E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa e TVSH, BE dhe turizmi

Ing. Zak TOPUZI* 

Në zyrat qendrore të ECCTA-s në Bruksel (Shoqata Evropiane e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike) mbërrin një telefonatë nga një anëtar i shoqatës: “Çfarë mund të bëjë BE-ja për krizën që po kalon biznesi im?” Nëpunësi përgjigjet: Asgjë – po nuk rezistuat, ndërroni biznes”. Natyrisht që nëpunësin e shkarkuan të nesërmen, por mesazhi ishte i qartë: “Nuk ka ilaç, ndiqni zhvillimet, loboni me qeverinë për të marrë masat e domosdoshme”. Ajo qeveri që e nuhat dhe merr masa është e suksesshme. Këshillat që japin ekspertët ndërkombëtarë të turizmit janë të qarta: rritni promocionin, ulni taksat, i shtyni në kohë ose i ndani në tremujore, shtyni pagesat e sigurimeve shoqërore, përfitoni nga zhvillimet rajonale, nxitni turizmin vendas, ndërgjegjësoni ministrinë dhe bashkitë. Këto arrihen vetëm nëpërmjet bashkëpunimit.
Aktualisht bizneset shqiptare të hotelerisë dhe restoranteve që aplikojnë regjimin e TVSh-së nuk mund të thuhet se mund të  ofrojnë shërbime me çmime konkurruese për të njëjtën cilësi shërbimi, nëse do t’i krahasojmë me fqinjët apo vendet e tjera evropiane.
Aktualisht taksa e TVSH-së prej 20% në Shqipëri për çmim dhome, krahasuar me Turqinë (8%), Greqinë (6-9%), Malin e Zi (7%), Italinë (10%), Francën (5.5%), Maltën (5%) është 200-400% më e lartë. Maqedonia, TVSh-në për hotelet e ka 18% (më të ulët se ne), por mos harroni se është në një krizë identiteti, duke mbyllur fundin e klasifikimit për të ardhurat për frymë në rajon.
Krahas TVSH-së, taksat lokale si 5% e çmimit të fjetjes në hotel, pagesat relativisht të larta të transaksioneve bankare (komisioni për kartat e kreditit 2-4.5%), çmimi i energjisë elektrike, karburantit etj., e bëjnë sektorin e hoteleve të jetë jo i lirë dhe konkurrues, nëse biznesi do t’i përgjigjet plotësisht detyrimeve dhe taksave.
Pjesë e politikave mbështetëse për industrinë turistike, krahas investimeve në trajnim dhe marketing duhet të jetë dhe rishikimi i nivelit të TVSH-së për hotelet dhe restorantet. Argumentimet për një TVSH të reduktuar për hotelet dhe restorantet në Shqipëri bazohen në praktikën që po ndjek BE-ja për sistemin e TVSh-së së reduktuar në vendet anëtare të saj. Prej vitesh hotelet dhe tashmë edhe restorantet në vendet e BE-së në bazë të direktivave të Komisionit Evropian (Direktivës 2006/112/EC) kanë mundësinë të jenë subjekt i TVSH-së së reduktuar.
Gati 20 nga 27 vendet e BE-së kanë një TVSH më të vogël ose baras me 10% për hotelet (kryesisht vendet e Mesdheut).
Takimi i Këshillit Evropian për Çështjet e Ekonomisë dhe Financave në Bruksel më 10 mars 2009, i ka dhënë dritën jeshile shteteve anëtare të aplikojnë TVSH-në e reduktuar dhe për sektorin e restoranteve. Një studim për uljen e TVSH-së në restorantet franceze tregoi se ulja prej 5.5% e TVSH-së do të mund të krijonte 12% rritje të xhiros dhe krijimin e 500.000 vendeve të reja të punës.
Niveli i çmimeve të hoteleve është faktori vendimtar i konkurrueshmërisë së destinacioneve turistike. Mjaft shtete mesdhetare ndjekin politika mbështetëse për sektorin e turizmit përfshirë dhe fushën fiskale. Është momenti që turizmi të vlerësohet dhe të marrë peshën që i takon.

*Shoqata Shqiptare e Turizmit,
Kryetar i Sektorit të Akomodimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›