E Diel, 1 Nëntor 2026

Blerja e energjisë, Konkurrenca kërkon nga ERE zgjerimin e operatorëve në treg

Rekomandimet bëhen për hapjen e tregut të energjisë elektrike. Transmetimi dhe operimi i sistemit vazhdojnë të mbeten monopole

Ervin Koçi

Tregu i energjisë elektrike në Shqipëri është në fazat e procesit të liberalizimit. Por, realizimi i këtij procesi kërkon investime të konsiderueshme, kryesisht në burimet e reja energjetike, sistemin e transmetimit dhe atë të shpërndarjes, për një eficencë reale të tregut dhe për të siguruar shërbimin e detyrueshëm publik të furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike. Duke marrë në konsideratë situatën e tregut të energjisë elektrike, privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ekzistencën e dy çmimeve të energjisë në tregun e shumicës, subvencionet e buxhetit dhe faktorë të tjerë, Komisioni i Konkurrencës vendosi të propozojë një sërë masash. Rekomandimet synojnë ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për konsolidimin dhe hapjen reale të tregut të energjisë elektrike, për të siguruar një treg të energjisë funksional dhe që ofron produktin e mjaftueshëm dhe shërbimin më të mirë në çmimet më të lira të mundshme për konsumatorët.

Propozimet

Komisioni i Konkurrencës ka rekomanduar që në rastet kur monopolet natyrore administrohen nga shteti (KESH-Gen dhe OST), duhet të sigurohet që të funksionojnë si ndërmarrje tregtare duke eliminuar mbështetjen financiare (subvencionet) e drejtpërdrejta dhe indirekte nga buxheti i shtetit. Përveç Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, në treg duhet të funksionojë Operatori i Furnizimit me Shumicë (mundësisht i ndarë nga OSSH-ja), që së bashku me ndërmjetësit e tregut të energjisë dhe krijimin e një Qendre Funksionale Dispeçer do të realizonin një treg funksional të energjisë. Në këtë mënyrë do të hapet ose do të rritet konkurrenca si në krahun e prodhimit, ashtu edhe në tregun e furnizimit me shumicë dhe me pakicë me energji. Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë ERE-s të rrisë mundësinë e përfshirjes të sa më shumë bizneseve si klientë të kualifikuar, gjë që do ta bënte kërkesën më elastike dhe tregun më të hapur.

Liberalizimi i tregut

Pas privatizimit të OSSH-së, ERE-s i rekomandohet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për liberalizimin e mëtejshëm të tregut nëpërmjet licencimit të ndërmjetësve të tregut. Ndërsa sa i përket shërbimeve të prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit në strukturën e konkurrencës në tregun e pakicës vërehet se ato ofrohen nga shumë aktorë tregu. Ndërsa e reja e konkurrencës në tregun e pakicës është futja në strukturë e ndërmjetësve, për të krijuar tregun e shumicës. Miratimi i tarifave të tregtimit të energjisë elektrike duhet bërë në mënyrë të balancuar dhe pa diskriminime, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt kostos mesatare të ponderuar të ofertës së energjisë, duke marrë në konsideratë si koston mesatare të importit, ashtu dhe atë të prodhimit. ERE-s i rekomandohet që të shkrijë dy metodikat e shitje-blerjes së energjisë elektrike mes prodhuesve të vegjël të energjisë elektrike dhe Furnizuesit Publik me Pakicë (OSSH-së) në një të vetme, duke përcaktuar një metodikë që merr për bazë kostot e investimit dhe të monitorojë Furnizuesit me shumicë dhe OSSH-së që të marrin të gjitha masat për të përmbushur detyrimet e kontratës së shitblerjes së energjisë elektrike të lidhur me prodhuesit e vegjël. Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë “OST sh.a.” dhe “OSSH sh.a.” që për çdo rast të sigurojë aksesin në rrjet të të gjithë konsumatorëve në përputhje me rregullat e sjelljes së operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg.

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›