Imuniteti i Neranxit dhe vetja ime si Pons Pilati
Besnik Mustafaj
Para pak ditësh Kuvendi i Shqipërisë, në përputhje me të gjitha procedurat e parashikuara në ligj dhe në rregulloren e Kuvendit, votoi për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollaq Neranxi. Kjo ngjarje sigurisht që nuk do të zërë ndonjë vend të dukshëm në historinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Edhe deputetët që votuan, nisur nga lehtësia me të cilën e hodhën votën, vështirë se do e rendisin këtë çast ndër kujtimet e tyre të shquara si politikanë të përzgjedhur. Jam i sigurt se vetëm i shenjuari, domethënë Neranxi, nuk do ta harrojë kurrë, pavarësisht nga rrjedha që do të marrë jeta e tij më vonë. Ndoshta edhe unë vetë, duke ndarë publikisht me të tjerët trazimin në ndërgjegje përpara kësaj ngjarjeje, pra, duke lënë kështu me shkrim një gjurmë të këtij trazimi, po përpiqem thjesht të psherëtij, siç vepron rëndom një burrë i pafuqishëm. E jap këtë shpjegim, për të paralajmëruar çdonjërin nga lexuesit e këtyre rreshtave, se nuk do të gjejnë këtu asgjë heroike.
Në respekt të rendit të gjërave, mëngjesin e ditës së enjte, ne, deputetët, të mbledhur si zakonisht në seancë, dëgjuam një raport të përmbledhur të Komisionit të Këshillit tonë për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku na sqarohej se prokuroria kishte kërkuar heqjen e imunitetit për kolegun tonë Nikollaq Neranxi, për ta marrë si të pandehur me akuzën për evazion doganor. Dhe ky Këshillë, pa asnjë arsyetim të thelluar rreth fakteve të paraqitura nga organi i akuzës, madje duke lënë të kuptohej se nuk provohej ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë e deputetit Neranxi me veprat penale, për të cilat do të hetohej, na këshillonte ne t’i përgjigjeshim me “po” kësaj kërkese. Mandej u ngrit serbes deputeti Neranxi, i cili dha shpjegimet e veta pse ishte hapur ky proces. Sipas tij, ishte një veprim haptas me prapavijë politike. E kërkova unë vetë fjalën me këmbëngulje, por Kryetarja e Kuvendit nuk ma dha. Nuk e di nëse e kërkoi edhe ndokush tjetër nga kolegët, por di që nuk foli njeri. Imuniteti i një deputeti po hiqej pa as më të voglin debat. I bindur se vota ime kundër nuk do të ndryshonte asgjë, dola në heshtje nga salla, sa për të mos marrë pjesë në atë votim.
Me deputetin Neranxi njihem personalisht shumë pak. Nuk di të më ketë qëlluar ndonjëherë rasti të pi një kafe në të njëjtën tavolinë me të, ani pse jemi së bashku në Kuvendin e Republikës tonë prej afro katër vjetësh. Ai është deputet i opozitës dhe unë i shumicës në pushtet. Ai është deputet i ri, e ka mandatin e parë, e unë një veteran i këtij parlamenti. Ai vjen profesionalisht nga mjediset e biznesit e unë, tani pas njëzet vjetësh në këtë sallë, mund t’i jap të drejtë vetes të them se vij nga mjediset e politikës. Ai ka për vendlindje Himarën e unë Tropojën. I përmenda këto hollësi, mund të shtoja edhe të tjera, sa për të vënë në dukje horizontet e ndryshme, nëpër të cilat lëvizim ne të dy, që do të thotë se në çastet kur kërkova fjalën, nuk ndjeja në vete të ngacmuar asnjë pejzë të nervave, që përbëjnë subjektivitetin tim njerëzor. Ishte vetëm ndërgjegjja ime prej deputeti, ashtu siç e kuptoj unë integritetin e deputetit, që po trazohej.
Po të ma jepte fjalën Kryetarja ime, unë nuk do ta mbështesja denoncimin e ngritur nga Neranxi për prapavijën politike të procesit penal të çelur ndaj tij dhe as nuk do ta kundërshtoja këtë denoncim. Nuk do t’i thurja lavde personalitetit politik të Neranxit dhe as nuk do të hidhja baltë mbi të. Nuk do t’i bëja thirrje Neranxit të kishte besim te drejtësia jonë e të jepte kështu, nëpërmjet bashkëpunimit, shembullin si ligjvënës i zgjedhur nga populli e as nuk do ta inkurajoja atë në dyshimet e thella që shfaqi ndaj pavarësisë së drejtësisë tonë. Jo. Preokupimi im ishte krejt tjetër.
Neranxi e çeli fjalën e tij duke thënë se 90 për qind e deputetëve në sallë do të votonin në kundërshtim me ndërgjegjen e tyre për heqjen e imunitetit të tij. Në gjykimin tim, parimisht ky pohim ishte më i rëndi në gjithë ligjëratën e tij të tensionuar. Nuk e di mbi ç’bazë të dhënash e kishte nxjerrë ai një përfundim të tillë, por aty për aty vura re se kolegëve nuk u bëri përshtypjen që do të duhej t’u bënte një shpifje lënduese. Fytyrat, që munda të vëzhgoj, ishin fare të qeta. Njerëz në paqe me veten. Ndërkohë, Neranxi sapo na kishte thënë, as më shumë e as më pak, se ne, jo të gjithë, por 90 për qind prej nesh, po përgatiteshim të shkelnim betimin, që kishim bërë secili nga ne ditën që kishim zënë vend në Kuvend, një betim i bërë mbi Kushtetutën, se nuk do të kryenim asnjë veprim jashtë bindjeve individuale. “Bindje” në kuptimin që gjuha shqipe i jep kësaj fjale lidhur me ndërgjegjen dhe jo me nënshtrimin.
Diçka më shumë se një vit më parë, ditën që do t’i hiqej imuniteti kolegut Lulzim Basha, diku rreth mesnate, kemi bërë një mbledhje të përbashkët të gjitha grupet parlamentare të maxhorancës qeverisëse. Kryeministri Berisha na mbajti një ligjëratë të gjatë, ku, në thelb, na tha dy gjëra. Së pari, që Lulzim Basha ishte krejtësisht i pafajshëm lidhur me akuzat që i drejtonte prokuroria dhe, së dyti, ne ta votonim pa asnjë përjashtim heqjen e imunitetit të zotit Basha, pasi ai, pra Kryeministri, ishte zotuar për një gjë të tillë përpara opinionit publik shqiptar dhe miqve ndërkombëtarë. Rrjedhimisht, bindja që do të thotë ndërgjegjja e asnjërit prej nesh nuk kishte më asnjë rëndësi. Në sallën e seancave ishim më shumë se 70 deputetë. I të njëjtës bindje me Kryeministrin Berisha lidhur me pafajësinë e zotit Basha ishte shprehur edhe Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Këshill që drejtohet nga vetë Kryetarja e Kuvendit. Megjithatë, kjo bindje gjithashtu nuk kishte asnjë rëndësi. Ne duhej, pa e lodhur mendjen fare me dilema, të votonim krejt të kundërtën.
Mbaj mend që mora fjalën në atë mbledhje të pakëndshme dhe u bëra thirrje kolegëve që, në çastin e votimit, të mos dëgjonin asnjë udhëzim apo urdhër tjetër veç atij zëri, që do t’i vinte secilit nga ndërgjegjja e vet, që do të thotë se vendimin për të votuar për heqjen ose jo të imunitetit të kolegut Basha, secili duhej ta marrte vetëm në përputhje me bindjen e vet më të thellë. Meqenëse historia vlen gjithmonë për diçka, u kujtova deputetëve një rast të ndodhur po në atë sallë rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur prokuroria kishte çelur hetim për Genc Rulin dhe Rexhep Ukën dhe kishte kërkuar heqjen e imunitetit të tyre.
- Sikur deputetët të kishin ndjekur thirrjen e zotit Berisha, asokohe President i Republikës, Genci me Rexhepin nuk do të ishin sot këtu me ne, - thashë për ta nxitur sa më fort edhe sedrën e kolegëve.
Aty për aty, siç dihet nga rezultati, nuk pati ndonjë dobi ndërhyrja ime. Madje, edhe Genci me Rexhepin nuk u ndjenë për së gjalli. Në mbyllje u shënuan vetëm një grusht i vogël abstenimesh. Por më vonë, kur erdhi radha për imunitetin e Fatmir Mediut, zonja Topalli, me cilësinë e saj si kryetare e këshillit në fjalë, kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme plotësim të dosjes me fakte të reja që do ta përligjnin vendimin e deputetëve. Kjo ishte kërkesa më e natyrshme dhe krejt në të drejtën e saj. Megjithatë, kësaj here ishte opozita që u hodh përpjetë dhe i dha kësaj kërkese një përmbajtje që atyre si opozitarë do t’u pëlqente ta kishte.
Nuk është qëllimi im këtu aspak të marr anë për fajësinë apo pafajësinë e kolegëve tashmë pa imunitet. Si ithtar i palëkundur i shtetit ligjor, unë besoj te prezumimi i pafajësisë për sa kohë nuk është shprehur gjykata, gjë që më ndihmon ta ruaj të plotë respektin për Bashën, për Mediun e për Neranxin. Shqetësimi, që më duket me vend të ngre, përpara gjithë shoqërisë shqiptare, veçanërisht në këtë periudhë parazgjedhore, ka të bëjë me cenin e rëndë që shfaqim ne deputetët shumë shpesh nëpërmjet votimit pa asnjë këshillim me ndërgjegjen tonë. Shembujt që solla, duke qenë në ekstrem, nuk janë përjashtime. Ato ndihmojnë vetëm për të shprehur më qartë një fenomen të rëndomtë në përditshmërinë e veprimtarisë së parlamentit, ku del në pah me tepri jo spikatja e personalitetit të secilit deputet, por krejt e kundërta. Spikatja e personalitetit të deputetit dëshmon se ai ka ndërgjegjen e përfaqësuesit të popullit, ashtu siç kërkohet me të drejtë qysh në formulën e betimit dhe jo e kundërta.
Shembujt e mësipërm ndihmojnë për të kuptuar gjithashtu se dëshira për të patur në sallën e Kuvendit deputetë të gatshëm për ta shkelur betimin, është e përgjithshme në të dy krahët e politikës. Mua ky më duket një problem shumë i rëndë, i cili ka prodhuar pasoja tejet të dëmshme për pjekurinë e institucioneve të mbarë shtetit. Për më keq, në këtë prag fushate, nuk shoh te Partia Socialiste, por as te Partia Demokratike ndonjë shenjë optimiste se listat do të mbushen jo me “yes men”, siç i përcaktonte me përbuzje Berisha kur ishim në opozitë shërbëtorët e verbër politikë të Fatos Nanos. Ka rrezik të madh që ligji i ri elektoral, produkt i një konsensusi të plotë PD-PS, të përdoret nga shtatmadhoritë e partive si mekanizmi i përsosur për ta lëshuar përfundimisht fushën e politikës kombëtare nën këmbët këpucëlustruara të “yes men-ëve” të palodhshëm. Në rrethana të tilla, dhe për një fije respekti të betimit që kam bërë katër vjet më parë, mua më ngjan se shoh te vetja pak nga ato përjetimet e Pons Pilatit. Ndaj edhe në krye të herës i paralajmërova gjithë përulje lexuesit e nderuar të këtij shtjellimi se nuk do të gjejnë këtu asgjë heroike.
besnik@afalc.org