E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Rrugët që do të rikonstruktohen në Njësinë 2 dhe 7

Kryebashkiaku konsulton projektbuxhetin me banorët e Minibashkisë Nr.2 dhe Nr.7. Investimet që parashikohen për këto njësi gjatë vitit 2012

Rikonstruksioni i rrugëve do të jetë një ndër prioritetet kryesore të Bashkisë së Tiranës, për vitin e ardhshëm. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, është konsultuar dje për projektbuxhetin e vitit 2012 me banorët e Njësisë Bashkiake Nr. 2 dhe Nr.7, duke u premtuar rrugë të reja banorëve të këtyre zonave. Basha i njohu banorët me projektet që mbështet ky projektbuxhet, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe prioritetin kryesor, punësimin. Për të rritur punësimin, por edhe zhvillimin ekonomik të Tiranës, Basha bëri të ditur se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të propozohen lehtësi fiskale për bizneset dhe kompanitë që hapin vende të reja pune. “Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, përveç buxhetit, do i propozoj Këshillit Bashkiak edhe eliminimin e të gjitha taksave dhe tarifave vendore, për të gjitha bizneset e reja që punësojnë 50 apo më shumë qytetarë të Tiranës nga lista e të papunëve në zyrën e punës në Tiranë, uljen me 30% të taksës së ndikimit në infrastrukturë, për të gjitha sipërmarrjet që punësojnë mbi 75 qytetarë të Tiranës dhe që i punësojnë ata rishtazi, siç mund të evidentohet nga lista e të papunëve në zyrën e punës në Bashkinë e Tiranës”, - tha kryebashkiaku. Në projektbuxhet janë parashikuar 100 ha rikualifikime urbane, ndërtimi i rreth 65 000 m2 rrugë, prej të cilave 33 000 m2 do të jenë rrugë tërësisht të reja. Po ashtu parashikohet rikonstruksioni i rreth 153 000 m2 rrugë ekzistuese dhe 79 000 m2 trotuare. Kreu i Bashkisë ka bërë të ditur se vetëm në Njësinë Bashkiake Nr.2 parashikohet ndërtimi dhe rikonstruksioni i 5 arterieve kryesore. “Në Njësinë Bashkiake Nr.2 ne kemi ndjekur një metodologji e cila na ka sjellë, së bashku me përfaqësuesit e kësaj njësie bashkiake, në propozimet për ndërtim dhe rikonstruksion të pesë arterieve kryesore të kësaj njësie bashkiake dhe kjo është rruga ‘Petro Nini Luarasi’, rruga ‘Arben Broci’, rruga ‘Bajram Allaraj’ si dhe rikonstruksioni i rrugës ‘28 Nëntori’ dhe projekti i rikualifikimit urban për sheshin te Pazari i Ri dhe sheshin ‘Avni Rustemi’”, - tha Basha. Banorët e Njësisë Bashkiake Nr.2 i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë të parashikojë në investimet e këtij viti edhe rrugën ‘Gramoz Pashko’. Basha bëri të ditur se buxheti i akorduar për këtë njësi do të rishikohet, me qëllim konsiderimin e kësaj kërkese të banorëve. Gjatë pasdites, kryetari i Bashkisë bëri të ditur edhe projektet konkrete në Njësinë Bashkiake Nr.7 që mbështeten nga projektbuxheti, të cilat janë: rrugë çerdhe, kopshte, shkolla, qendra sociale etj. “Për Njësinë Bashkiake Nr.7, në projektbuxhetin 2012 planifikohen disa investime kapitale, siç është rikostruksioni i rrugës ‘Mic Sokoli’, rikostruksioni i rrugës ‘Preng Jakova’, rikostruksioni i rrugës dytësore, rikostruksioni i Kopshtit 17 në rrugën ‘Myslym Shyri’, Çerdhja 47 në ‘Myslym Shyri’, Çerdhja 35 në rrugën ‘Frederik Shikora’”, - tha Basha. Një projekt që ai e konsideruar të rëndësishëm për këtë njësi bashkiake, është edhe ai i rikualifikimit urban i bllokut tek Dogana.

Rrugët që rikonstruktohen

Njësia 2

Rruga “Petro Nini Luarasi”

Rruga “Arben Broci”

Rruga “Bajram Allaraj”

Rruga “28 Nëntori”

Rikualifikimi urban i sheshit te Pazari i Ri

Rikualifikimi urban i sheshit te “Avni Rustemi”

Njësia 7

Rruga “Mic Sokoli”

Rruga “Preng Jakova”

Rruga dytësore

Çerdhet

Kopshti 17 në rrugën “Myslym Shyri”

Çerdhja 47 në “Myslym Shyri”

Çerdhja 35 në rrugën “Frederik Shikora”

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›