E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blerja e drogës, 49 mijë euro në Maqedoni

 

TIRANE - Hetimet e Krimeve të Rënda për veprimtarinë e trafikut të drogës nga katër të arrestuarit e aksionit "Mesfushori 1", kanë zbardhur rolin e secilit prej anëtarëve të grupit. Mikel Dima, i liruar pak ditë më parë nga Gjykata e Lartë,  ka qenë i pari që është vendosur në qendër të hetimeve nga agjentët e antidrogës dhe sektorit kundër krimit të organizuar. Ndjekja e të dyshuarit kryesor ka ekspozuar më pas edhe veprimet e personave që ai kishte "pajtuar", me qëllim transportimin e ngarkesave të lëndës narkotike në cilësinë e korrierëve të saj. Ngarkesa e 4 kile heroinë, e bllokuar në hyrje të Elbasanit më 9 janar 2009, është blerë në Maqedoni për 49 mijë euro. Shuma financiare është dorëzuar te trafikantët e drogës në Maqedoni, nga Mikel Dima. Sasia e parave dyshohet se është siguruar përmes disa bizneseve dhe episodeve të mëparshme të trafikut të drogës. Prokuroria pohon se 38-vjeçari Dima, banues në Elbasan, ndiqej prej kohësh nga agjentët e policisë si i dyshuar për një veprimtari të dyfishtë, që fillonte me biznesin e lojërave sportive dhe shtrihej më tej deri në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve. Pikënisja e hetimeve ka qenë pikërisht hetimi mbi veprimtarinë e Mikel Dimës, i cili dyshohet se gjatë katër muajve ka trafikuar edhe dy ngarkesa të tjera me drogë, të cilat nuk është arritur të zbulohen në kohë. Përmes përgjimeve telefonike është mësuar se Mikel Dima ka komunikuar në telefon me të arrestuarin tjetër Thanas Bebi, të cilit i ka pohuar se kishte marrë drogën në dorëzim dhe do të nisej për në Shqipëri, pasi kishte paguar shumën 49 mijë euro tek disa persona në Maqedoni. Pas blerjes së lëndës narkotike, Prokuroria tha se në lojë kanë hyrë personat e tjerë të cilët ishin ngarkuar me transportimin e ngarkesës deri në Elbasan, ku në ambientet e laboratorit do të bëhej përpunimi dhe presimi i saj me qëllim shpërndarjen e mëtejshme në tregun kriminal të drogës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›