Cila është e vërteta?
Ardi Vrenezi është viktimë e familjes së tij. Kështu së paku kanë thënë për media të huaja, zyrtarë të lartë të Qeverisë së Francës dhe ambasada e këtij shteti në Kosovë. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës kanë thënë për AFP se Franca ka ofruar ndihmën e saj për Ardin, pesëmbëdhjetëvjeçarin e paralizuar që nga viti 2005. “Franca është e gatshme ta marrë adoleshentin për shërim.
Por familja dëshiron që nëpërmjet tij, të fillojë jetën në Francë, e cila është tejet e mirë për azilantët, për çdo person 400 euro, banesa e paguar, rryma dhe gazi i paguar”, citohet të kenë thënë zyrtarë të Francës. Për këtë arsye, Express ka udhëtuar edhe një herë në Malishevë për të pyetur babanë e Ardit, Asllanin se si është e vërteta. Por ai vazhdon të këmbëngulë se askush nuk ia ka ofruar këtë mundësi, në të kundërtën do të ishte i lumtur sikur i biri t’i shërohej në Francë, qoftë edhe pa praninë e tyre atje.
Këto reagime kanë ndodhur pas publikimit të shkrimit për Ardi Vrenezin në Express. Për këtë arsye, edhe Antonio Martinni, një gazetar nga Franca, pas publikimit të shkrimit, i ka dërguar një plotësim gazetës, ku thuhet se për këtë rast, ai personalisht ka kontaktuar me Alain Jupe, ministër i Punëve të Jashtme të Francës. “Ministri ka dhënë lejen për shërimin e djaloshit në Francë. Po ashtu, Jupe nga zyra e tij i ka dërguar informatën babait të Ardit se ai mund ta sjellë djalin e tij kur të dojë në Francë, por deri më tani nuk ka marre ndonjë përgjigje nga babai”, citon gazetar Martinni, fjalët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi. Edhe ai beson se bazuar në informacionet që ka marrë nga Kosova, kjo familje dëshiron që nëpërmjet të birit, të dalin të gjithë në Francë.
“Babai dëshiron që me fëmijën dhe familjen të shkojë në France, ose përndryshe nuk e dërgon fëmijën fare”, pohon Martinni, i cili thotë se këtë informacion e ka marrë nga organizata Handikos në Kosovë. Mirëpo, Asllan Vrenezi, babai i Ardit, mohon që përveç ilaçeve, shteti francez t’i ketë ofruar ndonjë ndihmë tjetër për djalin. “Unë kurrë nuk kam pasur ofertë prej shtetit të Francës që ta kthejë djalin tim atje”, thotë Asllani për Express. “Sepse, po të më ofrohej kjo mundësi, unë patjetër që do ta dërgoja edhe nëse nuk lejohet ndonjë tjetër familjar që ta shoqërojë Ardin, vetëm që ai të shërohet”, pohon ai. Edhe në Handikos të Malishevës, nuk pohojnë se ka pasur ndonjë bisedë me qeverinë e Francës për një mundësi të tillë.
“Jo, me ne nuk ka biseduar asnjëherë askush për dërgimin e Ard Vrenezit për shërim në Francë”, thotë Feride Hoxha, përfaqësuese e Handikosit në Malishevë. Ajo për Express tregon se njëherë janë vizituar nga Ambasada franceze ku kanë pyetur për rastin e Ardit. “Edhe ata e kanë parë se ne si Handikos nuk kemi asnjë mundësi për trajtimin e fëmijëve me sëmundje të tilla”, thotë ajo. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Francës kanë deklaruar se Ard Vrenezit i janë dërguar barëra në gusht të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti. Po ashtu, sipas gazetarit Martini, qeveria franceze ka theksuar se janë dërguar edhe të holla, të cilat do të mbulojnë vizitat e mjekut dhe kontrollet mjekësore, mirëpo deri më tani kjo gjë nuk është vërtetuar me asnjë fakt.
Familja Vrenezi nga fshati Marali i Malishevës, për dy vjet me radhë, ka qëndruar në shtetin francez si azilkërkues, me të vetmin qëllim shërimin e djalit të tyre, Ardit, i cili u paralizua në vitin 2005. Por edhe përkundër faktit se djali i tyre është i paralizuar në shkallën më të rëndë, autoritetet franceze nuk e morën parasysh këtë fakt dhe vitin e kaluar, këtë familje e dëbuan për në Kosovë. Ky rast ka zgjuar reagime edhe në Francë, e sidomos tek organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Mirëpo, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës kanë deklaruar për AFP-në se dëbimi i familjes Vrenezi ka të bëjë me çështjen e azilit, sepse kjo familje nuk përmbush vlerat thelbësore për të fituar azilin. “Edhe pse një person është i sëmurë, në rregulloren për azil nuk ka ndonjë paragraf, i cili thotë se ai nuk guxon të ekstradohet”, thuhet në sqarimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo familje është riatdhesuar nga Franca. Pavarësisht këtyre, familja e Ardit do të bëjë ç’është e mundur që ta dërgojë sërish djalin në spitalin ku ka qëndruar për dy vjet. Babai i tij ka thënë për Express se në qoftë nevoja, do ta ndërrojë edhe nënshtetësinë, vetëm që të gjejë zgjidhje për djalin e tij.