E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimi i bregdetit të Jugut, parashikohet investimi i 325 milionë eurove



Ervin Koçi

“Plani i zhvillimit të bregdetit të Jugut” do të jetë projekti shumë miliona eurosh i financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore për të zhvilluar infrastrukturën dhe për t’i hapur rrugën turizmit në zonën e bregdetit të Jugut të Shqipërisë. Plani synon të ngrejë infrastrukturën rrugore të këtyre zonave, të përmirësojë rrugët dytësore dhe rurale që lidhin qendrat me bregdetin, por edhe të rehabilitojë rrjetin e kanalizimeve dhe atë energjetik të mbarë Rivierës së Jugut të vendit. Projekti parashikohet të kushtojë në total mbi 325 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave do të jenë fonde direkte të buxhetit të shtetit për vitin 2009 e në vazhdim. Këto kosto janë paraprake dhe të paraqitura në tabelë, si në fushën e investimeve në infrastrukturën rrugore, në sistemin e mbetjeve të ngurta apo të furnizimit me ujë të kësaj zone. Për një pjesë të mirë të investimeve, paratë do të dalin nga arka e shtetit, ndërsa një pjesë janë financime të përbashkëta me donatorë të ndryshëm.

Akset kryesore

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve është përgjegjëse për rrjetin rrugor të nivelit të lartë në të gjithë vendin dhe ka një numër të madh projektesh rrugore në proces ose në ndërtim. Mes tyre janë edhe: Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Sarandë-Krane-Konispol në kufirin me Greqinë, etj. Rrugët nacionale janë ndërtuar dhe projektuar për një shpejtësi të caktuar në km/h, me përjashtim të disa seksioneve ku terreni i vështirë kërkon projektim shpejtësie edhe më të ulët. Në procesin e projektit nuk është përfshirë përmirësimi i rrugës nëpërmjet Vlorës-Kotës-Kuçit-Borshit. Ekspertët theksojnë nevojën për të përmirësuar kapacitetin dhe standardin e rrugëve. Në këtë drejtim janë vendosur dy objektiva kryesore. E para, ka të bëjë me ruajtjen e “përvojës së udhëtimit me makinë” në rrugën bregdetare. E dyta, ka lidhje me krijimin e kapacitetit të mjaftueshëm transportues për qytetarët vendorë që të udhëtojnë për në punë, për ardhjen dhe largimin e turistëve, si dhe për udhëtime për të vizituar pika dhe vende interesante. Sot distanca rrugore nga Tirana në Sarandë është rreth 250 km dhe udhëtimi aktualisht zgjat rreth 5-6 orë. Veç trafikut të rënduar që haset në kohën e pikut të pushuesve, një tjetër çështje problematike është kapaciteti i rrugëve ekzistuese, i cili është i ulët.

Rrugët dytësore

Sa u përket rrugëve rajonale (dytësore), projektimi i tyre nuk mund të realizohet pa u përcaktuar planet vendore të zhvillimit (planet rregulluese). Sipas planit, rrugët dytësore, të cilat i shërbejnë një politike të tillë, duhen financuar dhe ndërtuar nga autoritetet publike, ndërsa rrugët dytësore, të cilat i shërbejnë vetëm hoteleve dhe pikave të veçanta të pushimit, duhen financuar nga investitorët privatë si pjesë e një pakete të plotë. Projektimi dhe ndërtimi i rrugëve dytësore duhet të jetë në përputhje me kriteret për të minimizuar ndikimin e tyre mjedisor.

Mbetjet e ngurta, problem për bregdetin e Jugut

Menaxhimi i mbetjeve të ngurta përgjatë bregdetit të Jugut aktualisht është shumë i dobët. Tani për tani, sipas studimit, nevojitet vetëm një pikë për mbetjet e ngurta dhe një stacion transferimi për mbetjet komunale. Volumet ekzistuese të mbetjeve të ngurta janë aktualisht shumë të vogla për të mbështetur ndërtimin e pikave të tjera shtesë për groposjen e mbeturinave. Pika e zgjedhur ndodhet në Bajkaj, afër Sarandës, është një pikë me një sipërfaqe prej 7 ha, ndërsa në Himarë do të ndërtohet një stacion transferimi. Dokumentet e projektimit dhe të ankandit do të plotësohen në gjysmën e dytë të vitit 2008 dhe ndërtimi do të realizohet në vitin 2009. Kostoja e vlerësuar për ndërtimin e vendit të groposjes së mbeturinave është 2.1 milionë dollarë. Projekti përfshin edhe pajisjet e grumbullimit të mbetjeve të ngurta të tilla si kamionët, kazanët e mbeturinave. Kostoja e vlerësuar në total për projektin, duke përfshirë gropën e mbeturinave, stacionin e transferimit dhe pajisjet, është 6.4 milionë dollarë ose 5 milionë euro.

Projektet dhe kostoja përkatëse e investimeve në bregdetin e Jugut

Nr. Projekti Kosto (Milion €) Burimi i financimit

a) Furnizimi me ujë dhe kanalizimet

1. Projekti për furnizimin me ujë dhe pastrimin për fshatin 2,0 Qeveria

2. Përmirësimi i furnizimit me ujë dhe kanalizimet, Sarandë 0,3 Qeveria

3. Sarandë - kanalizimet e Hotel Butrintit 0,5 Qeveria

4. Përmirësimet e furnizimit me ujë në Himarë 0,4 Qeveria

5. Përmirësimet e kanalizimeve në Himarë 3,0 Qeveria

6. Impianti i përpunimit të ujërave të zeza në Himarë 1,0 Qeveria

b) Mbetjet e ngurta

7. Mbetjet e ngurta: vendi i groposjes, stacioni i transferimit, mjetet dhe pajisjet 5,0 Qeveria

8. Mbetjet e ngurta: mbyllja e vendeve informale të groposjes 0,3 Qeveria

c) Energjia

9 Linja të transmetimit 110 kV 25 Qeveria

d) Rrugët

10. Rruga bregdetare Himarë-Sarandë 60 Qeveria

11. Rruga Levan-Tepelenë 62 Qeveria

12. Rruga Tepelenë-Gjirokastër 24 Qeveria

13. Ura e Kardhiqit-Delvinë 23 Qeveria

14. Rruga Sarandë-Konispol 30 Qeveria greke

15. Rruga Sarandë-Butrint 8 Qeveria

16. Rruga Çukë-Dritas-Pllakë-Mursi 12 Qeveria

17. Rruga Vlorë-Kotë-Kuç-Borsh 60 Qeveria

e) Aeroportet dhe portet (Qeveria ose PPP)

18. Aeroporti i Sarandës (Faza I – i brendshëm) 4 Qeveria

19. Projekti i portit të transportit dhe peshkimit, Sarandë (në vazhdim) Qeveria

20. Terminali i pasagjerëve në Sarandë (në vazhdim) Qeveria, PPP ose Privat

21. Moli i i Sarandës (I padisponueshëm) Qeveria, PPP ose Privat

22. Moli i Ksamilit (I padisponueshëm)

Bregdeti jugor, cila është strategjia e zhvillimit

Hartimi i projektit për zhvillimin e rajonit të bregdetit jugor është mëse i nevojshëm. Gjatë këtij viti është bërë plotësimi i rregulloreve dhe mënyrave të financimit të tij. Në udhëzimin final, i cili është i hapur për konsultimin publik, thuhet: “Gjatë viteve të fundit, presioni nga zhvillimi i turizmit dhe i banimeve, kryesisht shtëpive të dyta, ka prekur peizazhin duke shkaktuar ndikime të ashpra lokale, si në rastin e Ksamilit. Si pasojë e një kuadri të paplotë ligjor dhe rregullator, si dhe nga zbatimi i dobët i ligjit për mjedisin bregdetar, janë dëmtuar komoditetet e banimit dhe karakteri tradicional i ngulimeve bregdetare”. Ajo që nevojitet është infrastruktura e mjaftueshme për të plotësuar kërkesën ekzistuese dhe për të parashikuar kërkesën e ardhshme për banim dhe turizëm. Në veçanti nevojitet përmirësimi i transportit, përmes rrugëve dhe aksesit, sistemet e kanalizimeve dhe menaxhimi, grumbullimi dhe heqja e mbetjeve të ngurta dhe furnizimi me ujë. Infrastruktura, sipas specialistëve, duhet projektuar për të minimizuar ndikimet negative në mjedis, si dhe të organizohet në përparësi dhe në faza për të moderuar objektivat e zhvillimit, në përputhje me burimet e disponueshme. Turizmi së bashku me tregtinë shoqëruese dhe me shërbimet plotësuese është planifikuar si sektor udhëheqës i ekonomisë rajonale dhe si katalizatori kryesor i rritjes së ekonomisë. Për më tepër, një ekonomi me një sektor të vetëm të bazuar te turizmi përbën një strategji të cenueshme të zhvillimit ekonomik. Si e tillë ajo nuk është parashikuar. Për këtë qëllim është parashikuar: rivitalizimi i industrive kryesore tradicionale të tilla si bujqësia, kryesisht prodhimet e pemëtarisë dhe perimeve për treg dhe peshkimi, ferma dhe pika të vogla artizanale të rritjes së peshkut për t’i shërbyer tregjeve lokale dhe pikave të vogla, programet për të mbështetur artet dhe zanatet lokale dhe industritë me ndikim të ulët.

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›