Sulmon AAK’në
Express: Pas largimit të Pacollit nga Presidenca, më nuk jeni në institucione. Çka jeni duke bërë aktualisht?
Maloku: Jam në komunikim të vazhdueshëm me Pacollin, dhe jam duke biseduar edhe me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashin, për angazhim. Dhe normalisht po rri këtu në Pejë, po lexoj literaturë sikur më përpara, si hobi..
Express: Për çfarë angazhimi keni biseduar me Ministrin Gashi?
Maloku: Është një bisedë rreth angazhimit tim si bashkëpunëtor i jashtëm, për dy projekte konkrete që do t’i ketë Ministria dhe normalisht me z. Pacolli jam takuar disa herë prej se jemi larguar nga Presidenca. Dhe, do të kem edhe takime të tjera.
Express: Por, a keni menduar të ktheheni në AAK?
Maloku: Unë jam në AAK, jam anëtar i AAK’së. Sa i përket kthimit tim si zyrtar i lartë, mendoj se në këtë fazë jo. Projekti im, që ka qenë i elaboruar publikisht pas 12 dhjetorit për të hyrë në koalicion AAK’ja, nuk ka kaluar në strukturat e larta të partisë. Jam munduar rreth dy muaj që projektin tim ta shtyjë përpara dhe që Aleanca ta marrë përgjegjësinë në qeverisje me vendin. Pasi që ai projekt nuk ka kaluar, mendoj se edhe parim në demokraci është që unë është dashur të tërhiqem nga pozitat ose funksionet udhëheqëse të partisë. Tani partia udhëhiqet nga krahu, ose grupi që ka menduar se mbetja në opozitë dhe në këtë situatë është më mirë për AAK’në dhe vendin. Le të shohim.
Express: A e keni ndryshuar qëndrimin se AAK’ja është dashur të hyjë në Qeveri?
Maloku: Jo. Çdo ditë që po kalon dhe po e shoh këtë Aleancë, pra Grupin parlamentar të AAK’së, me këtë udhëheqje që ka, pa koncept, pa vizion, që fare nuk paraqesin ndonjë alternativë pushteti. Po i shoh edhe zhvillimet e muajit të kaluar se praktikisht marrëveshja e Isa Mustafës me Thaçin dhe Pacollin që e lanë AAK’në të pakonsultuar fare, më bind që mendimi dhe qëndrimi im ka qenë i drejtë. Nuk kam ndryshuar asgjë. Mendoj se kam pasur të drejtë. Edhe në takimet që i kam me strukturat e niveleve të ulëta të partisë në pjesën e Dukagjinit, ku edhe jetoj, mbizotëron mendimi se kam pasur të drejtë.
Express: Megjithëkëtë, në AAK kanë shprehur keqardhje për vendimin tuaj që të shkoni si këshilltar i Pacollit?
Maloku: Vetëm një person e kam dëgjuar se ka shprehur keqardhje. Mendoj se ajo ka qenë një keqardhje e pavend e tij. Unë nuk e kam dëmtuar AAK’në. Këshilltar në Presidencë për çështje të sigurisë nuk kam shkuar për inat të AAK’së, as kundër AAK’së. Por, kam shkuar sepse kam pasur një ofertë dhe ajo më është dukur e arsyeshme që unë të jem në atë pozitë.
Express: A keni më vend në AAK, nëse mendoni të ktheheni?
Maloku: Paj, unë jam në AAK, nuk e di çfarë pyetje është kjo. Unë jam në AAK. A kam menduar të konkurroj për pozita të larta - ende nuk kam menduar për një vendim të tillë. Pra, deri në zgjedhjet e ardhshme të brendshme të Partisë, do të kem kohë të mendoj, se a t’i hyjë edhe një herë garës për pozita të larta udhëheqëse të partisë, a jo. Për një vendim të tillë nuk kam menduar ende.
Express: Fatmir Sejdiu ka thënë se gati ishte finalizuar marrëveshja për koalicion parazgjedhor ndërmjet LDK’së dhe AAK’së. Pse nuk ndodhi kjo, pasi ju në atë kohë keni qenë nënkryetar?
Maloku: E kam dëgjuar atë mendim të Fatmir Sejdiut, por nuk e besoj që pas asaj që ka ndodhur - pra në mes të GP të AAK’së dhe Sejdiut. E dini se nënshkrimet për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese Fatmir Sejdiun, i ka mbledhur GP i AAK’së. Pra, Ardian Gjini me shokë. Kjo ka qenë filozofia e tyre. Nuk kam qenë nënshkrues i asaj kërkese. As atëherë me GP të AAK’së, se jo që nuk e kam ditur që Sejdiu ka bërë shkelje kushtetuese, por nuk e kam ditur se çka do të ndodhë pas asaj. Nuk e kanë pasur të qartë as GP i AAK’së dhe ata që i kanë mbledhur ato nënshkrime dhe i kanë dërguar në Gjykatë. Nuk e kanë pasur as për së afërmi idenë se çka do të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese e bie atë vendim që e ka prurë. Kjo e ka sjellë AAK’në në pozitë jashtëzakonisht të keqe, sepse erdhën zgjedhjet e jashtëzakonshme pa prezencën e Kryetarit Haradinaj në Kosovë. Nuk e besoj se edhe po të ishte Fatmir Sejdiu kryetar, që do të kishte hyrë në koalicion me një parti që e ka detyruar që të japë dorëheqje nga pozita e Presidentit.
Express: A ka pasur biseda serioze ndërmjet udhëheqjes së AAK’së dhe LDK’së për të shkuar bashkë në zgjedhje?
Maloku: Para zgjedhjeve, ka pasur bisedime, së paku ashtu kemi qenë të informuar. Edhe pse unë nuk kam qenë në ato bisedime, por sipas asaj që na informonte z. Blerim Shala, mendoj se ashtu kemi qenë të informuar se ka pasur kryesisht një kërkesë nga ana e AAK’së që të shkohet me një listë të përbashkët zgjedhore. Përveç një tentative, nuk ka pasur ndonjë rezultat, ose ndonjë hap në atë drejtim.
Express: Pse nuk u realizua ajo marrëveshje?
Maloku: LDK’ja ka vendosur mirë që nuk ka hyrë në koalicion me asnjë parti. LDK’ja ka dashur që në zgjedhjet e kaluara ta shohë se ku gjinden vetë, e jo me qenë në koalicion me partitë e tjera. Ka qenë veprim shumë i mirë për shkak se po të kishte hyrë me çfarëdo partie në koalicion parazgjedhor, LDK’ja nuk do të mund ta dinte tani sa e ka fuqinë reale. LDK’ja e ka këtë fuqi që e ka, dhe nga kjo pozitë mund ta projektojë marrjen e pushtetit. Po të kishte hyrë me AAK’në, do të kishin mbetur prapë me opozitën. Për të dy partitë do të kishte qenë më keq.
Express: E përmendët z. Haradinaj. Edhe në intervistën e fundit për Express, keni thënë se nuk do ta shqyrtoni pozicionin në parti pa u kthyer Ramushi në Kosovë. Pse nuk e pritët Ramushin?
Maloku: Unë nuk e kisha idenë që do të më vijë puna që unë ta kem një ofertë për të qenë Këshilltar për Siguri në Presidencë. Nuk e kam shqyrtuar pozitën time - e kam shqyrtuar vetëm pozitën në funksionet e larta të partisë. Por, unë nuk jam tërhequr nga partia.
Express: Javëve të fundit ka pasur debate të mëdha për shërbimet sekrete të partive politike. Kjo temë tashmë ka mbërritur në Kuvend. Si i vlerësoni këto zhvillime?
Maloku: Grupi parlamentar i AAK’së e ka iniciuar atë komision hetimor. Ajo nuk sjell kurrgjë dhe kurrfarë dobie as për Kosovën, as për qytetarin e Kosovës. Ky është mendimi im, pra, mungesa e programit, mungesa e vizionit, mungesa e filozofisë politike, praktikisht ajo nervoza e të qenit në opozitë. Grupi parlamentar i AAK’së nuk ka asnjë vizion të brendshëm, pra nuk ka fare koordinim, as të brendshëm, është tejet heterogjen, i padije, i paqasje ndaj një qasjeje konstruktive, pa paraqitur ndonjë variant ose pa paraqitur fare një variant për qytetarin, atëherë janë marrë njerëzit nga AAK’ja me një temë që kanë menduar që me atë temë do të dalin në sipërfaqe si një parti, si një GP, si do individë që tash gjoja se kanë prurë risi në Kuvendin e Kosovës, kanë sjellë ide të mëdha. Mendoj se duhet qasje tjetër ndaj të kaluarës sonë dhe jo kjo që e ka marrë Burim Ramadani me ndonjë tjetër të AAK’së.
Express: Keni vlerësime kaq negative për AAK’në, e çfarë mendoni për punën e Qeverisë aktuale?
Maloku: Vlerësimi im për Qeverinë - të presim tani njëqind ditë të kësaj qeverisjeje. Ata po mundohen të bëjnë atë që munden. Praktikisht, PDK’ja ka mbetur e detyruar të shkojë me AKR’në në koalicion dhe me minoritetet, për shkak se tri grupet e tjera parlamentare nuk kanë dashur të hyjnë në koalicion me PDK’në. Pra, nuk ka pasur PDK’ja zgjidhje tjetër. Një numër i ministrave, si emra, japin një shpresë se do të ketë ndryshime pozitive në menaxhimin e resorëve të Qeverisë.
Express: Çka duhet të bëjë opozita?
Maloku: Nga opozita nuk shoh alternativa. Dhe, kur mungon alternativa, atëherë nuk ke asnjë pikëmbështetje për ta kundërshtuar Qeverinë. LDK’ja mbeti e paralizuar me marrëveshjen që e bëri Isa Mustafa me PDK’në dhe nuk e di tash çfarë opozite mund të bëjë LDK’ja në këto dy vite e gjysmë, deri në përfundim të këtij mandati. LDK’ja praktikisht është as opozitë, as pozitë. AAK’ja nuk ka ndonjë vizion të qartë dhe program me të cilin do të paraqitet si alternativë e pushtetit dhe Vetëvendosja i ka qëndrimet e veta parimore dhe do t’i përmbahet asaj filozofie.
Express: Si politikan që jeni marrë shumë me çështjet e sigurisë, çka dini më shumë për shërbimet sekrete vendore?
Maloku: Mua më ka habitur fakti që ish-Këshilltari i Parë i Ministrit të Punëve të Brendshme në mandatin e parakaluar, pra, Burim Ramadani, tani si deputet kërkon hetim parlamentar për SHIK’un. Ai ka qenë tri vjet në Qeverinë, të cilën e ka udhëhequr AAK’ja dhe diku katër-pesëqind metra larg ndërtesës së Qeverisë, ku ai ka qenë këshilltar në MPB, kanë qenë zyrat e SHIK’ut. Si është e mundur që gjashtë vjet ka qenë AAK’ja në pushtet dhe tri vjet e kemi pasur MPB’në dhe askush të mos pyesë se çka bën SHIK’u në ato zyra dhe me çfarë pune merret. Kjo është ajo që qytetari i thjeshtë i Kosovës sot çdo kund e qet si një vërejtje ndaj kësaj iniciative. Kosova ka dalë nga lufta me një numër të shërbimeve të ashtuquajtura sekrete, të cilat e kanë një të kaluar, secila të veten. LDK’ja e ka pasur strukturën e shërbimit të vet. Brenda dhjetë viteve të funksionimit, para luftës dhe gjatë lufte, dhe pas luftës. LDK’ja vazhdon me shërbimin e vet. Ka pasur shërbim edhe në kuadër të TMK’së, G2’shi, si sektorë të veçantë. Ka pasur edhe disa tentime për të pasur shërbime të tjera më të vogla. Pas luftës, në Kosovë kanë qenë dy shërbime të mëdha informative dhe ka pasur tri – katër shërbime më të vogla. Kjo është historia e shërbimeve sekrete në Kosovë. Jo e dallueshme edhe nga e kaluara, e edhe të shteteve të tjera që kanë dalë nga ish-Jugosllavia. Sllovenia ka dalë me dy shërbime sekrete nga lufta. Kroacia ka dalë me pesë shërbime sekrete dhe Bosnja i ka shërbimet në dy entitete. Kjo është histori e ngjashme e jona me shtete të tjera, e ngjashme me historinë e Kroacisë së pasluftës.
Express: Si do të duhej të mbyllej historia me këto shërbime?
Maloku: Në qoftë se dikush dëshiron të ngre komision parlamentar për të kaluarën e Kosovës, atëherë do të duhej të ngre një Komision parlamentar prej të gjitha grupeve parlamentare nën betim dhe të dalë publikisht – krejt çka iu ka ndodhur keq, pra secilit prej jush, urdhëroni dhe depononi dëshmitë e juaja në këtë komision parlamentar. Nga ato deponime, do të dilte fotografia e secilës parti politike. Agjencia Kosovare e Inteligjencës, që është në ngritje e sipër, do të duhej ta ketë një sektor të veçantë, i cili do të merrej me mbledhjen e informacioneve për shërbimet që kanë ekzistuar - para, gjatë dhe pas luftës. Të gjitha këto shërbime, posaçërisht SHIK’u dhe Sigurimi i Atdheut dhe të gjitha shërbimet që kanë qenë në të kaluarën – dosjet e tyre, dokumentacioni i tyre është i një rëndësie të veçantë për Kosovën, për të parë se nëpër cilat rrugë ka kaluar Kosova. Ato më tepër kanë një rëndësi historike për të parë të kaluarën tonë. Mirëpo, AKI’ja nga këto arkiva do të mund të kishte shumë të dhëna të cilat do t’i përdorte në punën e vet. Marrja me këto shërbime brenda Kosovës asgjë nuk i sjell Kosovës, as qeverisjes me vendin, përveç fjalosjes që po e shohim në Kuvendin e Kosovës.
Express: Raportet ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX’it janë në pikën më të ulët. Pse ky konfrontim ndërmjet vendorëve dhe ndërkombëtarëve?
Maloku: Shikoni, kur EULEX’i heton ndonjë qytetar të Kosovës, atëherë ngrihet pluhur dhe thuhet se EULEX’i është i motivuar, i shtyrë nga Serbia, nga shërbimet sekrete serbe dhe menjëherë ky mision qitet në anën e Serbisë. Mirëpo, kur Policia e Kosovës bën burgosjen, ose hetimin – rasti i fundit i zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, mbrojtësit e të gjashtë të akuzuarve për krim të organizuar kërkojnë që rastin ta marrë EULEX’i. Pra, automatikisht rastin kërkojnë ta marrë EULEX’i, se më i besueshëm qenka EULEX’i për ta, sesa institucionet e Kosovës, Policia dhe gjyqësia. Mos të them se edhe me çfarë kualifikimesh doli Isa Mustafa dhe LDK’ja në raport me Policinë e Kosovës dhe me organet hetuese. Kundërshtimi blanko i çdo veprimi që ndërmerr EULEX’i dhe hetuesia e BE’së se ai qenka nën dirigjimin e Serbisë, mendoj se nuk na çon askund. Mendoj se misioni i EULEX’it është përgatitja e Kosovës për t’u integruar në BE. Shkurt, Kosova ka nevojë për ndihmën e BE’së, për ndërtimin e shtetit ligjor, për ndërtimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë, të drejtësisë në Kosovë.