ndryshon kur vjen puna tek importi i tyre. Në mënyrë zyrtare, gjatë vitit të kaluar, vendi ka blerë armë dhe municione sipas nevojës nga kompani të specializuara për tregti të tilla nga shtete si Bullgaria, Greqia, Mali i Zi, Kroacia, Austria, Gjermania, Zvicra, Turqia, apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky draft raport vjetor për vitin 2010, është i pari i këtij lloji që tregon për shitje-blerjen e armëve nga Kosova.

Armët dhe ligji
Vetëm për vitin 2010, shteti i Kosovës ka blerë pushkë, pistoleta, pjesë të tyre, fishekë, eksploziv, pajisje për kontrollim trazirash si dhe material eksploziv.

Në dokument thuhet se kjo tregti armësh është bërë në harmoni me një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse në pajtim me Direktivën e Këshillit të Bashkimit Evropian për kontrollin e blerjes dhe posedimit të armëve.

Draftraporti shpjegon gjithashtu se Ligji për tregtinë e mallrave strategjike së bashku me legjislacionin dytësor të shpallur në vitin 2001 dhe që përshkruan Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë si organ kompetent, përshkruan procedurat në lidhje me eksportin apo importin e mallrave ushtarake apo joushtarake vdekjeprurëse, shërbimeve dhe asistencës teknike.

Ky ligj krijon një komision licencues prej 5 anëtarësh dhe drejtohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Regjistrimi bëhet duke u bazuar në kërkesë me shkrim, të vërtetuar me vulë dhe nënshkrim nga personi përgjegjës i kompanisë së caktuar, kurse është Ministria ajo që vendos për dhënien e një licence për eksport apo import armësh.

Importi i armatimit
Në këtë rast, numri më i madh i lecensave të lëshuara u takon kompanive nga Greqia, gjithsej 24, por vetëm për ofrimin e eksplozivit civil dhe mjeteve piroteknike, ndërkohë që për të njëjtën mall, 14 licenca u janë dhënë kompanive nga Bullgaria, pasuar 2 nga Mali i Zi dhe 1 nga Kroacia.

Përveç eksplozivit civil dhe mjeteve piroteknike, asnjë prej kompanive nga këto shtete nuk është pajisur me licencë për ofrimin e armëve si pushkë apo pistoleta.

Por, situata ndryshon ku bëhet fjalë për kompani nga Austria, Gjermania, Zvicra, Turqia dhe SHBA’ja.

Kështu, nga këto shtete, vendi ka importuar pistoleta, municion, pushkë, pjesë të tyre si dhe pajisje për kontroll të trazirave.

Në këtë grup, kryeson Gjermania, ku eksportuesve nga ky shtet, Kosova u ka dhënë 6 licenca për blerjen e pushkëve dhe pjesëve të tyre.

Austria është e dyta për nga numri i licencave të dhëna me gjithsej katër të tilla, ku tri janë për blerjen e pistoletave dhe pjesëve të tyre, kurse një për municion.

Nga SHBA’ja janë blerë pajisje për kontrollim të trazirave dhe pushkë e pjesë të tyre dhe numri i licencave të lëshuara për këtë shtet është tri.

Ndërkaq, nga Zvicra dhe Turqia, raporti evidenton se është dhënë nga një licencë për secilin shtet nga të cilët janë blerë municione.

Përveç SHBA’së që blerja është kryer me dollarë, me të gjitha shtetet e tjera kjo është bërë me valutën euro.

Sipas dokumentit, nga të gjitha këto licenca, 27 për qind e tyre del se janë dhënë për blerjen e mjeteve ushtarake, kurse 73 për qind për ato jousharake.

Në këtë draftraport, të dorëzuar zyrtarëve më të lartë të shtetit, janë saktësuar edhe detajet e tjera që kanë të bëjnë me mënyrën e licencimit të kompanive që merren me punë të tilla si dhe mënyrën se si mund të refuzohet kërkesa.

Fakte
Nëse shikohet në përgjithësi, për numrin e licencave të lëshuara për eksport dhe import të të gjitha mjeteve, atëherë del se vendin e parë e ka Greqia, të dytin Bullgaria, pasojnë Gjermania, Austria, SHBA’ja për të përfunduar me Kroacinë, Malin e Zi, Zvicrën dhe Turqinë.

Përgatitja
Bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e kontrollit të eksportit dhe importit në vitet e fundit më së shumti është përqendruar në rritjen e kapacitetit të institucioneve të Kosovës, në fushën e kontrollit të eksportit dhe importit. Përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrive të tjera përkatëse janë trajnuar për kontrollin e eksportit dhe importit në Shtetet e Bashkuara, organizuar nga Ambasada e SHBA’së në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›