Përdhunimi, studentja "shpik" akuzën
TIRANE- Studentja 19-vjeçare denoncon tentativën e përdhunimit pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Disa orë më vonë ajo është penduar dhe deklaroi përpara hetuesve se ka qenë në gjendje të dehur bashkë me shokun e saj dhe nuk ka tentuar askush ta përdhunojë. Studentja e Hoteleri-Turizmit, në një universitet privat, Jonida GJ., 19 vjeçe nga Lapraka, ka denoncuar dy ditë më parë se një person kishte tentuar ta përdhunonte. Për këtë ajo ka denoncuar 27-vjeçarin Agustin P., nga Lezha. Të dy ata, sipas burimeve të policisë, janë gjendur në festën e një mikut të tyre të përbashkët, ku edhe kanë pirë dhe të dehur sipas policisë janë larguar nga festa. Ata janë gjendur nga një patrullë e uniformave duke u grindur. Më pas ata janë përcjellë për në Komisariatin e Policisë nr.2, ku janë marrë në pyetje. Fillimisht studentja nga Lapraka ka deklaruar se personi që e shoqëronte kishte tentuar ta përdhunonte. Por vetëm disa orë më vonë kur asaj i kishte dalë pija ka deklaruar të kundërtën. Kjo ka vënë në pozitë të vështirë policinë për klasifikimin e ngjarjes, por dosja është përcjellë nga policia në prokurori, ku duhet të zgjidhet përfundimisht. d.b