I fshehu shtetit 19 milionë, Ndoja rikthehet Kryeprokuror
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme lajmëroi dje zyrtarisht rikthimin në detyrën e Kryeprokurorit të Durrësit, për Arjan Ndojën, i pezulluar pak kohë më parë nga ky funksion me urdhër të Kryeprokurores Ina Rama. Rikthimi në detyrën e Kryeprokurorit të Durrësit për Arjan Ndojën, vjen pas mbylljes së dosjes penale të hapur ndaj tij në Prokurorinë e Tiranës me akuzën "fshehje pasurie". Pak kohë më parë organi i akuzës në kryeqytet vendosi mbylljen e hetimeve për mungesë të veprës penale ndërsa Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, i cili kishte bërë edhe denoncimin, e ankimoi në Gjykatën e Tiranës vendimin e Prokurorisë. Gjykata e ka konsideruar të rregullt vendimin e organit të akuzës për mosfillimin e procedimit penal ndaj Arjan Ndojës. Ai u akuzua për fshehje të ardhurash në kohën kur kishte qenë avokat, pasi nuk kishte deklaruar të gjitha fitimet e tij nga veprimtaria e mbrojtësit ligjor. Por përkundër vendimit të Prokurorisë së Tiranës, e cila mbylli dosjen, pak ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave ka vendosur një gjobë në vlerën e 19 milionë lekëve të reja ndaj Arjan Ndojës. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjoba është vendosur për shkak të evazionit fiskal të kryer në të njëjtën vlerë nga juristi Arjan Ndoja, i cili u emërua në detyrën e Kryeprokurorit të Durrësit pasi punoi për disa vite si avokat. Burimet zyrtare nga Tatimet thanë se gjoba e vendosur ndaj Kryeprokurorit të Durrësit bën fjalë për derdhjen e detyrimeve që ai i ka shtetit, me qëllim shlyerjen e dëmit të shkaktuar. Rikthimi i Ndojës në krye të Prokurorisë së Durrësit, me vendim të organit qendror të akuzës, vjen vetëm pak ditë pasi Tatimet shpallën gjobën ndaj tij duke cenuar kështu indirekt edhe vendimin e pushimit të dosjes nga Prokuroria e Tiranës, e cila pretendoi se në këtë çështje nuk kishte vepër penale.