E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata liron "pronarin" e laboratorit të kokainës

 

Trazhgim Sokolaj

Gjykata e Lartë liron nga paraburgimi të akuzuarin për trafik lëndësh narkotike, Mikel Dima, i arrestuar nga Krimet e Rënda si pronar i një laboratori ku përpunoheshin droga të forta, heroinë dhe kokainë. Kolegji Penal i gjykatës supreme ka marrë në shqyrtim ankimin e 38-vjeçarit për masën e sigurisë "arrest me burg", të vendosur ndaj tij nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Krimeve të Rënda. Duke argumentuar me mungesën e rrezikshmërisë për t`iu shmangur hetimit, Gjykata e Lartë ka lënë të lirë të akuzuarin kryesor të Prokurorisë, në dosjen e koduar me emrin "Mesfushori 1". Bëhet fjalë për procedimin e hapur nga Prokuroria në janar të këtij viti, për bllokimin e ngarkesës me 4 kilogramë heroinë dhe 1 kilogram kokainë në Librazhd dhe Elbasan. Operacioni i koduar "Mesfushori 1" arrestoi katër persona mes të cilëve edhe Mikel Dima, i cili sipas Prokurorisë kishte marrë me qira një ambient ish-magazinash në periferi të Elbasanit, ku bëhej përpunimi i lëndëve të forta narkotike. Bashkë me Mikel Dimën, i cili ka në pronësi edhe një biznes lotosh sportive, ranë në pranga edhe Gjergji Gjika, 29 vjeç, Thanas Bebi, 40 vjeç dhe Bexhet Hidri, 40 vjeç. Për këta tre persona, Gjykata e Lartë është shprehur se duhet të qëndrojnë në qeli deri në fund të hetimit, ndërsa Kolegji Penal ka ndryshuar masën e sigurisë për Mikel Dimën, duke urdhëruar lirimin e tij. Duke iu referuar hetimeve disamujore, Prokuroria thekson se tre të akuzuarit e tjerë në dosje, kanë pasur rol "periferik" në trafikun e narkotikëve, krahasuar me veprimet e kryera nga i pandehuri kryesor Mikel Dima. Organi i akuzës tha se ka prova të pakundërshtueshme se i liruari nga Gjykata e Lartë kishte paguar 49 mijë euro te disa persona maqedonas, që kishin sjellë deri pranë kufirit shqiptar drogën që u kap më pas në dy makina pranë Elbasanit dhe Librazhdit. Policia, e cila ishte vënë në dijeni të veprimtarisë së grupit të trafikut, i ka mbajtur ata në vëzhgim me autorizim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pas hyrjes së lëndës narkotike në territorin shqiptar, në kohën kur droga po transportohej drejt Elbasanit ku ndodhej edhe "laboratori" i përpunimit, agjentët e Krimit të Organizuar kanë ndërhyrë duke prangosur të dyshuarit. Kontrolli në dy makinat e tyre ka zbuluar më pas 4 kilogramë heroinë dhe 1 kilogramë kokainë. Në laboratorin e ngritur në një ambient ish-magazinash në Elbasan, është gjetur në proces përpunimi rreth 500 gramë kokainë, e cila është sekuestruar menjëherë në cilësinë e provës materiale. Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, thanë se pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të liruar të dyshuarin Mikel Dima, ndjekja penale ndaj tij po zhvillohet në gjendje të lirë. Organi i akuzës, duket se nuk ka mundësi apelimi për këtë çështje pasi Gjykata e Lartë është shkalla supreme mbi gjykatat e tjera. Megjithatë sipas ligjit, ndjekja penale në gjendje të lirë, për persona të akuzuar për "trafik narkotikësh" mund të ushtrohet vetëm në raste të veçanta kur i pandehuri ka probleme shëndetësore ose mbajtja e tij në izolim mund të sjellë pasoja për jetën.

Të arrestuarit

Mikel Dima,38 vjeç
Thanas Bebi,40 vjeç
Bexhet Hidri,40 vjeç
Gjergji Gjika,29 vjeç

Sekuestruar
4 kg lëndë heroinë
1 kg lëndë kokainë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›