E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mendje me shami

Agim Baçi 

O burra, gratë që janë të veshura t’i largojmë nga Shqipëria. Këtu të lëmë vetëm femra lakuriq, që s’kanë turp të zhvishen, të tregojnë format e trupit, të provokojnë, se kështu na don e ardhmja demokratike, në versionin
andisian…Vetëm kështu mund ta kuptoja shkrimin e një dite më parë në “Panorama” të nënshkruar nga Andis Gjoni. Natyrisht, autori ndoshta s’vlen të jetë pjesë e këtij debati, por ato që thoshte ai, natyrisht që vlejnë të jenë pjesë e një gjykimi. Pavarësisht se ndaj bindjen se edhe drejtuesit e gazetës, janë të të njëjtit mendim se opinioni i artikullshkruesit nuk përbën ndonjë maxhorancë të të menduarit në Shqipëri, ai duhet marrë në konsideratë për shkallën e rrezikshmërisë që paraqet në zgjidhjen publike.
Autori thotë se, shamia e vajzave përbën një rrezik dhe ajo duhet nxjerrë menjëherë jashtë ligjit. Natyrisht, duket se artikullshkruesi mund të mos ketë parasysh as kohën ku jetojmë, as vendin, e aq më pak ligjet e këtij vendi. Pra, mënyra e tij për të zgjidhur debatin me shamitë duket hapur se s’ka të bëjë as me shoqërinë tonë, as me demokracinë, e as me ndonjë nga shoqëritë që ai ka ndërmend, por ndoshta vetëm me ndonjë çast të pakontrolluar ereksioni të autorit, i cili mund të jetë penguar në imagjinatën e tij përballë ndonjë vajze të mbuluar me shami.
Autori përmend Francën, ku në fakt, vijon të ketë debat, edhe për faktin se Franca është vendi tipik më laik, madje me një laicitet që anon nga krahu atesit, gjë për të cilën, në jo pak raste, është kritikuar nga Papa dhe nga shoqëritë e civilizuara. Megjithatë, duhet të kujtojmë artikullshkruesin, se debati mund të ketë një justifikim në Francë, pasi myslimanët janë emigrantë. Por autori duhej të ishte treguar me dijeni të tjera gjeografike të zgjidhjeve, për të parë se debati për shaminë është zgjidhur në vende si Gjermania, Britania, Amerika, Norvegjia, ku, edhe pse emigrantë, myslimanët kanë fituar të drejtën publike të shamisë. Madje, nëse ai kërkon integrimin, vlen të lexojë se edhe në administratën e Presidentit amerikan, Obama, ka punonjës që shkojnë në punë me shami.
Pra, ideja e “shqetësimit demokratik” duket një fasadë e pamenduar mirë e autorit, i cili ka dashur ta mbështesë kundërshtinë apo urrejtjen e tij për veshjen me shami nën petkun e integrimit. Vlen t’i kujtojmë autorit se debati për veshjen e vajzave të besimit Islam ndryshon kryekëput në një vend si i yni, ku myslimanët janë vendas, janë shumicë dhe se prej shekujsh kanë ushqyer tolerancën fetare, pasojën e së cilës natyrisht e ka ndjerë edhe artikullshkruesi.
Veshja është pjesë e besimit – gjë e cila garantohet me Kushtetutë. Pra, nëse autori është i shqetësuar për të ardhmen demokratike të këtij vendi, ai duhet të jetë i shqetësuar për rastet kur shkelet kjo e drejtë, dhe jo kur ajo lejohet. Aq më keq nëse ai kërkon ta shtrijë urrejtjen e tij në fushën e integrimit. Në asnjë çast, bota perëndimore nuk kërkon heqjen dorë nga identiteti, për t’u integruar. Bota pasurohet nga identitetet e ndryshme, nga besimi, ngjyra apo të dhëna të tjera, që na bëjnë të jemi banorë të këtij vendi, ku Zoti na ka paracaktuar jetesën.
* * *
Veshja është një akt intim, që lidhet me bindjet dhe kulturën e gjithkujt. Në një botë demokratike, ku ligjet e mbrojnë të drejtën e besimit, ku ligjet e lejojnë dhe e mbrojnë diversitetin e mendimit, është krejt normale të kemi vajza të mbuluara apo edhe të pambuluara. Ne duhet të shqetësohemi për vlerat që bartin në shoqëri e jo për trupin e tyre. Nuk mendoj se shkollës sot u duhet fytyra apo barku i dikujt. Ne na duhen studentë të mirë, që mendojnë për këtë vend, njerëz që kujdesen për të krijuar një familje të mirë. (Familjet e mira janë gjithnjë një bazament i vlefshëm për një komb të mirë). Në këtë kontekst, nuk mendoj se vendos veshja, por mendja, kuptimi i asaj që bëjmë. Ndaj, është krejt normale, që ide të tilla, që bartin urrejtje për besimin e dikujt, të mos jepen me zgjidhje të tipit të emigrimit, por të pranimit, të mirëkuptimit dhe të tolerancës. Nuk kam asnjë dyshim në vetminë e “demokracisë andisiane”, por gjithsesi, duhet të jemi të vëmendshëm, që të mos i hapim rrugën asnjë mendjeje ekstreme. Unë jam i bindur se i shërben perspektivës morale të shoqërisë, që institucione që mbrojnë besimin dhe moralin, t’i forcojmë, e jo t’i vëmë në dyshim, qoftë kjo edhe kur dikush fshihet në velin e integrimit që e dëshirojmë të gjithë. Myslimanët shqiptarë janë qytetarë të këtij vendi, dhe për aq kohë sa nuk është pranuar jetesa e tyre, nuk është pranuar një pjesë e mirë e Shqipërisë. Andisi duhet vetëm t’i heqë shaminë mendjes së tij e të shohë përmes gjuhës së ligjit, tolerancës dhe pranimit të tjetrit, ashtu siç thonë edhe ligjet e vendit ku jeton.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›