E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhep Qosja i bën “bllok” çmimit të letërsisë

Rexhep Qosja, me romanin "Bijtë e askujt", është tërhequr nga konkurrimi për çmimin letrar 2010, që ndan Ministria e Kulturës së Kosovës. Kërkesat për largimin e tij nga gara për çmimet, tashmë është dorëzuar edhe në MKRS. Këtë e ka pohuar për mediat kosovare edhe vetë drejtori i Departamentit të Kulturës, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Sami Piraj. Në një prononcim, Piraj ka thënë se MKRS-ja edhe në mënyrë zyrtare e ka marrë kërkesën e Qoses për t'u tërhequr nga gara për çmimin vjetor letrar. Botuesi i tij i Shtwpisw botuese "Valdoli" ka bërë të ditur se e tërheq propozimin e tij "Bijtë e askujt" për çmimin vjetor për letërsi, pasi, sipas tij, propozimin e ka bërë pa konsultime me autorin e romanit, Rexhep Qosja, ka thënë Sami Piraj, Romani "Bijtë e askujt", i akademik Rexhep Qosjes, ishte propozuar për çmimin vjetor letrar në gjininë e prozës nga shtëpia botuese "Valdoli". Romani ka dalë para lexuesve vitin që shkoi dhe është pritur mjaft mirë nga lexuesit dhe kritika letrare. Në fund të vitit që shkoi, Qosja me këtë roman e pati marrë çmimin letrar "Pjetër Bogdani", të cilin e ndan Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës. Në anën tjetër, MKRS-ja, pas shumë përpjekjeve, ka arritur ta formojë jurinë, e cila do të merret me vlerësimin e veprave, të cilat do ta marrin çmimin vjetor për letërsinë. Shumë krijues dhe studiues të letrave kishin refuzuar të jenë pjesë e jurisë përzgjedhëse, edhe përkundër një honorari të mirë që mund të merrnin. Drejtori i Departamentit të Kulturës, Sami Piraj, ka thënë se MKRS-ja e ka formuar jurinë, e cila do të merret me vlerësimet dhe se çdo gjë do të jetë gati dhe çmimet do të ndahen sipas përllogaritjeve. "Ne tashmë e kemi edhe jurinë, e cila besoj se do ta kryejë punës e saj brenda afati të paraparë", ka thënë Piraj, duke pohuar se fituesi i çmimit do të bëhet i ditur në prag të 3-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›