E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vrasja e policëve, e paralajmëruar”

 

Armand Bajrami

Prokuroria për Krimet e Rënda dërgoi për gjykim Afrim Hasanin, të akuzuar për vrasjen e dy policëve në Kukës më 23 mars të këtij viti. Dosja në ngarkim të 34-vjeçarit Hasani u depozitua dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në ditët në vazhdim pritet të hidhet shorti që do të përcaktojë pesëshen e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë provat penale. Sipas prokurorit Ardian Nezha, i cili ka zhvilluar hetimet për ngjarjen ku humbën jetën dy efektivët e policisë së Kukësit, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj, rezulton e provuar se vrasja ka ardhur si rezultat i kallëzimit që ata kishin bërë në prokurori për Hasanin. Në vijim gazeta boton kërkesën e dërguar dje në gjykatë. Më poshtë publikohet versioni i ngjarjes sipas kërkesës së dorëzuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. 
Mbi bazën e vendit të ngjarjes të datës 24.03.2009, Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë regjistroi procedimin penal nr.24 viti 2009, në ngarkim të shtetasit Afrim Avdi Hasani, lindur më 08.11.1975 në fshatin Petkaj, Komuna Mal Zi, Kukës, e banues në Shënmri Komuna Mal Zi Kukës i dyshuar se ka vrarë ne krye të detyrës dy punonjësit e policisë së Qarkut Kukës, konkretisht shtetasit Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila.
Nga rrethanat hetimore të çështjes provohet se dy punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, kanë qenë me detyrë Inspektor Policie në Sektorin e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Kukës, vendshërbim patrullë policie, në aksin rrugor nacional  Kukës-Tiranë. Hetimi ka provuar se i pandehuri Afrim Hasani 34 vjeç ka qenë me banim në fshatin Petkaj, Shënmri, Komuna Mal Zi Kukës. Është provuar se i pandehuri Afrim Hasani ka qenë i pa punë dhe që nga fundi i viti 2007, ku kishte qenë emigrant ekonomik ne Finlandë, nuk kishte emigruar më  jashtë shtetit por jetonte në shtëpinë e tij në fshatin Petkaj, së bashku me gruan A. Hasani, dy vajzat 4 dhe 2 vjeçe, nënën e tij N. Hasanin dhe babin e tij A. Hasani. Gjatë periudhës që kishte qëndruar në Shqipëri i pandehuri Hasani është proceduar nga autoritete gjyqësore të rrethit Kukës, për veprën penale të “falsifikimit të akteve të gjendjes civile”, ku dhe është dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Kukësit me 4 muaj burg. Nga provat e grumbulluara u arrit të provohej se me datë 16.03.2009 në qendër të fshatit Shënmri Kukës, në lokalin e shtetases Adriana (Lume) Brinja kanë hyrë me forcë shtetasit Zaim Brinja dhe i pandehuri Afrim Hasani, i cili menjëherë sapo ka hyrë në lokal ka thyer pa asnjë motiv një pasqyrë, dy karrige dhe gota e pjata që ndodheshin në një tavolinë të lokalit. Pikërisht në këtë moment shtetasja Adrijana Brinja ka komunikuar me efektivat e policisë që ndodheshin në fshatin Shënmri, konkretisht policët Ramadan Hila, Ajet Hila dhe Shkëlzen Dobrushi, duke u kërkuar atyre ndihmë për dhunën dhe dëmtimet që Afrimi i kishte shkaktuar në lokalin e saj.
Menjëherë sapo kanë marrë dijeni në lidhje me ngjarjen, tre punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi, Ramadan Hila  dhe Ajet Hila, kanë dalë në aksin rrugor Kukës-Tiranë për të bllokuar automjetin me të cilën lëvizte i pandehuri Afrim Hasani. Rreth orës 15:15 minuta, tre policët kanë parë dhe ndaluar automjetin tip “Benz Mercedes” D 240, ngjyrë e kuqe  me targë KR 3778 A, ku në vendin e parë të tij ishte i ulur si pasagjer i pandehuri Afrim Hasani. Pas ndalimit të automjetit nga punonjësit e policisë është konstatuar se në timon të mjetit ishte shtetasi Mentor Hila pronar i mjetit, në sedilen e parë të pasagjerit ishte i pandehuri Afrim Hasani dhe në sedilen e pasme ishin shtetasit Genc Avdia dhe Zamir Avdia. Pasi kanë ndaluar makinën, menjëherë punonjësit e policisë u kanë bërë thirrje për të zbritur nga makina këtyre personave, duke i kërkuar shoferit dokumentet e mjetit. Në këtë moment i pandehuri Afrim Hasani është konfliktuar me punonjësit e policisë, veçanërisht me policin Shkëlzen Dobrusha, konflikt që në fillim ka nisur me fjalë e më pas është shoqëruar me zënka deri në përdorimin e dhunës fizike në mënyre të ndërsjellët, mes policëve dhe të pandehurit Afrim.
Pas këtij konflikti me policët, i pandehuri Afrim Hasani së  bashku me shoqëruesit e tij në makinë është larguar nga vendi ku është konfliktuar me punonjësit e policisë, duke lënë në rrugë makinën në të cilën ishte si pasagjer. Tre punonjësit e policisë menjëherë kanë njoftuar sallën e operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, ku në ndihmë të tyre kanë shkuar forca policore. Menjëherë është shoqëruar për në Polici shtetasi Mentor Hila së bashku me mjetin e tij tip Benz, me targë KR 3778 A, dhe është ushtruar kontroll në banesat e shtetasve Zamir Avdia, Genc Avdia dhe Afrim Hasani. Pas kontrollit të banesës është bërë shoqërimi për në komisariat i shtetasve Zamir Avdia dhe Genc Avdia, ndërsa i pandehuri Afrim Hasani nuk është bërë e mundur të gjendej pasi i është fshehur policisë. Pikërisht në lidhje me këtë ngjarje, punonjësit e policisë Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrusha kanë bërë kallëzim penal për veprën penale të “Kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë”, kallëzim i cili është regjistruar nga Prokuroria e rrethit Gjyqësore Kukës si procedimi penal nr. 59 viti 2009, në ngarkim të pandehurit Afrim Hasani. Meqenëse në harkun kohor prej 4 orësh, i pandehuri Hasani dyshohej se ka kryer veprat penale të “shkatërrimit të pronës” dhe “kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë” më datë 18.03.2009 është vendosur të bashkohej procedimi penal nr. 58 (procedim i regjistruar mbi bazën e  kallëzimit të shtetases A. Brinja)  me procedimin penal nr 59 ku të dy procedimet janë hetuar si procedimi penal nr 59 për veprat penale te parashikuar nga nenet 150 dhe 236/2 te K.Penal në ngarkim të pandehurit Afrim HASANAJ. Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e rrethit Gjyqësorë Kukës në bazë të deklarimeve të shtetases Adrijana Brinja ka regjistruar me dt 18.03.2009 procedimin penal nr. 58 për veprën penale të Shkatërrimit të pronës vepër penale e parashikuar si krim nga neni 150 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Afrim Hasani. Vlen për t’u përmendur se në lidhje me procedimin penal nr. 58 me dt 24.03.2009 nga ana e ekspertit Mersin Halilaj është kryer akti i ekspertimit Vlerësues nr. 3 i dëmeve të shkaktuara në lokalin e shtetases Adrijana Brinja, si rrjedhojë e veprimeve të dhunshme të ushtruara nga i pandehuri Afrim Hasani. Nga ekspertimi Vlerësues nr. 3 dt 24.03.2009 është konkluduar se në lokalin e shtetases Lumturi Brinja është shkaktuar një dëm, i cili kap vlerën 6240 lekë të reja. Duke u nisur nga vlera e dëmit të shkaktuar për këtë fakt kriminal, i pandehuri Afrim Hasani nuk mund të akuzohej për veprën penale të shkatërrimit të pronës, pasi vlera e dëmit të shkaktuar nuk kapte minimumin e përcaktuar nga dispozita për t’u akuzuar ky person për veprën penale të parashikuar nga neni 150 i K.penal (minimumi 20.000 leke te reja për subjekte private). Mbi këtë bazë me dt 04.04.2009 organi procedues ka pushuar hetimet për veprën penale të shkatërrimit të pronës së shtetases Adrijana Brinja.
Në lidhje me rrethanat e ngjarjes, organi procedues arsyeton se ka qenë pikërisht ngjarja e dt 16.03.2009 ndodhur në qendër të fshatit Shënmri, konflikti i krijuar me punonjësit e policisë  dhe kallëzimi i bërë nga punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj në Prokurori, motivi i vetëm që ka shtyrë të pandehurin Afrim Hasani të kryente aktin kriminal të datës 23.03.2009. 
Siç deklaron vetë i pandehuri Afrim Hasani, në deklarimet e dhëna në cilësinë e personit të arrestuar, se me dt 18.03.2009 ai ka mësuar nga Zamir Avdia se policët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj kanë bërë kallëzim ndaj tij për veprën penale të parashikuar nga neni 236/2 I K.Penal. Kjo ka qenë dhe arsyeja që policia ka shkuar kontroll në banesë e tij me dt 16.03.2009, e për këtë fakt ai ka vendosur të hakmerret ndaj dy efektivave te policisë, duke i vrarë ata.
Pasi ka siguruar një armë automatike, konkretisht automatikun tip AK me nr 14214879, të cilën siç deklaron dhe vetë e kishte të fshehur jashtë banese, pasditen e dt 23.03.2009 me këtë armë i pandehuri Afrim Hasani ka qëlluar në fillim në shenjë hakmarrjeje ndaj makinës së shtetasit Mentor Hasani, me te cilën lëvizte me dt 16.03.2009  duke dëmtuar makinën veçanërisht në kofën, parafrango dhe në pjesët anësorë të xhamave. Nga akti i ekspertimit Tekniko Vlerësues  dt 28.03.2009, mbajtur nga eksperti Haxhi Visha ing Mekanik përcaktohet se në automjetin tip “Benz Mercdes” është shkaktuar një dëm që kap vlerën 29.000 lekë të reja. Kjo ka qenë dhe arsyeja që organi procedues e ka akuzuar të pandehurin Afrim Hasani për veprën penale të “shkatërrimit të pronës”.
Rreth orës  20:30 - 21 të dt 23.03.2009, duke ditur lëvizjet e punonjësve të policisë Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj me të cilët ishte konfliktuar një javë më parë, i pandehuri Afrim Hasani me armë automatike ka hyrë në lokalin e shtetasit Isa Dobrusha dhe ka hapur zjarr në drejtim të dy punonjësve të policisë, konkretisht dy shtetasve të cilët e kishin kallëzuar në Prokurori si autor të ngjarjes së dt 16.03.2009, duke i lënë që të dy të vdekur në vend me plumba në kokë. Menjëherë pasi ka kryer një krim të tillë, i pandehuri Afrim Hasani është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka telefonuar  të afërmit e tij për t’ju treguar ngjarjen. Kështu nga telefoni i tij celular me nr 0683757651, telefon i regjistruar në emër të bashkëshortes së tij, Alketa Hasani, ai ka telefonuar vjehrrin e tij (dëshmitarin Skënder Dervishi në nr e telefonit 0692427439, të cilit i ka thënë se kam vrarë dy policë ik e merr vajzën dhe amanet dy vajzat e mija pasi do të vras veten. Me pas i pandehuri ka kryer telefonatë me motrën e tij Nazmije Popa  në nr e telefonit 0684123051, të cilës i ka komunikuar të njëjtin fakt duke i thënë që “të njoftonte vëllezërit të ruheshin nga gjakmarrja dhe amanet fëmijët”. Pasi ka komunikuar dhe me bashkëshorten e tij Alketa, të cilës i ka treguar për ngjarjen, i pandehuri Afrim Hasani ka fikur telefonin dhe së bashku me armën e krimit është larguar në drejtim të fundit të fshatit të tij ku ka shkuar dhe është strehuar në banesën e shtetasit Miftar Miftari, e cila ka qenë një  banesë e pa banuar, vend ku është arrestuar në flagrancë me datë 24.03.2009 ora 12:00 së bashku me armën e krimit.
Rrethanat dhe provat e grumbulluara provojnë se i pandehuri Afrim Hasani, ngjarjen e dt 23.03.2009, vrasjen e dy punonjësve të policisë së Qarkut Kukës, viktimave Shkëlzen Dobrushi dhe Ramdan Hila, e ka kryer i shtyrë nga fakti se dy efektivat e policisë, duke qenë në krye të detyrës janë kundërshtuar me dhunë prej tij dhe për këtë motiv ata e kanë kallëzuar Afrimin në Prokurori, për veprën penale të “Kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë”. Në një situatë të tillë, i pandehuri Afrim ka vendosur të hakmerret dhe me gjakftohtësi kriminale ka vrarë me armë zjarri, dy efektivat e policisë të cilët e kishin kallëzuar këtë person për ngjarjen e dt 16.03.2009. Ky ka qenë motivi real dhe i vetëm që ka shtyrë të pandehurin Afrim Hasani të kryente një ngjarje me pasoja kaq të rënda, sa ishte ngjarja e dt 23.03.2008. Ndodhur përballë këtyre fakteve dhe provave me dt 27.03.2009, Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur të bashkojë procedimin penal nr. 59  të Prokurorisë së rrethit Gjyqësore Kukës me procedimin penal nr 24 viti 2009 të Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë dhe ta hetojë këtë procedim si procedimi penal nr 24 viti 2009.

Akuzat

- Vrasje në rrethana të tjera cilësuese 
- Shkatërrim të pronës
- Kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë
- Mbajtje pa leje të armëve luftarake

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›