OSSH: Rritja e konsumit të energjisë rrit nivelin e arkëtimeve
OSSH-ja ka deklaruar se si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë elektrike muajin e fundit është rritur dhe niveli i arkëtimeve për këtë produkt të kunsumuar. “Për muajin tetor kemi pasur një nivel të mirë të arkëtimeve në abonentët privatë me një nivel prej 100,85 për qind. Një nivel tepër i mirë arkëtimesh ka qenë edhe për abonentët familjarë, me rreth 83 për qind”,- tha drejtori i Përgjithshëm i Shitjes në OSSH, Ilirjan Shkëmbi. Drejtori i Përgjithshëm i shitjes në OSSH tha se po vazhdohet puna gradualisht edhe me vendosjen e matësve në zonat në të cilat ato mungonin. Sipas tij, “brenda këtij viti të mbyllet ajo pjesë e abonentëve të planifikuar për t’u plotësuar me matës”. Aktualisht janë kompletuar me matës 65 deri në 70 mijë abonentë, nga 80 mijë abonentë që është kriteri i vendosur për tu plotësuar, proces që do të përfundojë brenda këtij viti.
Shoqatat e biznesit kërkojnë formimin e Entit Kombëtar të Hidrokarbureve
Bazuar në analizat krahasuese të çmimeve të tregjeve, çmimi i karburanteve në Shqipëri është të paktën 25 për qind më i lartë sesa duhet të ishte në kushtet e funksionimit të një tregu normal. Brenda një 3-mujori, çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ra me më shumë se 100 për qind, ndërkohë që vlerësimi i dollarit amerikan ndaj lekut nuk e kalon shifrën prej 25 për qind gjatë të njëjtës periudhë. Çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen zinxhir të kostove të të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve vendore në krahasim me prodhimet dhe shërbimet e huaja, duke ulur më tej aftësinë konkurruese të industrive shqiptare. Konfindustria kërkon ngritjen sa më shpejt të Entit Kombëtar të Karburanteve, që duhet të monitorojë në vazhdimësi dhe të ndërhyjë për të rregulluar çrregullimet subjektive të tregut të karburanteve. Aktualisht, çmimi i një fuçie nafte në tregjet ndërkombëtare është 55 dollarë për fuçi, ndërkohë që në fillim të javës (10 nëntor) ishte 63 dollarë për fuçi.
Ankandi, BSH publikon për shitje 3.2 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi të enjten për shitje me ankand, 3.2 miliardë lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë bankës, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 17 nëntor, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 3-mujor, që do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen në datën 21.02.2009.
14 Nentor 2008