E Diel, 1 Nëntor 2026

Blendi Klosi: Ndërkombëtarët, po ijapin mbështetje PS

TIRANE- Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi shpjegoi dje gjatë një interviste në “News 24”, në “5 pyetjet nga Babaramo” se PS-ja ka shpresë tek vendimi i Kolegjit për mandatin e Edi Ramës në Tiranë. Por, ai tha se forumet do të diskutojnë përshkallëzimin e protestave dhe lënien e mandateve të deputetëve, në rast se refuzohet mandati i Ramës.
A ishte normale situata që ju ‘pushtuat’ KQZ-në?
Mendoj se nuk kemi arritur deri aty. Mos harroni se jemi deputetë, jemi përfaqësues të popullit dhe në bazë të të gjitha këtyre duhet të merrnim pjesë në një mbledhje të KQZ-së, ku po vendosej fati i demokracisë në Shqipëri. Nuk bëhej fjalë se kush do ta merrte fitoren, por bëhej fjalë, a do kemi zgjedhje të ndershme në Shqipëri apo jo. Problemi pse ne ishim aty, nuk është vetëm për procesin elektoral, por për procesin demokratik.
Zoti Rama ka folur për revolta popullore...
Revoltat janë pjesë e strategjisë sonë. Forca jonë po përgatit masat që do të marrë në shërbim të mbrojtjes së demokracisë në Shqipëri. Kemi aleanca të mëdha dhe problemi nuk është me PS-në. Shikoni se çfarë do të bëjë Sali Berisha pas kësaj. Shikoni se ç’do të bëjë qeverisja në të ardhmen. Janë shembuj që tregojnë se kështu luftuan njerëzit edhe në 1990-ën, me rrëzimin e simboleve të komunizmit, me “Zërin e Amerikës”, i cili edhe atëherë fliste kundër regjimit. Po të shikosh sot, mesazhet e ndërkombëtarëve janë në mbështetje të PS-së.
Çfarë qëndrimesh do të mbani?
Sot morëm vendim për një kontakt të vazhdueshëm me gjithë elektoratin për të nisur organizimin e revoltës popullore, si një kërkesë për të mos pranuar atë që ndodhi në Shqipëri.
A do të dorëzoni mandatet?
Ky është një nga argumentet që hidhen. Është një hipotezë që do të fillojë të diskutohet nga forumet e partisë. Unë personalisht do të isha radikal me institucionin e zgjedhjeve. PS nuk duhet të trajtohet si një parti humbëse, sepse sot ajo drejton 3 të 4 e vendit. Ne do të sillemi gjithmonë si fitues. Në rast të grabitjes së mandatit në Tiranë, do të vazhdojmë veprimet tona. Megjithatë, ne kemi ende shumë besim te drejtësia në Shqipëri. Kemi besim edhe që qytetarët do t’u përgjigjen të gjitha thirrjeve tona, ashtu siç dolën në 8 maj.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›