Inspektohen naftëtarët
Në pamundësi që kontrabanda me derivate të naftës të luftohet në pikat doganore në veri, Ministria e Tregtisë e ka ndërruar destinacionin.
Express ka mësuar se inspektimet tash e tutje do të fillojnë nëpër pikat e shitjes brenda Kosovës. Në këtë mënyrë, inspektorët përmes laboratorëve të certifikuar, do të konstatojnë se cila është naftë cilësore e cila e kontrabanduar.
Për këtë qëllim është në ndryshim e sipër edhe Udhëzimi Administrativ për cilësinë e derivateve të lëngëta të naftës 2008/21. Me këto ndryshime, sipas zyrtarëve të MTI-së, synohet të rritet cilësia e karburanteve në treg dhe të pamundësohet kontrabanda me këtë produkt.
“Duke filluar nga përqindja e sulfurit në karburante dhe lubrifikante do të jetë me e reduktuar apo konform rregullativave të Unionit Evropian, si dhe forma tjera të mbikëqyrjes së cilësisë”, ka thënë Ramadan Buzhala, drejtor i Zyrës për licencim, rregullim dhe vëzhgim në sektorin e naftës në Kosovë.
Me këto ndryshime pajtohen edhe drejtuesit e Shoqatës se Naftëtarëve, por kërkojnë që kontrabanda të luftohet edhe në pikat doganore në veri.
Në takimet që Shoqata ka pasur me zyrtarët e MTI-së kanë kuptuar që ideja e këtyre ndryshimeve është që të rritet kontrolli dhe të pamundësohet kontrabanda. Kjo do të arrihet përmes inspektimeve nëpër çdo pikë të shitjes.
“Na është thënë se do të krijohen grupe inspektuese, të cilat do të konstatojnë kur nafta është cilore apo e kontrabanduar”, ka thënë Fahri Ratkoceri, nënkryetar i Shoqatës së Naftëtarëve.
Gjithashtu propozimet e Ministrisë kanë qenë që të krijohen laboratorë të certifikuara, që do ta bëjnë verifikimin e naftës. Me këtë, sipas Ratkocerit, është menduar që t’i iket asaj që të ketë vetëm një laborator.
Ndërkaq, për lëvizjen e çmimeve të derivateve dhe cilësinë, thotë të mos jenë fajtorë importuesit. Sipas tij, Kosova kryesisht furnizohet me derivate nga rafineritë e OKTA-s dhe se çmimet atyre u diktohen. Ka raste kur çmimet në bursë bien, por janë rafineritë ato që i mbajnë të larta.
Sipas njohësve të kësaj fushe, cilësia e naftës dhe e derivateve të saj në Kosovë është më e ulëta në rajon. Bëhet fjalë për ato derivate që kanë përmbajtje të sulfurit 50 ppm, që është e ndaluar në shtetet e BE-së. Shumica e derivateve të naftës importohet nga Maqedonia, ku përqindja më e madhe e sulfurit gjendet te nafta e rafinerisë maqedonase OKTA.
Sipas statistikave të MTI-së, në Kosovë rreth 65 për qind e derivateve të naftës janë me përqindje të sulfurit 50 ppm, ndërsa mbi 30 për qind importohen produkte të naftës me 10 ppm. Ndërkaq, me ndryshimet e fundit, standardi i naftës së importuar do të jetë me përmbajtje të sulfurit vetëm 10 ppm. Kaq është e lejuar edhe në vendet e BE-së.
Nga ana tjetër, edhe Komisioni Kosovar i Konkurrencës është duke hetuar naftarët nën dyshimet se po i kurdisin çmimet. Dyshimet e Komisionit bazohen në atë se kur çmimet e derivateve në tregjet ndërkombëtare rriten, naftëtarët kosovarë menjëherë e bëjnë të njëjtën gjë. Ndërkaq, kur ato ulen, çmimet mbesin të njëjta.
Ndryshe, në Bashkimin Evropian që prej vitit 2005 në treg mund të gjendet naftë makinash me njësinë matëse të sulfurit prej 10 ppm. Ky nivel ka filluar të zbatohet edhe në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2007. Ndërkaq, në Shqipëri nafta 10 ppm ka qenë e detyrueshme për tregtim nga 1 janari i këtij viti. Niveli prej 50 ppm, aq sa shitet në Kosovë, që prej gjashtë vjetësh është nivel i tejkaluar dhe lejohet vetëm nëpër autostrada të caktuara të vendeve të zhvilluara perëndimore.